Haradinaj nuk do të merret me vrasjet e pasluftës, shpresa mbetet tek Gjykata Speciale

Lajme

Haradinaj nuk do të merret me vrasjet e pasluftës, shpresa mbetet tek Gjykata Speciale

Nga: H. Orana Më: 23 shtator 2017 Në ora: 23:26
Ilustrim

Çështja e vrasjeve politike, kryesisht atyre të veprimtarëve të LDK-së ende ka mbetur peng. Shteti nuk bën as hapin më të vogël për zbardhjen e këtyre vrasjeve.

Përderisa asgjë nuk u ndriçua në kohën e Qeverisë Mustafa, tash në qeverinë e re pritet më pak që të bëhet një gjë e tillë. Këtë e thotë edhe njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj. Ai ka përmendur edhe disa nga këto vrasje.

“Çështja e vrasjeve politike të kohës së luftës dhe pas saj, janë problemi më prekës i neglizhencës shtetërore dhe kombëtare të Kosovës, sepse ka të bëjë me vrasjen e figurave më të shquara dhe më të angazhuara për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e vendit, siç janë: Kolonel Ahmet Krasniqi, ministri i parë i Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Xhemajl Mustafa bashkëpunëtori më i afërt u Presidentit Rugova; komandanti Tahir Zemaj, deputeti Smajl Hajdaraj, Enver Maloku, Ismet Raci, Sebahate Tolaj, Shaban Manaj, Ukë Bytyci, e shumë të tjerë, që edhe 18 vite pas luftës mbeten në errësirë”, thekson Zogaj.

Image
Skender Zogaj

Sipas tij, kjo është një gjë shumë e shëmtuar dhe dëshmi se shteti i Kosovës nuk funksionon.

“Mirëpo, për vrasjet politike, aq sa është fajtor shteti, po aq është edhe mileti, sepse, pos individëve dhe grupeve të caktuara partiake, të cilat, zakonisht me rastin e përvjetorëve ose kur kanë pasur nevoja elektorale, kanë mbajtur fjalime të flakta, por pastaj as edhe një hap konkret nuk e kanë bërë! Nuk ka dyshim se qeveritë janë ato që duhet të akuzohen, sepse, institucioneve u përket zbardhja e vrasjeve”, thotë Zogaj për “Bota sot”.

Zogaj thotë se asnjëra qeveri nuk bëri lëvizje, madje qeveria e Ramush Haradinajt nuk do të merret fare me këtë çështje. Ai shpresën e ka vetëm tek Gjykata Speciale se do të merret me këto vrasje.

“Mirëpo, ja që asnjëra nuk e bëri asnjë lëvizje. As Qeveria Mustafa nuk ka bërë ate që kemi shpresuar më shumë, sepse LDK-s i përkasin pothuajse të gjithë të vrarët! Kjo tregon se, vrasësit, gjatë të gjitha qeverive të deritashme, janë më të fort se shteti! Qeveria me e re, kjo e Ramush Haradinajt, nuk besoj se do të merret fare me këtë çështje, mirëpo, shpresat janë që, Gjykata Speciale për krimet e luftës të hap "kutinë e pandorës" dhe pastaj, "merr frymë puna" dhe dalin në shesh krimet dhe kriminelët”, vlerëson ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat