Marrëveshja e heshtur e Thaçit me banorët e Grackës për vizitën 5 minutëshe

Lajme

Marrëveshja e heshtur e Thaçit me banorët e Grackës për vizitën 5 minutëshe

Më: 23 korrik 2016 Në ora: 23:46
Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi ra në tri gracka kur të enjten vendosi kurora lulesh tek memoriali i 17 viktimave serbe në fshatin Grackë të Lipjanit, por rrëfimet e banorëve të fshatit kanë zbuluar se si ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së i ka futur vet në grackë banorët e Grackës.

Në një rrëfim për mediat e Beogradit, kryeplaku i katundit Grackë të Lipjanit, Zoran Çirkoviq, ka zbuluar detajet e arritjes së marrëveshjes së heshtur mes banorëve dhe presidentit Thaçi, për realizimin pa probleme të vizitës së tij nderuese ndaj viktimave serbe, të vrara fill pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Ajo çfarë dihej deri më tani nga kjo vizitë të cilën Thaçi nuk e ka postuar as në profilin e tij në Facebook gjë që e bënë për secilin aktivitet, është se një këshilltar i tij kishte biseduar me banorët dhe vet Çirkoviqin, nëse Thaçi mund të takohej me familjarët.

Përtej fakteve sikurse ajo që Thaçi u përkul para një memoriali në të cilën shkruhej “viktima të terrorit shqiptar”, homazhet e tij në fshatin Grackë kanë pasur një organizim tjetër.

Kërkesa e këshilltarit të Thaçit, identiteti i të cilit nuk është zbuluar as nga Çirkoviq, sipas tij, kishte të bënte me pjesëmarrjen e presidentit në ceremoninë zyrtare të familjarëve të viktimave dhe banorëve të fshatit Grackë.

“Asnjë nga familjarët dhe banorët nuk e kanë pranuar këtë”, thotë Çirkoviq, për “Blic”.

Por, në të njëjtën kohë, sipas tij, familjarët dhe banorët u pajtuan që “t’i lenin dyert e hapura” për presidentin.

“Ne nuk mund të pajtoheshim me këtë vizitë, por as nuk kemi mundur ta ndalojmë. Në këtë mënyrë kemi lënë dyert e hapura për të sepse ishte zyrtari i parë nga Prishtina, i cili dëshironte të vinte këtu. Ne u pajtuam që vizita e tij të ndodhte pas mbledhjes përkujtimore”, ka thënë Çirkoviq, raporton Insajderi.

Dhe Thaçi e kishte respektuar këtë kërkesë.

“Ai erdhi, vendosi një kurorë me lule, bëri një deklaratë për mediat që ishin me të dhe shkoi. E gjithë kjo ka zgjatur jo më shumë se 5 minuta”, rrëfen Çirkoviq

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat