Kërkojnë raport për zgjedhjet në veri

Lajme

Kërkojnë raport për zgjedhjet në veri

Më: 8 nëntor 2013 Në ora: 14:18

Komisioni për siguri i Kuvendit të Kosovës kërkon nga institucionet e sigurisë që të jenë më të përgatitura në aspektin e sigurisë në veri, sidomos me 17 nëntor kur do të ketë rivotim në veri. Anëtarë të komisionit dënojnë hyrjen e individëve të cilët cenojnë integritetin territorial të vendit dhe mendojnë se edhe Policia e Kosovës ka kapacitete të mbajë rendin dhe ligjin edhe në veri të vendit.

Komisioni për Siguri dhe Punë të Brendshme të Kuvendit të Kosovës ka shtuar si pikë në rend dite situatën e sigurisë në veri. Me qëllim që të mos përsëritet gjendja e krijuar gjatë zgjedhjeve të tre nëntorit, anëtarë të Komisionit kërkuan përgatitje më serioze në ditën e rivotimit me 17 nëntor. Ahmet Isufi kryetari i Komisionit tha se është dashur masa më adekuate nga mekanizmat e sigurisë në veri me qëllim të parandalimit të veprimeve të grupeve ekstremiste atje.

“Kërkesë e jona si komision është që institucionet e sigurisë me 17 nëntor të jenë më të përgatitura më mënyrë që procesi zgjedhor atje të shkojë në mënyrë normale të parashikuara sipas KQZ dhe të mbikëqyrura nga OSBE dhe të kemi një zhvillim normal atje, në mënyrë që Kosova në tërësinë e vetë të ketë krijim të institucioneve të veta në bazë të votës së lirë dhe funksionin normal të shtetit të Kosovës”, tha ai.

Vjollca Krasniqi anëtare e Komisionit për Siguri nga LDK tha se kjo situatë ka qenë e pritshme, por në këtë rast kanë dështuar institucionet e sigurisë.

“Ne kemi dështua si shtet për organizim në zgjedhje në veri. Konkretisht kanë dështuar institucionet e sigurisë, si ato vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare”,tha ai.

Ndërsa Fatmir Xhelili nga PDK- nuk e fajëson Policinë e Kosovës për dështimin e këtij procesi, por kërkon informata shtesë nga policia dhe EULEX-i se çfarë ka ndodhur atë ditë.

“Për të qenë korrekt, nuk kemi qenë të informuar ashtu në detaje dhe arsyet e mos intervenimit të policisë atje nuk i dimë për atë kërkuam informata shtesë nga policia dhe EULEX-i. Ndoshta është neglizhuar dhe po shihet se është neglizhim në bazë të deklaratave të qytetarëve dhe njerëzve që merren me politikë atje. Mirëpo jemi të interesuar të dimë qëllimet dhe arsyet pse s’është intervenuar me kohë dhe pse personalisht besoj se policia dhe EULEX kanë pasur kapacitet të mjaftueshëm që atje të intervenojnë”,tha ai.

Se ka kapacitete për ndërhyrje thotë edhe Rexhep Selimi nga Vetëvendosje, por për një gjë të tillë duhet vullnet i qeverisë.

“Policia gjithmonë reagon është pjesë e zinxhirit komandues të udhëhequr nga qeveria. Ky vullnet dhe kjo kërkesë nuk erdhi nga eprorët e tyre. Nëse do të vinte nga eprorët e tyre policia do të reagonte dhe kam shumë besim te Policia e Kosovës. Por ajo nuk mund të reagojë krye në veti. Këto kapacitet do të duhej t’i merrte në veprim Qeveria e Kosovës gjë të cilën nuk po e bënë”, tha Selimi.

Komisioni pret që deri me 13 nëntor EULEX-i dhe Policia e Kosovës, të informojnë se çfarë ka ndodhur në veri dhe a kanë marrë seriozisht pjesën veriore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat