Apeli vendos në gjykimin e të akuzuarit për bashkim me ISIS-in

Lajme

Apeli vendos në gjykimin e të akuzuarit për bashkim me ISIS-in

Më: 10 tetor 2017 Në ora: 21:54
Gjykata e Apelit

Gjykata e Apelit refuzoi ankesën e avokatit të Gazmend Halitit kundër aktakuzës dhe provave për bashkim me ISIS-in.

Është refuzuar kërkesa për hedhjen e aktakuzës ndaj të akuzuarit për pjesëmarrje në veprimtarinë e grupit terrorist, ISIS, Gazmend Halitit.

Në maj të këtij viti, avokati Asdren Hoxha ka kundërshtuar provat dhe ka kërkuar hedhjen e aktakuzës për të mbrojturin e tij.

Por, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e avokatit Hoxha, kështu duke mbetur në fuqi aktvendimi i gjyqtarit të vetëm për refuzimin e kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhje të aktakuzës.

Lajmin për Kallxo e bëri të ditur vetë avokati Hoxha, i cili përkundër vendimit të Apelit, tha se kjo çështje ndaj klientit të tij nuk përmban prova të mjaftueshme.

“Megjithatë, mendoj se aktvendimi në fjalë nuk është pasojë e vlerësimit real të çështjes, por, në këtë fazë shumica e çështjeve po lejohen t’i nënshtrohen gjykimit e që është bërë rutinë procedurale në këtë fazë të procedurës”, tha Hoxha.

Avokati pret që i mbrojturi i tij të lirohet pas gjykimit.

“Mbetem fuqishëm pranë qëndrimeve tona se kjo çështje nuk përmban prova të mjaftueshme për dënim eventual, por pas gjykimit presim aktgjykim lirues”, shtoi Hoxha.

Si rrjedhojë, tani më pritet që çështja t’ i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor kryesor që do të caktohet ditëve në vijim.

Në këtë gjykim, prokuroria akuzon Gazmend Halitin se me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, ashtu që në vitin 2013 ka shkuar në Turqi, e nga aty ka shkuar në Siri, ku edhe i është bashkuar grupit të shqiptarëve që luftojnë në radhët e organizatës terroriste ISIS.

Sipas aktakuzës, ai ka marrë pjesë në veprimtaritë e ISIS-it për disa muaj, duke luftuar me qëllim që të frikësojë popullsinë dhe të shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Sirisë.

Aktakuza thotë se në shkurt të vitit 2014, Haliti ka shkuar në aeroportin “Ataturk” në Stamboll të Turqisë dhe nga aty ka fluturuar për në aeroportin “Rinas” të Tiranës, së bashku me bashkëluftëtarin e tij në ISIS, Betim Ibrahimaj.

Më 20 shkurt 2014, gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtit kanë hyrë me veturë në Kosovë përmes pikës kufitare në Vërmicë.

Aktualisht, Haliti është i akuzuar për terrorizëm së bashku me pesë persona të tjerë edhe në rastin e njohur si “Badovci”, rast ky të cilin Gjykata Supreme e ktheu në rigjykim më 17 maj të këtij viti.

Aktakuza i ngarkonte pesë të akuzuarit se në korrik të vitit 2015 kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Sipas Prokurorisë, ky grup ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.

Rasti Badovci do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit më 24 tetor./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat