Në Merdarë pak qarkullim, shkak protesta në anën e Serbisë

Lajme

Në Merdarë pak qarkullim, shkak protesta në anën e Serbisë

Më: 5 shkurt 2024 Në ora: 15:07
Merdare

Numër i vogël i qytetarëve kanë frekuentuar të hënën pik kalimi kufitar në Merdarë, pas paralajmërimeve të qytetarëve serbë për bllokim të rrugëve. Disa prej qytetarëve që morën rrugë për në këtë pikë pasi u njoftuan nga policia për bllokoden matanë kufirit u kthyen prapa.

“Për shkaqe sigurie u ktheva pas. Policia më njoftuan dhe tani do të shohë ndonjë rrugë tjetër”, tha një qytetar.

Ndërkaq, qytetarët serbë edhe sot kaluan lirshëm në këtë pikë kufitare. Pak qytetarë u panë gjatë ditës edhe duke hyrë në Kosovë nga kjo pikë kufitare.

Qytetarëve u kërkohet të mos udhëtojnë drejt Merdares

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka kërkuar nga qytetarët që të shmangin për sot udhëtimin drejt pikës kufitare në Merdarë.

“Njoftohen të gjithë qytetarët të cilët planifikojnë të udhëtojnë përmes Pikë Kalimit Kufitar në Merdarë, se në pjesën e Serbisë, për sot janë paralajmëruar protesta dhe bllokim të rrugëve, prej orës 12:00-15:00. Ju inkurajojmë që të përdorni pikat tjera kufitare për qarkullim”, thuhet në njoftim.

Serbët e zhvendosur nga Kosova kanë paralajmëruar bllokim të rrugës drejt Kurshumlisë. Ky bllokim do të ndodh për të gjitha ato automjete që udhëtojnë përmes Merdares drejt Kurshumlisë, Nishit, Beogradit dhe drejt Suboticës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat