Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është zotuar se do të punojë në krijimin e mundësive sa më të mira dhe të lehta për jetesë për të gjitha komunitetet në Kosovë, përfshirë edhe komunitetin goran, si dhe shprehu përkushtimin e tij për të trajtuar kërkesat e tyre.
Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me një delegacion të komunitetit goran të Kosovës, të udhëhequr nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha.
Përfaqësuesit e komunitetit goran parashtruan shqetësimet e tyre që lidhen me jetën e përditshme në zonat e thella malore, ku jeton kryesisht ky komunitet.
Papunësia, infrastruktura e dobët, mungesa e shërbimeve adekuate shëndetësore, janë theksuar si brengat kryesore të këtij komuniteti.