Merkel - azilkërkuesve nga Kosova: Gjeni punë, rrini në Gjermani

Lajme

Merkel - azilkërkuesve nga Kosova: Gjeni punë, rrini në Gjermani

Më: 7 shtator 2015 Në ora: 19:22

“Ne kemi lënë pas një fundjavë të ngarkuar, intensive”, ka thënë Kancelarja gjermane Angela Merkel për gjendjen të hënën në mëngjes në kancelari, dhe me këtë ajo ka parasysh jo vetëm mbërritjen e rreth 20.000 refugjatëve të shtunën dhe të dielën në Gjermani, por edhe faktin, se vala e atyre që kërkojnë mbrojtje dhe ndihmë nuk do të pakësohet së shpejti.
Si duhet të veprojë vendi, si mund të strehohen qindra mijëra vetë, të përkujdesen, por edhe të integrohen? Për këtë u konsultuan të dielën (06.09) në mbrëmje në zyrën e kancelares kryesitë e dy partive të koalicionit qeveritar unioni konservator i kristinademokratëve e kristiansocialëve (CDU/CSU) dhe partia socialdemokrate (SPD). Të nesërmen Angela Merkel dhe Sigmar Gabriel dolën para shtypit për t'iu përgjigjur pyetjeve.
“Unë besoj, se dje ka qenë ndoshta një prej takimeve më të rëndësishme të komisionit të koalicionit”, tha kryetari i SPD-së, i cili fluksin e refugjatëve e cilëson si “sfidën më të madhe që pas ribashkimit”. Kancelarja bën fjalë për “mobilizim forcash” dhe për “përballim krize”, por edhe për “përgjegjësi” dhe “solidaritet”.
Lista e të ashtuquajturve “vende të sigurta të origjinës” do të zgjerohet edhe me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Azilkërkuesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor parimisht do të pranohen në strehimoret e pranimit fillestar në Gjermani, ku me mbështetjen e federatës do të krijohen edhe 150.000 vende të sigurta për dimrin. Por koha e qëndrimit të refugjatëve në këto qendra do të zgjatet nga tre në gjashtë muaj, e po për aq kohë do të vlejë edhe detyrimi për largimin nga Gjermania.
Personat, të cilëve u refuzohet kërkesa për azil, në të ardhmen do të dëbohen më shpejt drejt vendlindjes.
“Kushdo që ka detyrim të largohet, duhet vërtetë edhe të largohet nga vendi ynë”, u shpreh kancelarja, e cila deklaroi gjithashtu, se do të pakësohet ndihma sociale për ata “që janë të detyruar të largohen” nga Gjermania. Por nga ana tjetër qeveria planifikon një lloj “mini ligj-emigracioni” për njerëzit nga shtetet e Ballkanit. Kush mund të dëshmojë që ka një vend pune apo një vend për kualifikim profesional edhe nga këto vendet mundet të punojë tek ne”, tha kancelarja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat