Kryeministri Kurti përkujton 24-vjetorin e rënies së Mahmut, Jakup dhe Ilir Cakë​s​

Lajme

Kryeministri Kurti përkujton 24-vjetorin e rënies së Mahmut, Jakup dhe Ilir Cakë​s​

Më: 13 prill 2023 Në ora: 18:37
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka qenë sot i ftuar në zbulimin e pllakës përkujtimore në shënim të 24-vjetorit të rënies së martirëve Mahmut, Jakup dhe Ilir Cakë​s. Në pamundësi për të qenë i pranishëm në Kaçanik sot, Kryeministri Kurti iu është drejtuar të pranishmëve me një letër, të cilën në këtë ceremoni e lexoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Letra e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara familja Caka,

Të dashur banorë të Vatës e të Kaçanikut,

Është nder të ju drejtohem sot, ndonëse nuk mund të jem i pranishëm, në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore në nderim të martirëve Mahmut, Jakup dhe Ilir Caka. Sot kujtojmë rënien e tyre, që i mveshi ata me petkun e lavdisë së përjetshme.

Më 13 prill 1999, një ditë pas ditëlindjes së Ilirit, forcat e Serbisë rrethuan fshatin Sllatinë dhe lagjen e Vatës. Pasi granatuan fshatin, trupat e këmbësorisë dhe ato policore hynë në fshat, duke plaçkitur e djegur shtëpitë. Gjatë këtij aksioni, u vranë 13 shqiptarë të paarmatosur këtu, për të vetmen arsye, se ishin shqiptarë. Krim ky për të cilin ishte ngritur aktakuzë në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Të dashur familjarë,

Jam i vetëdijshëm që dhembja dhe mungesa e më të dashurve tuaj sa vjen e shtohet, por gjithashtu, jam i bindur se jeni krenarë që më të dashurit tuaj ranë në rrugën e lirisë, dhe që krenaria e lehtëson dhimbjen tuaj.

Në këtë ditë përkujtimore, sikurse edhe çdo ditë, jemi bashkë, familjarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, për t’i nderuar të rënët dhe për të ruajtur e kultivuar kujtimin për ta.

Andaj, në këtë përvjetor të 24-të, ngritja e kësaj pllake përkujtimore, është zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës ritheksoj përkushtimin për kujtimin e të vrarëve në luftë, të historisë dhe të trashëgimisë sonë të lavdishme.

Lavdi të rënëve të familjes Caka!

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta dhe për të gjithë të rënët për çlirimin dhe lirinë e Kosovës!

Përzemërisht,

Albin Kurti

Kryeministër i Republikës së Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat