Policia jep detaje për sulmin ndaj RTK-së

Lajme

Policia jep detaje për sulmin ndaj RTK-së

Më: 23 gusht 2016 Në ora: 10:19
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka dhënë detaje shtesë, lidhur me sulmin e mbrëmshëm tek objekti i Radio Televizionit të Kosovës (RTK-së), ku është raportuar për një shpërthim që dyshohet se është kryer nga mjeti shpërthyes granatë dore.

Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës me njësitet  e saj policore, duke përfshirë edhe ato të specializuara ka reaguar menjëherë duke ndërmarr veprime të shpejta operacionale dhe hetimore lidhur me rastin.

 “Fillimisht është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes dhe më pastaj janë kryer procedurat e mëtutjeshme policore, duke përfshirë kontrollimin e hapësirës, mbledhjen e dëshmive dhe provave materiale, në bazë të të cilave dyshohet se në pjesën e prapme, anash objektit të RTK-së ka shpërthyer mjeti i dyshuar granat dore. Policia e Kosovës në konsultim me prokurorin kompetent i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, duke kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes, i cili ka zgjatur deri në orën 08:50 të ditës së sotme (23.08.2016), dhe rasti është iniciuar si “Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm”. Në bazë të informacioneve të deritanishme nuk raportohet për ndonjë person të lënduar”, thuhet në njoftim të Policisë.

 Më tej, thuhet se Policia është duke punuar në analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante, duke përfshirë kamerat e sigurisë, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së kryerësit/ve të këtij rasti.

 “Njëkohësisht Policia e Kosovës fton të gjithë personat apo qytetarët të cilët posedojnë ndonjë informacion lidhur me rastin të njoftojnë Policinë e Kosovës”, thuhet në fund të njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat