AAK e NISMA për protestën e së shtunës: Më e madhja ndonjëherë

Lajme

AAK e NISMA për protestën e së shtunës: Më e madhja ndonjëherë

Më: 11 maj 2016 Në ora: 12:09

Partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, që u ndanë nga blloku me Vetëvendosjen për të nënshkruar një koalicion parazgjedhor mes tyre, po bëjnë përgatitje intenzive për protestën 14 majit, protestë kjo që sipas tyre do të jetë njëra nga më të mëdhatë që është mbajtur ndonjëherë në Prishtinë, pavarësisht se në mbështetje nuk e kanë partinë më të madhe opozitare.

Këto dy subjekte vlerësojnë se ka shumë arsye për të protestuar dhe se ata nuk do të zmbrapsen as për Demarkacionin me Malin e Zi, i cili u bë kusht nga Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave, edhe nëse kjo nënkupton rrezikimin e lirimit nga izolimi të qytetarëve të Kosovës.

Pavarësisht se bllokut opozitar iu shkëput Lëvizja Vetëvendosje për siç u tha, ndryshim konceptesh, AAK e NISMA theksojnë se janë të vendosura që të punojnë për ndryshimin e gjendjes aktuale.

Zëdhënësi dhe anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj në një prononcim për lajmin, shprehet i bindur se protesta e së shtunës do të jetë një nga më të mëdhatë që është mbajtur në mend të ketë ndodhur në Prishtinë.

Madje arsyet se përse duhet protestuar këtë të shtune, thotë se janë të shumta.

“Protesta e së shtunës, besojmë ne, do të jetë njëra prej protestave më të mëdha të mbajtura ndonjëherë në Prishtinë. Kjo është një protestë përtej partive politike, sepse arsyet për të protestuar, janë më të forta.

Gjithnjë në funksion të përgatitjeve, strukturat e AAK-së dhe të Nismas, kanë takuar mijëra qytetarë, por edhe simpatizantë dhe anëtarë të këtyre partive. Ka plot arsye pse duhet protestuar, por fakti se krimi dhe korrupsioni janë bërë kancer i shtetit, që papunësia dhe varfëria, e kanë emrin Kosovë, që një bandë pushtetarësh prej 5-60 vetash e kanë kapur shtetin dhe se qeveria për me mbrojtur veten, ka lidhë marrëveshje në kundërshtim me kushtetutën, janë më tepër se sa të mjaftueshme”, pohoi Nitaj.

Duke ditur qëndrimin e tyre dhe gjithë ‘luftën’ që u bë për disa muaj radhazi në Kuvendin e Kosovës ku nuk mungoi gazi e hedhja e gjësendeve të ndryshme për Demarkacion dhe Asociacion, Nitaj sqaron se Demarkacioni nuk mund të jetë kusht për asgjë.

“Kufiri i shtetit është kufi i shtetit dhe ai nuk mund të shndërrohet në kufi të mahallave. Kufiri duhet të kthehet në kufi dhe kjo do të jetë e pa ndryshueshme”, shpjegoi ai.

Qëndrim të njëjtë sa i përket Demarkacionit ka edhe Nisma për Kosovën. Edhe ky subjekt pranon se janë bërë të gjitha përgatitjet për protestën e së shtunës. Madje gjatë ditës së sotme thonë se kanë takim me struktura të Nismës dhe të AAK-së në Klinë, Burim dhe Pejë.

Këtë e ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Nismas për Kosovën, Valdete Bajrami.
“Ne edhe sot kemi takime me strukturat të Nismës dhe të AAK-së në Klinë, Burim dhe Pejë me qëllim që të njoftohen edhe strukturat dhe qytetarët për proteste. Pregatitjet janë bërë dhe ajo do të mbahet me 14 maj. O sot ka arsye të pa numërta për të protestuat o kurr, duke e parë që nga pas lufta nuk ka qenë Kosova më rënd dhe më keq dhe kjo falë kësaj qeverie jolegjitime, qeveri e cila nënshkruan marrëveshje të dëmshme për vendin, qeveri e cila për asnje moment nuk ka punuar për qytetarët dhe për shtetin por ka punuar dhe po vazhdon të punoj për interesat e Beogradit dhe interesa individuale”, tha Bajrami.

Bajrami vlerëson se është koha që kjo Qeveri aktuale të shkojë sa më parë dhe vendit e qytetarëve t’ju ofrohen zgjedhjet e parakohshme.

Kjo është protesta e parë që pritet të mbahet këtë të shtune, pas ndarjes së partive opozitare, LVV-AAK-NISMA . Vetëvendosje nuk do t’i bashkohet kauzës së AAK-së e Nismas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat