Serbët me brohoritje nacionaliste dhe fotografi të Putinit në shënimin e Vidovdanit

Lajme

Serbët me brohoritje nacionaliste dhe fotografi të Putinit në shënimin e Vidovdanit

Më: 28 qershor 2017 Në ora: 17:18
Serbët e Kosovës shënojnë festën e Vidovdanit

Disa qindra qytetarë serbë janë tubuar sot në Gazimestan, për të shënuar Ditën e Shën Vidit, të njohur më shumë si Vidovdan. Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet mepërvjetorin e 628 të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.

Ceremonia fetare në Gazimestan është mbajtur pranë monumentit të Betejës së Kosovës, të ndërtuar nga mesi i shekullit të kaluar, nën administrimin jugosllav, në një fushë ku besohet të jetë zhvilluar beteja e Kosovës e shekullit XIV.

Qytetarët serbë të mbledhur në Gazimestan kanë brohoritur parulla nacionaliste “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë bartur flamuj serbë dhe rusë, si dhe kanë mbajtur edhe portrete të presidentit rus, Vladimir Putin. Në mesin e tyre ka pasur pjesëtarë të organizatave me ngjyrime nacionaliste, sikurse organizata “Obraz” (“Fytyra”).

Të tubuarve në Gazimestan u është drejtuar peshkopi i Kishës Ortodokse Serbe, Atanasije Jevtiq. Ai kritikoi autoritetet e Serbisë, duke aluduar në presidentin serb, Alekasandar Vuçiq, të mos konsiderojnë se serbët e shohin Kosovën vetëm si mit.

“Është e vërtetë dhe nuk është mitologji, ashtu siç po na flasin në pashallëkun e Beogradit, ata që në fakt rrëfejnë mitologjinë e integrimeve euro-amerikane, të atyre që na bombarduan, dhe që nuk çojnë askund. Kjo është Kosova dhe është e vërtetë. Vetëm një anti-serb mund të thotë se Kosova është mitologji. Këtë mund ta thotë vetëm tradhtari serb”, tha peshkopi Jevtiq.

Të pranishmëve në Gazimestan u ka folur edhe pretenduesi i trashëgimtarit të fronit mbretëror serb, princi Aleksandar Karagjorgjeviq. Ai tha se shteti i Serbisë dhe serbët nuk duhet tu frikësohen ndryshimeve në botë.

“Serbia është para ndryshimeve të mëdha. Në gjithë botën po ndodhin ndryshime. Askush nuk ka arsye që t’i frikësohet të ardhmes, nëse në të ecet me vizion. Nuk duhet të ketë frikë nëse respektohen të drejtat e njeriut. Serbia ka në çka të mbështetet nga e kaluara, gjë që na tregon edhe drejtimin se kah të shkojmë në të ardhmen. Nuk e festojmë Ditën e Shën Vidit si ditë e mposhtjes, por e festojmë si simbol i shpirtit të kombit”, tha Karagjorgjeviq.

Në kremten e Ditës së Shën Vidit, në Kosovë ka qëndruar drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq. Në manastirin e Graçanicës, ai deklaroi se Kosova nuk është vetëm zemra e Serbisë, por shpirti dhe fytyra e popullit serb.

“Dita e Shën Vidit është festë e shpirtit serb dhe lirisë serbe. Vidovdani na kujton për atë që si popull nuk kemi të ardhme pa kultivimin e traditës, të historisë sonë dhe anës shpirtërore, pa ruajtjen e shkrimit të shenjtë dhe pa shqetësimin shpirtëror”, tha Gjuriq.

Tubimi në Gazimestan për shënimin e Ditës së Shën Vidit dhe përvjetorit të Betejës së Kosovës, është tradicional për qytetarët serbë, ndonëse vitet e fundit është shënuar pjesëmarrje më e vogël në numër krahasuar me disa vite të mëparshme.

Zhivorad Vuksanoviq, një qytetar serb i Obiliqit, tha për Radion Evropa e Lirë se Gazimestani është vend i rëndësishëm për traditën e popullit serb.

“Kjo është ditë e rëndësishme dhe ne që jetojmë këtu e vizitojmë këtë vend, që është i shenjtë për ne. Kjo duhet të respektohet, sepse për këtë vend ka vdekur dikush, që të jetë i lirë. Por, tash po rikthehet situata, në të cilën nuk ka stabilitet dhe siguri”, tha Vuksanoviq.

Momir Markoviq, një qytetar tjetër serb, i tha Radios Evropa e Lirë se shënimin e përvjetorit të betejës së Kosovës, nuk duhet ta bëjnë vetëm serbët, por edhe shqiptarët, për shkak se, sipas tij, në këtë betejë edhe shqiptarët kanë qenë pjesë e aleancës kundër Perandorisë Osmane. Por, ai fajëson regjimin Slobodan Milosheviqit, i cili në vitin 1989, shënimit të 600 vjetorit të kësaj beteje, i kishte dhënë ngjyra krejtësisht nacionaliste.

“Atëherë nuk u ftuan në këtë festë politikanët dhe banorët shqiptarë të Kosovës. Për këtë shkak, edhe sot nënçmohet ardhja e tyre. Ndërkaq, në fakt, do të duhej që së bashku ta festojmë këtë ditë”, tha Markoviq.

Kremtimi i përvjetorit të Betejës së Kosovës në vitin 1989, në kohën e udhëheqjes së presidentit serb Sllobodan Millosheviq, u kthye në kulmin e nacionalizmit në ish-Jugosllavi, me shpalljen siç thuhej të bashkimit të Serbisë, përmes rrënimit të autonomisë së Kosovës dhe me paralajmërimin e luftërave të përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat