Rrezik për konflikt në Bosnje dhe Hercegovinë, alarmi vjen nga Milorad Dodik

Lajme

Rrezik për konflikt në Bosnje dhe Hercegovinë, alarmi vjen nga Milorad Dodik

Më: 3 prill 2024 Në ora: 20:37
Millorad Dodik

Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik, ditë më parë bëri të ditur se ai dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të marrin disa vendime të mëdha për popullin serb.

Këto vendime ata pritet ti shpalosin me datat me datat 5 dhe 6 maj kur do të mbahet Kuvendi i madh i Pashkëve të Serbisë dhe Republikës Serbe.

Lideri i serbëve ne Bosnje gjatë viteve të fundit ka kërcënuar se do ta shkëpus entitetin serb nga Bosnja Hercegovina.

E për shkak të këtyre veprimeve destabilizuese, Milorad Dodik është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Fotoreporteri, Vudi Xhymshiti po qëndron në Banja Lluka në kryeqytetin e Republikës Sërpska  për ti parë nga afër këto zhvillime politike.

Xhymshiti, ka treguar për lëvizjet e fundit që po bënë lideri i serbëve në Bosnje, Milorad Dodik.

“Ai po përdor një gjuhë që po i sulmon vazhdimisht shtetet perëndimore, zyrtarët amerikan, zyrtarët britanik dhe ata evropianë duke i akuzuar gjoja për prishjen e marrëveshjes së Dejtonit. Nuk ka asnjë dyshim që Milorad Dodik ka mbështetje të fortë nga Kremlini, ai madje është edhe i uruari i presidentit rus, Vladimir Putin”, vlerëson Xhymshiti

Andaj ai nuk e përjashton mundësinë që situata të përshkallëzoj në Bosnje dhe Herzegovinë.

“Shenjat janë të qarta se këta duan ta ndajnë Bosnjën në ato territore që ata i kanë nën kontroll aktualisht. Kjo mund të nënkuptoj një luftë të re ose ndryshe mund të nënkuptoj ndarje të Bosnjës. Në anën tjetër nuk është rastësishme që Serbia është duke u armatosur vazhdimisht. Serbia është duke shpenzuar shumë nga buxheti i saj për ta përforcuar teknologjinë ushtarake”, thotë Xhymshiti.

Për disa ditë në Bosnje ka qëndruar edhe eurodeputeti holandez, Thijs Reuten.

Ai thotë se me gjuhën që po përdor politikani serb, Milorad Dodik, mund të nxis probleme serioze.

“Milorad Dodik ka një kohë që po dërgon mesazhe të tilla nacionaliste. Çdo javë po dëgjojmë deklarata nxitëse nga Banja Lluka gjë që po dëmton edhe interesin e qytetarëve atje tash edhe kur kanë filluar negociatat për anëtarësimin e Bosnjës në Bashkimin Evropian” , thotë eurodeputeti.

Por sipas holandezit, Milorad Dodik, po i bënë këto deklarata edhe nga frika.

“Të gjithë autokratët përfshirë këtu edhe Milorad Dodikun i frikësohen reformave që po ndermirën për tu afruar me Bashkimin Evropian. Reforma në të gjitha fushat, përfshirë atë me të rëndësishmen në sistemin e drejtësisë. Me reforma ta tilla ai dhe autokratët e tjerë mund të përfundojnë në burgje. Prandaj ai po bën çmos që ta forcoj sa më shumë pozitën e tij, por nga kjo qasje po pësojnë qytetarët e vendit”, thotë Reuten.

Në raportin vjetor të inteligjencës amerikane, thuhet se lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, po ndërmerr hapa provokues për ta neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnjë dhe për ta siguruar ndarjen de facto për Republikën e tij Sërpska.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat