Dëshmitari sillet me ambulancë në gjykatë në 2 vjetorin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt

Lajme

Dëshmitari sillet me ambulancë në gjykatë në 2 vjetorin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt

Më: 9 nëntor 2017 Në ora: 21:19
Nga gjykimi i sotëm në rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt

Në ditën kur u bënë dy vjet nga vrasja e saj, personi i cili ishte caktuar të dëshmonte për vrasjen e Donjeta Pajazitajt u soll me autoambulancë në sallën e gjykatës në Pejë.

Gjendja e tij e rëndë shëndetësore, mikut të të akuzuarit Naser Pajaziti ia kishte bërë të pamundur një udhëtim në mënyrë të zakonshme drejt gjykatës.

Në fakt, ai ishte një ndër tetë dëshmitarët që dëshmuan në seancën e sotme, ndër të cilët kishte bashkëfshatarë dhe të afërm të viktimës dhe të të akuzuarit.

Brahim e Selim Jusaj, Hajdin Kamishaj, Sofe e Fidan Berisha, Idriz Gashi, Adnan Milaj dhe Zeqir Zeqaj dëshmuan rreth asaj që kishin parë apo dëgjuar në ditën e zhdukjes se Donjetës.

Dëshmitarët Brahim e Selim Jusaj thanë se mbesin në tërësi pranë deklaratës së tyre të dhënë në polici dhe gjatë marrjes në pyetje deklaruan se ata në ditën kritike kishin shkuar në varrimin e bashkëfshatarit të tyre Shefqet Zeqaj. Në pyetjen e prokurores se nëse gjatë rrugës për te varrezat e kishin parë diku të akuzuarin Naser Pajazitaj, që të dy dëshmitaret mohuan ta kenë parë atë.

Dëshmitari tjetër Adnan Milaj tha se për vdekjen e Donjetës kishte kuptuar nga Milaim Sutaj i cili i kishte telefonuar për ta pyetur se si duhet ta thërrasë Policinë pasi që kishte gjetur një trup të pajetë në bjeshkë, kurse dëshmitari tha se ai vetë nuk kishte shkuar atë ditë në vendin e ngjarjes.

Dëshmitari Hajdin Kamishaj tha se për vdekjen e Donjetës me aq sa e mban në mend ka dëgjuar pas një ahengu familjar në të cilin kishte marrë pjesë në familjen Demaj.

Ai deklaroi se në atë aheng familjar për ndërtimin e shtëpisë së Bekim Demaj kishte pasur shumë njerëz dhe se ndër ta kishte qenë edhe Naseri.

I pyetur nga prokurorja e çështjes Valbona Disha-Haxhosaj se nëse dëshmitari e kishte parë Naser Pajazitajn teksa kishte shtënë me një armë, i njëjti u përgjigj se ai nuk e mban në mënd pasi që atë ditë kishte qenë i dehur.

Më pas prokurorja e ballafaqoi dëshmitarin me dëshminë e tij të dhënë në prokurori i cili kishte deklaruar se Naser Pajazitaj kishte shtënë me armë në atë aheng, por pasi që prokurorja e ballafaqoi me këtë deklaratë, dëshmitari deklaroi se ai kishte thënë ashtu pasi që prokurorja i kishte treguar atij një video incizim ku ai kishte mundur ta vërejë Naser Pajazitajn duke shtënë me armë në atë aheng.

Edhe dëshmitari tjetër Idriz Gashi tha se gjatë deklaratës së tij të dhënë në prokurori pasi që prokurorja i kishte treguar video incizimin ai kishte arritur të konstatonte se personi që gjuan me armë në atë video është Naser Pajazitaj.

Dëshmitarja tjetër Sofe Berisha e cila është vjehrra e vajzës së Naserit deklaroi se pak para ngjarjes ajo kishte qenë në Gjermani dhe kishte qëndruar atje për disa muaj dhe pasi që ishte kthyer për në Kosovë, djali i saj i kishte dhënë njëqind euro që t’ia dërgonte tashmë të akuzuarit Naser Pajazitaj.

Ajo tha se kishte qenë data 9 nëntor 2015 kur Naser Pajazitaj kishte shkuar për t’i marrë këto të holla në shtëpinë e saj. Ajo nuk ishte e sigurt rreth orës kur ka ndodhur kjo, por tha se ka qenë mbrëmje.

Ajo tha se t’i marrë paratë në shtëpinë e saj, Naser Pajazitaj kishte shkuar me gruan e tij dhe me një mik të tij me emrin Zeqir. Ajo tha se së bashku me gruan e Naserit kishin hyrë brenda kurse Naseri me mikun e tij dhe djalin e dëshmitares kishin qëndruar jashtë për pak kohë pasi që, sipas saj, ata në tërësi aty kishin qëndruar vetëm njëzet minuta e pastaj ishin larguar.

Kurse djali i dëshmitares, Fidan Berisha tha se ai i kishte parë Naserin me mikun e tij kur kishin arritur në shtëpinë e vëllait të tij dhe me aq sa ai kishte vërejtur askush tjetër nuk kishte qenë së bashku me ta. Por ai tha se prapë nuk është plotësisht i sigurt se a mund të ketë qenë edhe dikush tjetër së bashku me ta apo jo.

Ai tha se ka qëndruar për pak minuta me ta jashtë në oborrin e shtëpisë së vëllait të tij e më pas ata i kishte lënë në oborr me nënën e tij dhe kishte vazhduar për në shtëpi të vet pasi që kishte pasur disa punë për të bërë.

Dëshmitari tjetër Zeqir Zeqaj miku i të akuzuarit Naser Pajazitaj, për të cilin u desh që të sigurohej autoambulanca, deklaroi se atij në ditën e zhdukjes së Donjetës i kishte vdekur xhaxhai dhe se ai te varrezat kishte shkuar me veturën me të cilën ishte bartur kufoma e xhaxhait të tij.

Ai tha se e kishte parë Naser Pajazitajn kur ishte afruar te varrezat.

“Ditën kur ka vdekur Shefqet Zeqaj kam shkuar te varrezat me veturën e xhenazes deri te guri i xhenazes dhe gjatë rrugës duke shkuar atje, para varrezave te guri i xhenazes ku janë disa dërrasa ku ulen njerëzit, jam i bindur 99% se më ka rënë për sy Naser Pajazitaj, ai ka qenë ulur te dërrasat me disa njerëz të tjerë pastaj unë kam vazhduar te vendi ku është varrosur kufoma duke ecur në këmbë”, tha dëshmitari Zeqaj i cili shtoi se më pas te varri i xhaxhait të tij dhe gjatë varrimit nuk e kishte parë më Naserin.

Pas ceremonisë së varrimit, dëshmitari tha se kishte shkuar në shtëpinë e tij e kishte marrë veturën dhe kishte shkuar te shtëpia e Naserit për ta marrë atë dhe gruan e tij për t’i dërguar të miqtë e Naserit ku ai duhej t’i merrte paratë që ia kishte dërguar vajza.

Atje tha se kishin shkuar pothuajse kah muzgu dhe kishin qëndruar shumë pak e menjëherë ishin kthyer në shtëpi. Më pas ai e kishte marrë gruan e tij dhe përsëri kishin shkuar në shtëpi te Naser Pajazitaj, kësaj radhe “për të pirë çaj”.

I pyetur nga prokurorja se pse nuk kishte shkuar që të marrë pjesë në darkë në ditën e varrimit të xhaxhait të tij por kishte shkuar në shtëpi te Naser Pajazitaj, dëshmitari tha se nuk kishte marrë pjesë në darkë atë ditë për shkak se kishte qenë i sëmurë.

Të nesërmen ai tha se që nga ora 8 në mëngjes e deri në orën 2 pasdite kishte qëndruar në të pame e pastaj përsëri kishte shkuar te Naser Pajazitaj në shtëpi, pasi që gjatë mbrëmjes së kaluar përderisa kishin qenë duke pirë çaj i akuzuari pasi që nuk kishte veturë i kishte thënë dëshmitarit nëse ai mund ta dërgonte në bjeshkë për ta marrë llamarinën që dëshmitari ja kishte falur atij pasi që dëshironte që me të ta ndërtonte një “ËC”.

Ai tha se me Naserin dhe me vajzën e tij Arjetën në bjeshkë kishin shkuar pasdite, diku rreth orës 15 dhe se vajzën e Naserit e kishin marrë me vete që t’u ndihmonte për ta marrë atë llamarinë që dëshmitarit i kishte tepruar gjatë ndërtimit të stanit të tij.

Më tutje prokurorja e pyeti dëshmitarin se nëse është e vërtetë që ditën kur i kishte dërguar Naser Pajazitajn së bashku me gruan e tij te miqtë e tyre kur kishin kaluar afër hotel “Jusaj”, Naseri të kishte thënë “qy kjo kojshikja”.

Por dëshmitari kategorikisht e mohoi një gjë të tillë. Sipas tij, ai në deklaratën e tij të dhënë në polici asnjëherë nuk e kishte thënë një gjë të tillë, e më pas kur prokurorja dëshiroi që dëshmitarin ta ballafaqojë me nënshkrimin e tij ai mohoi ta shikonte pasi që tha se ai fare nuk ka nënshkruar në polici.

“Kjo nuk është e vërtetë, unë nuk e kam thënë këtë në polici, m’i sjell ata policë këtu t’i shoh, unë nuk kam nënshkruar askund, largomi këto letra, atë që ka nënshkruar shko e merre”, iu përgjigj dëshmitari prokurores kur kjo e fundit dëshiroi që ta ballafaqonte atë me nënshkrimin në deklaratën e tij të dhënë në polici.

Prapë prokurorja e ballafaqoi dëshmitarin edhe me deklaratën e tij të dhënë në polici ku ai kishte deklaruar se kishte dëgjuar Naserin që i kishte thënë gruas së tij se e kishte parë Donjetën.

“A është e vërtetë që ju në prokurori në pyetjen e prokurores keni deklaruar se atë ditë që është zhdukë Donjeta, nga jeni kthyer ke dëgjuar Naserin që kishte thënë se ‘mu ga si Donjeta’ e edhe bashkëshortja e tij ja kishte tërhequr vëmendjen e i kishte thënë se ku e pave ti në terr”, e pyeti prokuroja dëshmitarin.

“Unë s’kam folë a ka thënë Naseri a jo, sepse nuk e kam ndi Naser Pajazitajn kurrë duke thënë ajo çikë apo kjo çikë. Pasha ty e Zotin e djalin e hasretit nuk e di që kam nënshkruar këtë deklaratë në prokurori”, u përgjigj dëshmitari duke mohuar gjithashtu edhe nënshkrimin në deklaratën e tij të dhënë në prokurori.

Po ashtu edhe trupi gjykues e ballafaqoi dëshmitarin me një pjesë të deklaratës së tij të dhënë në polici ku ai kishte thënë se për zhdukjen e Donjetës kishte kuptuar në të pame, dhe se më pas ai kishte dëgjuar Naser Pajzitajn me gruan e tij duke thënë se u dhimbsej Donjeta.

Por dëshmitari duke u acaruar dhe me këmbëngulje e mohoi të ketë deklaruar që në të pame e ka kuptuar për zhdukjen e Donjetës, por ai tha se mund ta ketë dëgjuar Naser Pajazitajn dhe gruan e tij duke thënë se u dhimbsej Donjeta por që, sipas tij, nuk e di se për çfarë e kanë pasur fjalën.

Krejt në fund të dëshmisë së dëshmitarit, avokati i Naser Pajazitaj, Gëzim Kollçaku tha se ka vërejtje në dëshminë e dëshmitarit në kuptim të mbrojtjes, pasi që deklaroi se ai kishte qenë aty kur dëshmitari kishte nënshkruar deklaratën e tij në prokurori.

Seanca e radhës do të mbahet më 16 janar, me ç’rast pritet që si dëshmitare të sigurohet prezenca e dëshmitares Arjeta Pajazitaj e cila jeton jashtë vendit si dhe dëshmitares tjetër Teuta Avdimetaj.

Donjeta Pajazitaj disa javë ishte shpallur e zhdukur derisa u gjet e vrarë në bjeshkët e Strellcit të Deçanit më 9 nëntor 2015.

Për vrasjen e Donjetës dhe zbardhjen e këtij rasti disa herë u organizuan protesta dhe marshe paqësore./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat