Senatorët kërkojnë shpjegime për ndihmat në Shqipëri, Maqedoni

Lajme

Senatorët kërkojnë shpjegime për ndihmat në Shqipëri, Maqedoni

Më: 15 mars 2017 Në ora: 16:31
ilustrim

Një grup ligjvenësish amerikanë i kanë kërkuar Sekretarit amerikan të Shtetit Rex Tillerson sqarime për ndihmat amerikane në Maqedoni dhe Shqipëri.

Duke ngritur shqetësimin se ato mund të mos jenë në shërbim të interesave strategjike apo ekonomike amerikane, grupi i përbërë nga 6 senatorë, shumica anëtarë të Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, në letrën e tyre, që mban datën 14 mars theksojnë se “Ne kërkojmë që ju të përdorni autoritetin tuaj për të hetuar gjithë fondet amerikane që lidhen me nxitjen e demokracisë dhe mirë-qeverisjes dhe të rishikoni programet, llogaritë dhe shumëllojshërinë e organizatave të ndryshme amerikane që janë të përfsshira në këto aktivitete.”

Senatorët kërkojnë shpjegime mbi aktivitetin e misionit diplomatik amerikan në Shkup, pasi shprehen se kanë marrë “njoftime të besueshme se gjatë viteve të fundit ky mision ka ndërhyrë në mënyrë aktive në politikat partiake në Maqedoni, si dhe në zhvillime që u japin formë mjedisit mediatik dhe jetës civile në vend, shpesh herë në favor të forcave politike me kahje majtiste”.

Në letrën e tyre senatorët përmendin fondet e qeverisë amerikane të ndihmave që u janë akorduar shoqatave si Fondacionit Shoqëria e Hapur të biznesmenit George Soros. Senatorët ngrenë shqetësimin se përmes këtyre fondeve, Fondacioni Shoqëria e Hapur po mbështet një agjendë politike të grupeve të majta, ndërkohë që duhet të mbështesë politika që u shërbejnë interesave strategjike amerikane, pa shkaktuar dëme në marrëdhënie me vende ku përdoret kjo ndihmë.

Senatorët shprehen të shqetësuar lidhur me pretendimet që kanë dëgjuar “nga udhëheqës të respektuar në Shqipëri se diplomatë amerikanë dhe organizata të mbështetura nga Sorosi po i mëshojnë një objektivi politikë” atje. Në letrën e tyre senatorët ngrenë pretendimin se Zyra e Fondacionit Shoqëria e Hapur në Shqipëri, me ekspertët e saj, e mbështetur me fonde nga USAID, “ka krijuar Dokumentin Strategjik për Reformën e Gjyqësorit në Shqipëri. Disa udhëheqës në vend besojnë se këto ‘reforma’ kanë për synim t’i japin kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi sistemin gjyqësor,” thuhet në letër.

Senatorët paralajmërojnë se efektet destabilizuese të këtyre veprimeve janë të qarta dhe përbëjnë kërcënim për një shkallëzim të mëtejshëm të situatës në Shqipëri, ndërkohë që vendi përgatitet për zgjedhje.

Letra mban firmat e senatorëve Michael Lee, James Inhofe, Thom Tills, David Perdue, Ted Cruz dhe Bill Cassidy.

Fondacioni Shoqëria e Hapur, "Soros" u gjet nën kritika posaçërisht pas zgjedhjeve të dhjetorit në Maqedoni dhe reformës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Ish kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski e akuzoi miliarderin George Soros se financon Organizatat Joqeveritare, të cilat, sipas tij, "gjithë veprimtarinë e tyre e kanë të programuar kundër partisë së tij" VMRO-DPMNE.

Por drejtuesja e këtij fondi në Maqedoni Fani Karanfilova Panovska, tha më herët gjatë këtij viti se "Gruevski përmes ideve konspirative synon të sulmojë veprimin e sektorit civil për të penguar aktivitetet e Organizatave Joqeveritare të cilat kërkojnë përgjegjësi politike nga drejtuesit e institucioneve për keqqeverisje".

VMRO-DPMNE nuk arriti të krijojë qeverinë pas zgjedhjeve, ndërsa partia rivale, Lidhja Social-Demokrate e cila siguroi mbështetje të mjaftueshme për formimin e qeverisë, u refuzua nga presidenti Geroge Ivanov, për shkak të marrëveshjes së LSDM-së me partitë shqiptare ku përfshihej edhe platforma e kësaj force politike shqiptare për përdorimin e gjerë të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Ambasadori amerikanë në Shkup, Jess Baily, krahas përkushtimit për të mbështetur procesin e tejkalimit të situatës në Maqedoni, ritheksoi të mërkurën se vendimi i presidentit Ivanov, "nuk ishte një vendim i drejtë dhe mendojmë se ai do ta rishikojë atë".

Në Shqipëri, opozita e ka akuzuar fondacionin Soros, për siç u tha "dirigjim" të reformës në drejtësi.

Shefi i fondacionit "Soros" në Shqipëri, Andi Dobrushi, tha më herët se mbështetja që fondacioni i jep procesit të reformës, është bërë me një marrëveshje me Kuvendin e Shqipërisë. "Kemi pasur përfshirje që në momentin e parë, kemi mbështetur financiarisht bashkëpunimin me ambasadën amerikane dhe partnerët evropianë", tha në komentet për shtyp zoti Dobrushi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se të gjithë ata që po e akuzojnë Sorosin kanë përfituar prej tij, ndërsa theksoi se fondacioni "ka kontribuar me një mbështetje financiare për mbarëvajtjen e punës së Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi. Kjo padyshim ka qenë diçka pozitive sepse ka lehtësuar disa shpenzime jo të vogla për ekspertizë", tha ai./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat