Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik dega në Prishtinë, njofton se sot ka realizuar një plan taktik lidhur me rastin e koduar ,,Rrethi’’ ku në asistencë edhe të një njësiti të hetimeve nga st. policor Fushë Kosovë, rreth orës 14:30 në rrugën e ,,Pejës’’ në Fushë Kosovë ka ndaluar dhe arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar.
“Personat e dyshuar E.XH., (viti i lindjes 1982) dhe A.I., (viti i lindjes 1979) janë ndaluar, por gjatë ndalimit është vërejtur se i dyshuari i dytë me qëllim të fshehjes së dëshmive ka gëlltitur një qese të vogël me lëndë narkotike të llojit kokainë, të cilën paraprakisht e kishte blerë nga i dyshuari i parë”, njofton policia.
“Me qëllim të sigurimit të provave të nevojshme, në konsultim me prokurorinë e krimeve të rënda Prishtinë, është kryer kontrolli i banesës së të dyshuarit E.XH., ku me këtë rast në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar :
Substancë e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në 17 qese (16 te vogla të gatshme për shitje dhe 1 me sasi më të madhe) me peshë të përgjithshme prej 99.4 gramë,
Një pako në të cilën kishte një lloj përzierësi që përdoret për shtimin e sasisë së kokainës me peshë prej 63 gramë ,
Një peshore digjitale që përdoret për matje precize në sasi të vogla dhe disa qese të zbrazura,
Para të gatshme në vlerë 1750 Euro,
3 Armë automatike AK-47
6 karikatorë
Municion të llojeve të ndryshme në sasi prej 510 copë.
2 bajoneta dhe 8 pjesë të ndryshme për armë.
Një palë dylbi dhe 2 këllëfë armësh .
Një telefon celular”, njofton tutje policia
Vlera e përafërt e narkotikëve të konfiskuar sipas çmimit të tregut llogaritet rreth 6000 euro, sipas policisë.