Zbulohet lista e "spiunëve" të SHISH, ja shtetet ku ata shërbejnë

Lajme

Zbulohet lista e "spiunëve" të SHISH, ja shtetet ku ata shërbejnë

Më: 22 gusht 2016 Në ora: 19:18
Ilustrim

Një pakujdesi e Shërbimit Informativ Shtetëror ka zbuluar shtetet ku vendi ynë ka “spiunë”. Në një situatë normale të dhëna të tilla do duhet të mbaheshin sekrete por këto të dhënë ndodhen të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik.

Sipas dokumenteve, SHISH ka hapur një tender për “për blerje sigurimi shëndetësor”. Fondi limit është 2 milionë lekë të reja dhe kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 12 muaj. Subjektet e interesuara kanë kohë deri më 31 gusht të paraqesin ofertë.

Në dokumentet që shoqërojnë këtë prokurim ndodhet edhe numri i personelit të Shërbimit Informativ të Shtetit në përfaqësitë diplomatike. Në Kosovë është një koordinator, ndërsa ai shoqërohet nga 3 pjesëtarë të familjes.

Në Belgjikë janë dy koordinatorë, ku njëri ka dy pjesëtarë në familje dhe tjetri një. Një tjetër punonjës i SHISH është në Serbi, i cili ka në përbërje familjare një person. SHISH ka nga një punonjës edhe në Itali e Greqi. Këta nuk kanë familjare me vete. Ndërkohë, në Maqedoni, është një tjetër punonjës, i cili ka katër pjesëtarë në familje.

Gjithsej, Shërbimi ka 7 koordinatorë, të cilët, në total, kanë 11 pjesëtarë familje. SHISH ka kërkuar që 18 personat në fjalë tu sigurohet shëndeti. Nga 18 personat që ndodhen në këto seli diplomatike, 6 persona janë të moshës nga 1-18 vjeç. Dy janë të grupmoshës nga 19-39, 9 janë të grupmoshës 40-49 vjeç dhe një punonjës është i grupmoshës nga 50-65 vjeç.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat