Ishte dënuar në Itali për prostitucion, sekuestrohen pronat e biznesmenit të njohur

Kronikë e zezë

Ishte dënuar në Itali për prostitucion, sekuestrohen pronat e biznesmenit të njohur

Më: 2 gusht 2016 Në ora: 14:24
Ilustrim

Gjykata ka sekuestruar dyqane e troje në Tiranë e në Elbasan, si dhe dy shoqëri private në emër të shtetasit Arben Lamçe dhe personave të lidhur me të, në kuadër të ligjit “antimafia”. E gjitha është bërë me kërkesë të Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Shtetasi Lamçe është dënuar në Itali me 14 vjet burgim, për akuzat e shfrytëzimit të prostitucionit. Ai është arrestuar në Elbasan dhe ekstraduar në vitin 2011, në shtetin italian, ku kërkohej për të vuajtur dënimin e dhënë nga Gjykata e Breshias.

Menjëherë pas ekstradimit, Prokuroria e Elbasanit nisi fillimisht hetimin për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale”, pasi rezultoi se në emër të tij kishte disa prona të paluajtshme dhe shoqëri tregtare. Por, Prokuroria e Elbasanit u detyrua të pushojë hetimet ndaj Arben Lamçes, për shkak se nuk mbërritën letrat e porosisë nga autoritetet italiane, në lidhje me të dhëna për fitimet e tij nga aktiviteti i paligjshëm.

Gjithsesi, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimin ndaj të dënuarit, në kuadër të ligjit të njohur si “antimafia”. Në bazë të ligjit në fjalë, personat që dyshohet se kanë krijuar pasuri nga aktiviteti kriminal, janë të detyruar të justifikojnë pasurinë në mënyrë të ligjshme.

Nga hetimet e prokurorisë, rezulton se Arben Lamçe shumë prona i kishte kaluar në emër të mikut të tij, shtetasit A.O.  Në këto kushte, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar sekuestrimin e disa pasurive të paluajtshme.

Gjykata për Krimet e Rënda e ka pranuar kërkesën dhe ka sekuestruar një sërë asetesh të Arben Lamçes, që përfshijnë dyqane, truall dhe shoqëri tregtare. Asetet e tij ishin të përqendruara në Tiranë dhe në Elbasan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat