"Ballistët dhe “Shvercerat” me Kumanovën

Lajme

"Ballistët dhe “Shvercerat” me Kumanovën

Më: 12 maj 2015 Në ora: 09:58

Grupet e tifozëve të FC Shkupi dhe Shkëndijës nga Tetova, “Shvercerat” dhe “Ballistët” kanë organizuar një aksion humanitar për familjet shqiptare të prekura nga luftimet dy ditore në Kumanovë, respektivisht në “Lagjen e Trimave”. Të dyja grupet në faqet e tyre zyrtare ftojnë qytetarët që të kontribuojnë për mbledhjen e të hollave. “Të nderuar, shoqata e tifozëve ‘Ballistët’ Tetovë 1992 organizon aksion humanitar për familjet e prekura nga konflikti që ndodhi ditët e kaluara në Kumanovë. Qëllimi i këtij aksioni është që sa do pak të ndihmohen familjet shqiptare që u dëmtuan gjatë incidentit. Ditën në vijim do të shpallim mënyrat për të marrë pjesë në këtë aksion humanitar. Edhe ndihma më e vogël është e mirëpritur. Me respekt, Ballistët Tetovë 1992”, thuhet në kumtesën e grupit kuqezi. “Prej sot, me fillim në ora 12:00 ‘Shvercerat Shkup’ filluan aksionin për mbledhjen e të hollave për t'i ndihmuar familjet e dëmtuar në Kumanovë. Stenat ku do të mund të dorëzohen të hollat janë vendosur në afërsi të QT ‘Çaricanja’ dhe në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Ju presim. Ne luftojmë për Shkupin, ta nderojmë Shqipërinë”, thonë nga grupi shkupjan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat