Merkel do të trondis serbët!

Lajme

Merkel do të trondis serbët!

Më: 8 korrik 2015 Në ora: 10:59

Kancelarja Angela Merkel ka vendosur që vizitën në Ballkan ta fillojë në kryeqendrën e miqve të saj, në Tiranë. Shqiptarët gjithmonë kanë treguar afeksion për Gjermaninë, një besim të palëkundur thuaja, për dallim prej fuqive të tjera europiane ndaj të cilave kanë qenë shumë më të ndrojtur.
Ardhja e kancelares gjermane po ashtu është e para në Shqipëri, dhe kjo i jep një peshë të veçantë momentit se kur bëhet kjo. Shqiptarët kanë filluar një ringritje të madhe ekonomike e politike, por kriza botërore ka frenuar zhvillimin e shpejtë, të nisur para disa vitesh. Kjo ka detyruar shumë shqiptarë, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Shqipëria t’ia mësyjnë perëndimit, shumica absolute e të cilëve kryekëput shkon në Gjermani, si vend kampion i preferencës, por edhe si simbol i zhvillimit ekonomik në Europë.
Kjo është vetëm dimensioni utilitar i relacionit të shqiptarëve me Gjermaninë. Por, nëse i referohemi historisë, dalin sërish gjermanët dhe austriakët, ata të cilët e kanë ndihmuar ngritjen kulturore dhe politike të shqiptarëve, dhe si rezultat i kësaj mbështetje u krijua edhe shteti i parë shqiptar i njohur si Shqipëria londineze, duke lënë jashtë shumicën e territoreve për të cilat kishin luftuar shqiptarët.
Gjermanët janë të pakompromis edhe në kërkesat e tyre të tashme. Ata duan që në të dyja shtetet shqiptare të mbizotërojë shteti ligjor, demokracia dhe që vendet ti qasen më shpejt zhvillimit të njëmendët ekonomik.
Në fakt këto parime përveç se ndihmojnë në rrugën e integrimit në BE, ato janë parakusht për të përfituar ndihma më të mëdha ekonomike, e veçmas për të përfituar investime. Kjo pak a shumë iu e qartë edhe kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, gjatë pritjes solemne që ia bëri kancelarja Merkel, ditë më parë, që po ashtu ishte e para pritje për një kryeministër të Kosovës.
Por, për shqiptarët thuaja mesazhet më të rëndësishme që presin janë ato gjeopolitike, qasjen që do të ketë Gjermania ndaj vendeve në Ballkan. A do të pranojë Gjermania, që Beogradi të jetë një kryeqendër ballkanike, dhe që shqiptarët të mbesin sërish në fund të listës së Europës?! A do të tolerojë Gjermania qasjen sfiduese të Serbisë jo vetëm për Kosovën, por edhe për BE-në duke mos njohur shtetin e Kosovës, por edhe duke ushtruar luftë të vazhdueshme speciale për ta shkatërruar?! A do të lejojë Gjermania si superfuqi e BE-së, që Serbia ta trazojë Kosovën dhe Ballkanin nëpërmjet luftës speciale me ISIS-in dhe radikalizmin islamik përgjithësisht, dhe që gjithmonë Serbia të jetë kërcënuese e paqes në Ballkan, dhe autore e krimeve dhe gjenocideve?!
Shqiptarët besojnë se Merkel ka fuqinë dhe momentin, që serbëve t’ua bëjë të qartë përgjegjësinë për gjenocidet në Ballkan, dhe se pavarësia e Kosovës është punë e kryer, dhe se ambiciet ndaj Kosovës duhet të marrin fund, dhe se ata nuk mund të jenë ‘xhandari’ i Ballkanit. Kjo është tronditja që presim të ndodhë për serbët! I. M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat