Shuhet doktoresha oftalmologe Mihrije Spahija –Rukiqi

Lajme

Shuhet doktoresha oftalmologe Mihrije Spahija –Rukiqi

Më: 17 janar 2017 Në ora: 15:21
Mihrije Spahija –Rukiqi

Mantelbardhët e Klinikës së Syve në QKUK, sot patën ditë dhimbje dhe mërzie. Nga aty vetëm tre muaj më parë u pensionua një prej doktoreshave të para të kësaj Klinike, e cila ende pa e gëzuar pensionimin ndërroj jetë në ditën e sotme.

Mihrije Spahija –Rukiqi, doktoresha oftalmologe, një prej ligjërueseve më të dalluara në Fakultetin e Mjekësisë, vdiq pas një sëmundje të shkurtër.  E ndjera, sot u përkujtua me një mbledhje komemorative në sallën e madhe në Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë.

Të pranishëm ishin shumë kolegë, studentë, miq e bashkëpunëtorë të së ndjerës, të cilët ngushëlluan familjarët dhe përkujtuan veprën dhe punën e doktoreshës Spahija-Rukiqi.

Me një fjalë rasti, të pranishmëve iu drejtua bashkëshorti i së ndjerës, avokati i njohur Destan Rukiqi. Duke falënderuar të pranishmit, ai përkujtoi në disa çaste veprën dhe vullnetin e pashoq që zonja Spahija – Rukiqi kishte për njerëzit, kolegët dhe vendin.

Ndërkohë, në emër të kolegëve foli edhe Florim Zejnullahu, drejtor i Klinikës së Syve në QKUK.

“Lajmi ishte sa i rëndë aq i papritur. Ajo u nda nga ne dhe nga familja e saj e dashur, ende pa i mbushur tre muaj nga pensionimi. Kur shkoi në pension na mungoi shumë neve të gjithëve, si një mjeke me përvojë, e dashur dhe e afërt me të gjithë, e gatshme për të ndihmuar sidomos neve të rinjve, që mësuam jashtëzakonisht shumë prej saj”, tha Zejnullahu.

Ai tutje tha se e ndjera tashmë po i mungon pacientëve, të cilët ishin mësuar me kujdesin dhe këshillat e saj shumë të vyera. “Nga sot ajo do të na mungojë edhe më shumë. Dhe do t’i mungojë sidomos familjes së saj, që humbi një njeri të jashtëzakonshëm”, tha Florim Zjenullahu, drejtor i Klinikës së Syve.

Varrimi i doktoreshës Mihrije Spahija – Rukiqi do të bëhet nesër, në varrezat e qytetit në Prishtinë, Dragodan, në orën 14:00. Funerali niset nga shtëpia e të ndjerës në lagjen Marigona, në ora 13:00.

Mihrije Spahija – Rukiqi, u lind ne Prishtinë më 22 tetor 1951. Shkollimin fillor, atë të mesëm dhe Fakultetin e Mjekësisë i kreu në Prishtinë. Nga viti 1980 ka punuar në Klinikën e Syve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Doktoresha Spahija – Rukiqi në vitin 1983 kreu specializimin në Klinikën e syve “Rebo” në Zagreb të Kroacisë. Ndërkohë që vazhdoi studimet pasdiplomike në lëmin e oftalmologjisë në fakultetin e Mjekësisë në Zagreb. Në vitin 1987 u zgjodh asistente në lëndën e Oftalmologjisë në fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Punoi në Klinikën e Oftalmologjisë deri në ditën e pensionimit të saj, më 22 tetor 2016. Doktoresha Spahija – Rukiqi, la pas bashkëshortin Destan Rukiqi, vajzën Jetën dhe dy djemtë Milotin dhe Gencin. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat