NATO sfidoi Rusinë, Kremlini: Do të përgjigjemi ashpër!

Lajme

NATO sfidoi Rusinë, Kremlini: Do të përgjigjemi ashpër!

Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 13:41

NATO ka sfiduar hapur Rusinë e Vladimir Putin. Aleanca atlantike ka ftuar Malin e Zi për t’iu bashkuar organizatës. Një vendim që është formalizuar në hapjen e ditës së dyte të ministerialit të jashtëm që po mbahet në Bruksel. Pas negociatave për hyrjen dhe më pas ratifikimin e parlamentarëve të 28 shteteve anëtare, Mali i Zi do të bëhet anëtari i 29=të i NATO-s, pavarësisht kundërshtimit të vazhdueshëm të Putinit.

Mali i Zi bëhet vendi i tretë ballkanik pas Kroacisë dhe Shqipërisë që hyn në NATO. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s deklaroi se zyrtarizimi i hyrjes së Malit të Zi mund të bëhet brenda 2017-ës. Kryeministri malazez Igor Lusiç deklaroi se “hyrja në NATO ndryshon politikën e vendit duke e shtyrë drejt rrugës së demokratizimit dhe është një hap i rëndësishëm për stabilizimin e Ballkanit”.

Ka qenë mjaft e egër përgjigja e Rusisë. Kreu i Këshillit të Federatës ruse tha se vendi i tij do të ndërpresë çdo marrëdhënie me Malin e Zi. Zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov shtoi se zgjerimi i NATO-s mund të bëjë që Rusia të ngrijë marrëdhëniet me Malin e Zi dhe të ndërpresë çdo program që po zhvillon me ta aktualisht.

“Sot Mali i Zi shndërrohet nga një vend mik në një rrezik potencial për sigurinë kombëtare të Rusisë”, tha Viktor Ozerov, presidenti i Komisionit të Mbrojtjes në Senatin rus.

Prej kohësh raporter mes NATO-s dhe Rusisë kanë qenë të tensionuara. Ministrat e Jashtëm të Aleancës në muajin prill të vitit të shkuar kanë ndërprerë çdo formë kontakti formal me Rusinë pas aneksimit të Krimesë në Ukrainë dhe konfliktit të armatosur në Ukrainën Lindore që ka sjellë mbi 8 mijë viktima.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat