Hollande: Sulmet janë kryer nga Shteti Islamik

Lajme

Hollande: Sulmet janë kryer nga Shteti Islamik

Më: 14 nëntor 2015 Në ora: 12:08

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se sulmet në Paris kanë vrarë 127 persona dhe se janë kryer nga ekstremistët e Shtetit Islamik.

Duke i cilësuar sulmet si “akt të luftës”, Hollande ka thënë se ato janë planifikuar dhe organizuar nga jashtë, me ndihmë brenda Francës.

Si pasojë e sulmeve të shumëfishta, Franca ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare dhe ka forcuar kufijtë e saj.

Sulmuesit kanë përdorur bomba vetëvrasëse dhe armë, si dhe kanë brohoritur slogane islamiste.

Rreth tetëdhjetë njerëz janë vrarë kur sulmuesit kanë hyrë në sallën e koncerteve Bataclan dhe kanë marrë pengje.

Njerëzit janë qëlluar për vdekje në restorante dhe bare në pesë lokacione të tjera në Paris. Sulme të dyfishta vetëvrasëse ka pasur edhe pranë stadiumit kombëtar Stade de France, ku Gjermania dhe Franca kanë qenë duke luajtur ndeshje miqësore.

Në stadium kanë qenë të pranishëm presidenti i Francës, Hollande, ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, të cilët janë evakuuar menjëherë.

Tetë sulmues raportohet se janë vrarë, shtatë nga të cilët kanë hedhur veten në erë. Sipas policisë, nuk është ende e qartë nëse ndonjë bashkëpunëtor i sulmuesve është në arrati.

Këto janë sulmet më vdekjeprurëse në Evropë që nga bombardimet në Madrid, në vitin 2004.

Rreth 1,500 ushtarë francezë janë shpërndarë nëpër Paris, ndërsa banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.

Të gjitha shkollat, bibliotekat, palestrat, pishinat dhe tregjet do të qëndrojnë sot të mbyllura, ashtu si edhe Disneyland. Të gjitha ndeshjet sportive në zonën e prekur të Parisit po ashtu janë anuluar.

Liderët botërorë i kanë dënuar ashpër sulmet.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka përshkruar ato si “sulm ndaj të gjithë njerëzimit dhe vlerave universale që ndajmë”.

“Ata që mendojnë se mund të terrorizojnë popullin e Francës apo vlerat e tij, gabojnë. Populli amerikan ka marrë forcë nga angazhimi i popullit francez për jetë, liri dhe ndjekje të lumturisë”, ka thënë Obama.

“Do të bëjmë gjithçka që mund të bëjmë për të ndihmuar”, është zotuar kryeministri i Britanisë, David Cameron.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se sulmet nuk mund të përshkruhen me vlera humanitare dhe morale.

“Dua t’i shpreh ngushëllime homologut tim, Hollande, dhe popullit francez për humbjet e tyre. Shpresoj që të plagosurit do të shërohen shpejt”, ka thënë Erdogan.

Vatikani, ndërkaq, i ka përshkruar sulmet si goditje mbi paqen dhe gjithë njerëzimin.

Në muajin janar, ekstremistët islamistë kanë vrarë 18 persona në dhe përreth Parisit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat