Natasha Kandiq mbështet Thaçin: Ai na befasoi, i la prapa Vuçiqin dhe Nikoliqin

Lajme

Natasha Kandiq mbështet Thaçin: Ai na befasoi, i la prapa Vuçiqin dhe Nikoliqin

Më: 24 korrik 2016 Në ora: 16:48
Hashim Thaçi

Ish-drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, në një intervistë për të përditshmen beogradase “Danas“, ka thënë se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me vendosjen e kurorës me lule në pllakën përkujtimore kushtuar 14 qytetarëve të Kosovës nga radhët e komunitetit serbë, të vrarë menjëherë pas luftës, 17 vite më parë, në fshatin Grackë të Lipjanit, ka lënë prapa kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe Presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliq.

Kandiq ka thënë se veprimi i Thaçit mund të mos ketë bërë jehonë si “çelës i pajtimit”, por se është me rëndësi që nuk janë dëgjuar britma nga Serbia kundër këtij gjesti të Thaçit.

“Më kanë befasuar fjalët e Thaçit. Ai nuk ka thënë se ‘po vendos kurore lulesh viktimave serbe dhe tani pres që edhe kryeministri serb të vendosë lule viktimave shqiptare’, ka thënë Kandiq për Danas, duke theksuar se “ai ka bërë një hap para në krahasim me kryeministrin serb dhe presidentin serb”.

Ish-drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare ka thënë se as përfaqësuesit e mëhershëm të Serbisë, kryetarët, kryeministrat dhe Kuvendi, nuk i kanë pranuar faktet e tranzicioneve të suksesshme, sipas të cilave, përballja me të shkuarën fillon me “njohjen e pakushtëzuar të viktimave të tjera”.

Ajo rikujton edhe Deklaratën e tetorit 2010 për dënimin e krimeve ndaj popullit serb dhe thirrjen e bërë parlamenteve të shteteve të tjera nga rajoni që të dënojnë krimet dhe të shprehin nderim ndaj viktimave serbe.

Kandiq ka thënë se në Serbi ekziston një vend për të cilin pa dyshim e dimë se është vendi i kryerjes së krimit ndaj shqiptarëve të cilët sipas së drejtës ndërkombëtare dhe ligjeve vendore kanë pasur status të personave të mbrojtur – fshati Petrovo, kampi policor në të cilin janë pushkatuar tre vëllezërit Bytyqi.

Në fshatin Petrovo nuk ka një pllakë përkujtimore në të cilën shkruan se aty, me urdhër të institucioneve më të larta të Serbisë, janë pushkatuar tre të rinj, shqiptarë, shtetas amerikanë, të cilët i kanë ndihmuar familjes së rrezikuar rome të kalonte nga Kosova në Serbi. Ajo ka thënë se kanë kaluar 17 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi dhe se nuk është vonë që kryetari ose kryeministri serb, apo të dytë, të vendosin kurorë lulesh në vendin e kryerjes dhe fshehjes së krimit ndaj shqiptarëve, si dhe që kjo të bëhet pa shumë fjalë.

“Është e saktë se përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë tregojnë dhembshuri ndaj viktimave boshnjake, kurse raporti ndaj viktimave shqiptare është i ftohtë, por shpeshherë edhe i pakëndshëm. Jetët e viktimave shqiptare janë më pak të vlefshme sesa jetët e serbëve, por edhe boshnjakëve – kjo ndjehet në deklaratat e politikanë serbë”, ka thënë Kandiq, e cila përfundoi duke thënë se edhe pse askush nga politikanët serbë nuk thotë se “të gjitha ata është dashur t’i vrasim”, gjithmonë dyshoj se këtë e kanë në kokat e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat