Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Aleksandër Vulin ka thënë se qeveria e Serbisë do të merr një sërë masash dypalëshe ndaj Francës, për të treguar pakënaqësinë e mos-dorëzimit të Ramush Haradinajt.
Ai u tha gazetarëve në Beograd, se për shkak të vendimit të Gjykatës së Colmarit mes Serbisë dhe Francës “asgjë nuk do të jetë si më parë”.
“Qeveria ka shprehur qëndrimin e saj se pas vendimit të gjykatës franceze nuk mund të kaloj pa pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe”, tha Vulin.
Gjykata e apelit në qytetin francez të Colmarit, të enjten ka refuzuar kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt. Pas vendimit Serbia nuk kishte të ankese, ai u lirua dhe u kthye në Kosovë.
Haradinaj, u arrestua më 4 janar në territorin Francez, në bazë të një urdhër-arresti kundër tij të lëshuar nga Serbia, gjoja për krime lufte të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998-1999.