18 vjet nga eksodi i qytetarëve nga Kosova drejt Kukësit

Lajme

18 vjet nga eksodi i qytetarëve nga Kosova drejt Kukësit

Më: 16 prill 2017 Në ora: 16:57
Kryetari i Komunës Mitrovicë, Agim Bahtiri

Me moton “Mos të harrojmë të kaluarën për një të ardhme më të sigurt”, u përkujtua sot në Kukës, 18-vjetori i eksodit të vitit 1999, të qytetarëve nga Kosova.

Kryetari i Komunës Mitrovicë, Agim Bahtiri, përfaqësues të shoqatës “Eksod 99” dhe shumë qytetarë të Kosovës, të cilët si akt simbolik, të gjithë kufirin e kaluan në këmbë, njëlloj siç bënë 18 vjet më parë kur iknin nga gjenocidi serb, u pritën nga Kryetari i Kukësit, Bashkim Shehu dhe një pjesë e stafit të Bashkisë Kukës në pikën kufitare të Morinit.

Më pas manifestimi i “Eksod ’99” u zhvendos në ambientet e Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina” ku u çel edhe ekspozita fotografike e autorit Halit Berani me temë “Mos harroni të kaluarën nëse doni një të ardhme të ndritur”.

Pas foto-ekspozitës u zhvillua edhe ceremonia zyrtare e 18-vjetorit të “Eksod ’99”. Në këtë ceremoni u theksua vlera e mikpritjes së popullit shqiptar dhe në veçanti bujaria e kuksianëve.

Në fjalën e tij, Kryebashkiaku Shehu, veç falenderimeve për të gjithë banorët e Kukësit dhe drejtuesit e institucioneve të asaj kohe për menaxhimin, gatishmërinë dhe mikpritjen e treguar, parashtroi mundësinë që ky eveniment historik duhet të ketë vëmendje në nivel më të lartë institucional me qëllim që “Eksodi 99” të marrë një dimension më të gjerë organizativ.

Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe dhënia e titullit “Qytetar Nderi i Kukësit”, për Qemal Elezin, ish Prefekt i Qarkut Kukës në kohën e krizës së Kosovës.

Ky titull, nga Këshilli Bashkiak, i jepet Elezit me motivacionin “Për kontributin e veçantë në menaxhimin e krizës së vitit 1999”.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat