Vetëvendosje ende pa vendim zyrtar për shfuqizimin e Speciales

Lajme

Vetëvendosje ende pa vendim zyrtar për shfuqizimin e Speciales

Më: 6 janar 2018 Në ora: 15:34
Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim të qartë se si do të veprojnë, nëse ka përsëri iniciativë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Zyrtarë të kësaj partie gjatë ditës së djeshme kanë zhvilluar takime me ambasadorët e Britanisë dhe të Francës.

Siç njofton VV-ja, në takime është diskutuar për situatën politike në Kosovë, e sidomos për tentativat për Gjykatën Speciale.

“Dje pasdite, në selinë qendrore në Prishtinë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kandidati për kryetar, Albin Kurti, me nënkryetaren, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku priti ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z.Ruairí O’Connell, kurse me kryetarin e Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, priti ambasadorin e Francës, z. Didier Chabert. Në këto takime u diskutua për situatën politike në Kosovë, me theks të veçantë, për iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës. Të dy ambasadorët shprehën brengosjen e tyre të thellë për këtë mundësi”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Kjo parti edhe më tutje mbetet pa vendim zyrtar sa i përket kësaj çështje.

Në njoftim është thënë se Vetëvendosja do t’i përcjell të gjitha zhvillimet, duke marrë sipas tyre vendimin e duhur.

“Kurti, Mulhaxha-Kollçaku dhe Konjufca përsëritën qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbi padrejtësinë dhe dëmin që shkakton Gjykata Speciale por edhe për mungesën e seriozitetit dhe sinqeritetit të kësaj iniciative. Sidoqoftë, iniciativa tash ka ndryshuar formën dhe shpejtësinë pasi që ajo do të vie si Projekt-Ligj i qeverisë e jo më si nismë e deputetëve në Kuvend. Përfaqësuesit e Lëvizjes thanë që VETËVENDOSJE! do ta përcjell me shumë vëmendje këtë proces dhe se Kryesia me Grupin Parlamentar do t’i diskutojnë të gjitha elementet për ta marrë vendimin e duhur në kohën e duhur”, thuhet në njoftim.

Të dy ambasadorët treguan që gjatë muajit janar nuk do të marrin pushime dhe do të qëndrojnë tërë kohën në Kosovë.

Ndryshe VV-ja gjithmonë e ka kundërshtuar shfuqizimin e Speciales.

Por ishte pikërisht e njejta parti që në momentin kur u kërkuar seancë e jashtëzakonshme për ta shfuqiziuar këtë gjykatë, nuk mori pjesë në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.

Ata u arsyetuan se ajo iniciativë ishte personale e koalicionit qeverisës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat