Erdogan: Me shqiptarët jemi një

Lajme

Erdogan: Me shqiptarët jemi një

Më: 21 qershor 2013 Në ora: 23:24

Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, përkujtoi dje se, në Maqedoni Turqia ka restauruar shtëpinë e babait të Mustafa Kemal Ataturkut, Ali Riza Efendiut, ndërkaq në Kosovë, varrin e Murat Hudavendigar, Xhaminë Sinan Pashës në Prizren dhe xhaminë Fatih Sulltan në Prishtinë. Sipas tij, është përfunduar projekti për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë, ndërtimi i së cilës do të fillojë së shpejti.

“Ju lutem të gjithëve - turqve, shqiptarëve, boshnjakëve… Vëllezër, ne jemi një, jemi bashkë dhe s’do të ndahemi. Nuk do t’ju japim mundësi atyre që duan të mbjellin farën e ndarjes mes nesh”, theksoi Erdogan, në fjalimin që mbajti gjatë takimit të rregullt të Shoqatës për Kulturë e Solidaritet të turqve të Rumelisë, që u mbajt në Qendrën e Kongresit Halic, në Stamboll.

Sipas Erdogan, në 10 vitet e fundit Turqia po përpiqet që të kompensojë lënien pas dore, rreth njëqindvjeçare, të Ballkanit.

“Në Ballkan, ne duhet të jemi një; edhe me shqiptarët edhe me turqit. Më lejoni t’ua përkujtoj se krijuesi i himnit të Turqisë, Mehmet Aqif Ersoy, ishte shqiptar, por ai shkroi një himn që përcjellë ndjenjat e popullit turk. Kur e shkroi himnin ai u duartrokit për orë të tëra në Parlament.

Përderisa Turqia po rritet, po bëhet më e pasur dhe më e fuqishme, nga kjo gjë do të përfitojnë shumë edhe vëllezërit tanë në Ballkan. Për ne nuk ka dallim mes Stambollit, Ankarasë, Izmirit, Bursës, Edrenesë, Shkupit, Tiranës, Prizrenit, Sarajevës, Selanikut, Karxhallit dhe Shumenit. Ne nuk mund të jetojmë ndaras prej tyre. Unë nuk mund t’i lë mënjanë ato që i përjetova në Mostar, në Prishtinë ose në Prizren.

Dashurinë dhe interesimin e njëjtë që njerëzit e atjeshëm e shfaqën për mua, e ndiej edhe unë për ta. Njësoj siç i shohim qytetet tona, i shohim edhe qytetet e atij rajoni. Si Turqi, ne veprojmë përmes Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA), Institutit Junus Emre, sektorit privat... Pra, ne në mënyrë të vazhdueshme ju qëndrojmë në dispozicion vëllezërve tanë - në çdo kuptim.

Më tepër përpiqemi të veprojmë nëpërmjet projekteve, të cilat do t’ua lehtësojnë jetën njerëzve, por edhe do t’i ruajnë veprat dhe vlerat historike”, theksoi Erdogan në fjalimin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat