Harta e përhapjes së rriqrave në Kosovë

Lajme

Harta e përhapjes së rriqrave në Kosovë

Më: 26 korrik 2013 Në ora: 18:34

Është publikuar harta e parë e përhapjes së llojeve të ndryshme të rriqrave në Kosovë dhe zonat më të rrezikuara nga ta. Në bazë të një hulumtimi të bërë nga ekspertë të veterinarisë, del se rriqrat në komunën e Malishevës dhe Suharekës janë vektor i përhapjes se virusit të Etheve Hemorragjike Krime - Kongo.
Rezultatet e tij pritet të kenë ndikim të konsiderueshëm në përcaktimin e masave konkrete për parandalimin e përhapjes së shkaktarit të sëmundjes si dhe mbrojtjen e fermerëve, si më të rrezikuar nga kjo sëmundje vdekjeprurëse.
Një analizë e mirëfilltë për shkaktarin e etheve hemorragjike - Krime Kongo, duket se nuk është bërë asnjëherë, deri sivjet, në komunat që janë më të rrezikuara. Kjo u ka kushtuar edhe me jetë qytetarëve. Ndërkohë, një hulumtim një vjeçar në komunat e Kosovës, i bërë nga Dr.sc. Kurtesh Sherifi, profesor i Parazitologjisë me Sëmundje Invazive dhe Ligjshmëri Veterinare, në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, tregon përhapjen e llojeve të rriqrave dhe shkaktarin kryesor të etheve hemorragjike.
Ai thotë për portalin “Ferma Ime”, se në vitin 2012 – 2013, në tetë komuna të Kosovës, janë grumbulluar mbi 1000 mostra të rriqrave. “Gjatë dy viteve të fundit, ne kemi bërë një analizë duke mbledhur mostra në tetë komuna dhe në njerëz që janë pickuar nga rriqrat. Në Malishevë kemi marrë 242 mostra, Klinë 208 mostra, Suharekë 161 mostra, Gjilan 92 mostra, Prishtinë 127 mostra, Podujevë 77 mostra dhe në Kaçanik - Hani i Elezit 108 mostra. Po ashtu edhe nga pacientët e pickuar janë marrë 25 mostra të rriqrave, janë futur në ngrirje të thellë në minus 80 °C, dhe janë analizuar në laborator për identifikimin e tyre në gjini dhe lloje”, tha Sherifi.
Pas analizave dhe hulumtimeve që janë bërë, del se përhapja e llojit Hyalomma marginatum, që njihet si vektor potencial i transmetimit të virusit të Etheve Hemorragjike Krime – Kongo, është i përhapur në dy komuna të Kosovës. Profesor Sherifi, thotë se identifikimi i tyre është bërë me anë të stereomikroskopit binokular dhe janë evidentuar këto rezultate.
“Në komunën e Malishevës janë analizuar 242 mostra ku 238 ose 98% ishin Hyalomma marginatum, 3 ose 1% Ixodes ricinus dhe 1 ose 0.5% Rhipicephalus spp. Në Komunën e Klinës janë analizuar 208 mostra ku 159 ose 76.4 % ishin Hyalomma marginatum, 48 ose 23% ishin Ixodes ricinus dhe 1 ose 0.6% Rhipicephalus spp. Në Komunën e Suharekës janë analizuar 161 mostra ku 158 ose 98% ishin Hyalomma marginatum, dhe 3 ose 2% Ixodes ricinus”, thekson raporti.
“Në Gjilan, nga 92 mostra të analizuara rezultuan 59 ose 64% me Hyalomma marginatum, 30 ose 33% Ixodes ricinus dhe 3 ose 3% me Ripicephalus spp. Në komunën e Prishtinës janë analizuar 127 mostra, nga të cilat 113 ose 89% rezultuan Ripicephalus spp. dhe 14 ose 11% Dermacentor spp. Në komunën e Podujevës, nga 77 mostra të analizuara rezultuan 57 ose 74% Ixodes ricinus, 18 ose 23% Dermacentor spp. dhe 2 ose 3% Ripicephalus spp. Në komunën e Kaçanikut, nga 86 mostra të analizuara rezultuan 83 ose 97% Ixodes recinus dhe 3 ose 3% Ripicephalus spp. Në komunën e Hanit të Elezit nga 22 mostra të analizuara rezultuan 3 ose 14% Hyalomma marginatum, 10 ose 45% Ixodes ricinus dhe 9 ose 41% Ripicephalus spp’”, thotë raporti për përfshirjen e rriqrave në Kosovë.
Pos nëpër komuna, pjesë e hulumtimit kanë qenë edhe personat e hospitalizuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, që po ashtu vinin nga komuna të ndryshme. Nga 25 pacient të pickuar me rriqra u evidentuan këto rezultate: 24 ose 96% ishin Ixodes ricinus dhe 1 ose 4% Ripicephalus spp.
Prof. Kurtesh Sherifi shpjegon se deri në fund të vitit këto mostra të rriqrave do të analizohen për detektim të ARN-së së virusit të Etheve Hemorragjike Krime – Kongo me anë të analizave molekular-biologjike (RT-PCR).
Si pjesë e hulumtimit autori ka propozuar këto rekomandime: “Dezinsektim të kafshëve shtëpiake në rajonet endemike, në periudhën prill-maj (me preparatin me te mire ne treg: psh DELTAMETHRIN). Të gjithë pronarët e kafshëve dhe ata që i therrin ato, duhet të kenë kujdes në kontakt me gjakun e tyre. Përdorimi i repellenteve ose akaricideve (preparate kundër rriqrave) nga personat e rrezikuar psh me “DEET – Dietyltoluamid“.
Vepron deri në 4 ore nga thumbimi i rriqrës pas lyerjes në lëkurën e zbuluar te njeriu. Përkrahje me hulumtime shkencore nga institucionet tona lidhur me epidemiologjinë e kësaj sëmundjeje, si në kafshë, rriqra dhe njerëz”.
Në klinikën infektive të QKUK-së, ndodhen të shtrirë tre paciente të pickuar nga rriqrat. Dr. Sali Ahmeti, infektolog, thotë se rastet janë konfirmuar edhe virologjikisht ku në mostrat e gjakut që janë marrë nga pacientët është gjetur gjenomi i virusit. “Prej tyre njëri është në gjendje më të rëndë shëndetësorë ndërsa dy të tjerët janë gjendje të qëndrueshme dhe stabile dhe aktualisht nuk iu kanoset ndonjë rrezik që t'ju keqësohet gjendja”. Gjatë këtij viti nga ethet hemorragjike në Kosovë kanë vdekur 6 persona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat