Historia e konflikteve Enver Sekiraqa- Triumf Riza

Lajme

Historia e konflikteve Enver Sekiraqa- Triumf Riza

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 17:55
Enver Sekiraqa

Gjykimit të rastit Sekiraqa i erdhi fundi me një dënim prej 37 vjet burg për të. Një proces maratonik me shumë dëshmitarë dhe shumë polemika në sallën e gjyqit zbërtheu historinë deri më tani të panjohur të njërit ndër konflikteve më të mëdha në Prishtinën e pasluftës: atij ndërmjet Enver Sekiaqvs dhe Triumf Rizës së ndjerë. U përmend politika dhe u përzie edhe estrada...

“Gangster, bandit, djalë i keq, Enver Sekiraqën quajeni si të doni, por ai u gjend dëshmitar i një krimi të luftës në vend dhe kohë të gabuar”, ishte fjalia që Kosovare Kelmendi, avokate e Enver Sekiraqës, disa herë e përsëriti zëshëm në fjalimin e saj të fundi drejtuar trupit gjykues në përpjekje për t’i bindur se Enver Sekiraqa është i pafajshëm për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës.

Kjo ishte vetëm njëra nga teoritë që mbrojtja e Sekiraqës e paraqiti para trupit gjykues që nga tetori i vitit 2014 kur filloi njëri nga proceset më të përfolura në Kosovë.

Mbrojtja e Sekiraqës e përbërë nga Kelmendi dhe avokati slloven Bostjan Penko, në gjykatore thanë se Triumf Riza u vra nga Arben Berisha për motive personale të Berishës, ndërsa mohuan kategorikisht se Sekiraqa ishte i përfshirë në vrasjen e policit Riza.

Kelmendi dhe Penko, në njërën anë, por edhe vet Enver Sekiraqa gjatë dy viteve janë përpjekur të argumentojnë pafajësinë e tyre para trupit gjykues, përball pretendimeve të prokurorit Andrew Carney.

Carney, i cili nga Sekiraqa mori një varg kritikash, e  madje u quajt edhe “prokuror i politikës”, në anën tjetër për asnjë moment nuk u tërhoq nga pretendimet e tij se Triumf Riza, polici i dalluar i shërbimit të atëhershëm policor të Kosovës, u vra më 30 gusht të vitit 2007 nga Arben Berisha por vrasja u nxit nga Sekiraqa.

Për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha është i dënuar me 35 vite burgim, ndërsa Carnery nuk është mjaftuar me këtë, duke e cilësuar Berishën vetëm si “tërheqës të këmbëzës”, ndërsa duke akuzuar Sekiraqën se urdhëroi këtë vrasje.

Carney gjatë gjithë procesit Sekiraqën e cilësoi si liderin e “Grupit Sekiraqa”, ndërsa teoritë e mbrojtjes nuk ngurroi t’i quaj konspirative. Carney tha se Adelina Ismajli ishte njëra nga arsyet që qoi në konfliktin mes Rizës e Sekiraqës, ndërsa si arsye të tjera përmendi edhe një incident të ndodhur në vitin 2001 te rrethi në Prishtinë, incidentin e Ferizajt ku Sekiraqa u rrah nga policia, e po ashtu edhe incidentin në Swiss Casino në krishtlindjet e vitit 2005.

Sekiraqa në anën tjetër tha se ky rast atij ju montua nga policët, sikurse ju montua incidenti me revole në Ferizaj. Sekiraqa tha se ai ishte halë në sy e disa njerëzve të fuqishëm të politikës të cilat janë të dënuar për krime lufte.

Sekiraqa akuzoi disa prokurorë të EULEX-it se i kishin rrjedhur informacione SHIK-ut, ndërsa policinë e akuzoi se i kishin vjedhë kafen dhe para në lokalin e tij  gjatë bastisjes pas vrasjes së Triumf Rizës.

E të gjitha këtyre pretendimeve të prokurorisë në njërën anë dhe mbrojtjes së Sekiraqës në anën tjetër, tu japin përgjigje u ra dy gjyqtarëve polakë, Arcadiuzs Sedek dhe Mariola Pasnik, si dhe gjyqtarit vendor, Naser Foniqi.

Ku dhe Si ja Nisi ?

Disa dëshmitarë që treguan dëshminë e tyre para gjykatës, ndër të cilët, Shefqet dhe Visar Riza, babai dhe vëllai i të ndjerit Riza thanë se e gjithë historia tragjike ka një datë, (edhe pse ajo asnjëherë nuk u tha e saktë), afër rrethit tek shkolla e mjekësisë në Prishtinë, viti 2000 ose 2001.

Triumf Riza së bashku me disa policë të UNMIK-ut po bënte një patrullim të zakonshëm, aty Riza ndali një veturë, ndërsa sipas prokurorisë, në veturë ishte Enver Sekiraqa dhe ky përbënte takimin e parë, të shumë takimeve (jo-miqësore) që do të pasonin mes Triumf Rizës dhe Enver Sekiraqës.

Gjithnjë sipas këtyre dy dëshmitarëve, Sekiraqa si një tip i vështirë dhe me gjithë reputacionin e tij, nuk e priti aspak mirë këtë ndalim prej policisë, ndërsa me një granatë dore kërcënoi policin Riza.

Sekiraqa në anën tjetër, gjatë gjithë procesit e kontestoi ashpër këtë ekzistencën e kësaj ngjarje, ai dhe mbrojtja e tij thanë se ky incident që prokuroria e paraqet si zanafillën e problemeve, në fakt, nuk ekzistoi asnjëherë.

Për dallim prej kësaj ngjarje ekzistenca e të cilës vihet në pikëpyetje, në kronologjinë e problemit mes Triumf Rizës dhe Sekiraqës, prokuroria paraqiti një aktere tjetër, Adelina Ismajlin.

Adelina Ismajli, në historinë mes Triumf Rizës dhe Enver Sekiraqës ka rolin kryesor, sepse sipas prokurorisë, fakti që Adelina ishte e dashura e Enver Sekiraqës dhe më pas krijoi një lidhje me të ndjerin Triumf Riza, nuk u harrua asnjëherë nga Sekiraqa.

Mbrojtja e Sekiraqës nuk e kontestuan se asnjërën lidhje por thanë para trupit gjykues thanë se Sekiraqa nuk kishte aspak mëri ndaj Rizës për këtë arsye.

“Edhe një e dashur tjetër e Sekiraqës, më pas u bë e dashura Besnik Hasanit, por Sekiraqa asnjëherë nuk e tentoi ta lëndojë atë”, tha Kosovare Kelmendi në fjalën e saj përfundimtare.

Sidoqoftë, Adelina Ismajli, diva e estradës Kosovare, bëri të pamundurën që roli i saj në këtë histori të mbetet i paditur.

Ismajli që në Kosovë në artin e këngës theu shumë tabu gjatë performimeve të saj me vallëzimet dhe shfaqjet e saj ekstravagante, e me tekstet intriguese të tilla si “Ushtrinë time do ta bëjë me Ibrahim Rugovën”, nuk ishte aspak e tillë në gjykimin ku po gjykohej një person që u përfol si i dashuri i saj, e që akuzohej për nxitjen e vrasjes së një tjetër personi që u përfol po ashtu si i dashuri i saj.

Ismajli, fillimisht kërkoi që dëshminë e saj ta jep në seancë të mbyllur, ajo mandje kërkoi që edhe i akuzuari Sekiraqa të mos jetë i pranishëm, e përderisa kërkesa e parë ju aprovua e dyta ju refuzua.

Ismajli ishte në Gjykatë, dha dëshminë e saj, por ajo nuk u pa asnjëherë nga syri i kamerave, e për çudi, ajo apo shoqëruesi i saj, fotografuan gazetarët e KALLXO.com që ishin në pritje në oborrin e pallati të Drejtësisë, i postuan në rrjetet sociale e pastaj i fshinë.

Roli dhe dëshmia e Adelinës në historinë mes Enver Sekiraqës dhe Triumf Rizës do të mbetet edhe për shumë i mbuluar me hije dyshimi.

Gjithnjë sipas prokurorit Carney, shoqërimit i Adelinës me Triumf Rizën, i dha përmasa tjetër konflikt, Riza filloi të ndiqej hap pas hapi, atij ju dogj vetura, ju ngritën prita, e mori shumë kërcënime.

Incident tjetër që i u evidentua në raportin mes Rizës edhe Sekiraqës, ishte edhe incidenti i ndodhur në “Swiss Casino”,

Konflikti që rezultoi edhe me përleshje me armë ku pati edhe të plagosur, ndodhi në krishtlindjet e vitit 2005.

Në këtë konflikt sipas prokurorisë u përfshinë disa pjesëtarë të grupit “Sekiraqa”, në njërën anë dhe Triumf Riza me shoqëruesit e tij në anën tjetër.

Rrëfimet e kësaj ngjarje varësisht se nga vijnë, janë diametralisht të kundërta por të të njëjtën kohë shumë interesante.

“Nuk ja fali kurrë që nuk e vrau kur kishte mundësi”, tha Shefqet Riza në dëshminë e tij, duke thënë se Triumfi nuk e bëri këtë sepse kishte shpirt sportisti.

Sekiraqa në anën tjetër, tha se ndjente njëfarë mirënjohje ndaj Rizës.

“Mund të them se në njëfarë mënyrë më ka shpëtuar jetën”, tha Sekiraqa duke u përgjigjur për këtë incident.

Sekiraqa për këtë incident e fajësoi shoqëruesin e Triumf Rizës, Arben Selmanin, i cili mbeti i plagosur nga ky incident, ndërsa për më tepër sipas prokurorisë ju dashtë të braktisë Kosovën si pasojë e këtij rasti.

Kanosje, prita, përcjellje, djegie veturave, gjuajtje me armë, sipas prokurorisë nuk kishte si të mungonte edhe realizimi i këtij plani, vrasja e Triumf Rizës.

Sipas prokurorisë, për ta bërë këtë u përzgjodh, Arben Berisha, njëri nga pjesëtarët e panjohur të grupit Sekiraqa që ishte i gatshëm të marrë përsipër kryerjen e kësaj detyre.

Gjithnjë sipas prokurorisë, Arben Berisha më 30 gusht 2007 tërhoqi këmbëzën e revoles e cila prapa shpinës vrau Triumf Rizën, që prokurori Carner e cilësoi “njeri të guximshëm”, por që sipas Carney, Enver Sekiraqa ishte ai që organizoi, planifikoi dhe urdhëroi këtë vrasje.

Mbrojtja e Sekiraqës dhe vetë Sekiraqa kanë kundërshtuar me vendosmëri, këtë pretendim të prokurorit, Carney.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën, në asnjë mënyrë nuk e nxiti, urdhëroi apo premtoi dhuratë Arben Berishës, por se Berisha vrasjen e kreu duke qenë se disa herë ishte rrahur nga Triumf Riza.

Avokatët, disa dëshmitarë dhe familjarët e Sekiraqës dëshmuan se Sekiraqa ditën e vrasjes së Triumf Rizës ishte në shtëpinë e tij, ndërsa prokurori Carney thotë se Sekiraqa ishte në qytet.

E pakontestueshme pas vrasjes së Triumf Rizës ishte se pas vrasjes së Triumf Rizës, u bastisën lokali “Sekiraqa Bar”, ndërsa pranueshmëria e provave të gjetura në këtë lokal u diskutua për kohë të gjatë.

Bastisje pati edhe në shtëpinë e Sekiraqës në lagjen “Kodra e Trimave”, ku familjarët e Sekiraqës patën një varg ankesash ndaj policisë për të cilët thanë se u sollën keq, shanë e ofenduan.

“Llogarite se ka me të mbet vetëm një djalë, sepse Enverin kemi me vra”, tha një e afërme e Sekiraqës në dëshminë e saj, teksa mbrojtja e Sekiraqës nga frika se do të vritej, Sekiraqa u arratis për tu dorëzuar tek pas disa vitesh.

Procesi Gjyqësor

Procesi para Gjykatës Themelore të Prishtinës filloi me leximin e aktakuzës që Sekiraqën e ngarkon me tri vepra penale, atë të nxitjes së vrasjes së Triumf Rizës, veprën e detyrimit dhe dhunimit.

Sekiraqa të tri këto akuza të prokurori Carney i kundërshtoi dhe u deklarua i pafajshëm ndërsa prokurori Carney kërkoi dënimin e paraparë sipas ligjit për Sekiraqën.

Në procesin e filluar në tetor të vitit 2014, e që zgjati deri më 17 maj të këtij viti, dëshmuan dhjetra dëshmitarë, e shumë prej dëshmive para trupit gjykues u dhanë duke përjashtuar publikun.

Familjarët e të ndjerit, Shefqet dhe Visar Riza dhanë dëshminë e tyre duke fajësuar Sekiraqën për humbjen e më të dashurit të tyre.

Familja Ismajli, dëshminë e tyre e dhanë në procese gjyqësore të mbyllura, tani e ndjera, Mona Ismajli, Zanfina Ismajli dhe Adelina Ismajli, dëshmuan duke kërkuar paraprakisht përjashtimin e publikut.

Prokurori Carney në fjalën e tij përfundimtare tha se, se anëtaret familjes Ismajli kishin ndërruar deklaratat e tyre, ose ishin distancuar nga ato të mëparshmet.

“Ndjenjën e frikës mundohej ta mbulonte me një krekosje”, tha Carney duke përshkruar dëshminë e Adelina Ismajlit.

Në këtë proces në gjykatë dëshmuan edhe shumë ish-kolegë të Triumf Rizës, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi zgjuan interesimin më të madh, veçanërisht e tensionuar ishte dëshmia e Hasanit.

Vend tepër të rëndësishëm zuri edhe dëshmia e personit të dënuar për vrasjen e Rizës, Arben Berishës.

“Kush është ai njeri  që vret për Enver Sekiraqën e kalon jetën në burg, a po ju dukem unë budall a ?” tha i revoltuar Arben Berisha në pyetjet e prokurorit Carney.

Berisha tha se disa herë ishte ndaluar dhe rrahur nga Riza e kjo u kundërshtua nga prokurori Carney.

Interesim shumë të madh zgjoi edhe një ekspertizë e bërë nga një toksikologe kosovare, e cila konstatoi se Triumf Riza ishte i dehur në momentin e vrasjes së tij. Ekspertja këtë konstatim e bëri në bazë të një përllogaritje që e realizoi në seancë.

Ky konstatim u hodh poshtë nga një ekspertizë të cilën e bëri një institut nga Zagrebi i Kroacisë ndërsa prokurori Carney e cilësoi absurde dhe tragjike  konstatimin e ekspertes vendore.

Krejt në fund të një procesi, bilanci i deritanishëm i të cilit është një polic i dalluar i vrarë dhe afër gjysmë shekulli burg të shqiptuar, prokurori Carney dhe mbrojtja e Sekiraqës vu përballë argumentet e tyre përmbyllëse.

“Triumf Riza ishte një njeri i guximshëm që nuk deshi ta shohë vendin e tij të bie në duar të krimit të organizuar, dhe ata e vranë pas shpine”, tha prokurori Carney, ndërsa “Për vrasjen e Triumfit është dënuar me dënim kapital Arben Berisha, ndërsa faji i vetëm i Sekiraqës është se u gjend ne vend dhe në kohë të gabuar si dëshmitar i një krimi të luftës. Ai ishte halë në sy e një strukture të fuqishme”,tha Kosovare Kelmendi në anën tjetër./kallxo.com

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat