Gazmend Isufi, ish drejtor i Kontrollit të Brendshëm në Postën e Kosovës, ka raportuar në polici të jetë kërcënuar nga Kryeshefi i Postës, Sejdi Hoxha.
Rasti është raportuar pasditën e 17 janarit në stacionin e policisë Qendra në Prishtinë.
Kallxo ka kontaktuar edhe zëdhënësen e policisë, Florie Ahmeti- Haziraj, e cila ka thënë se një rast kanosje është raportuar më 17 janar në sheshin ‘Skënderbeu’.
Prokuroria e rastit, Nebahate Salihu, ka konfirmuar se kanë pranuar pretendimet e Isufit për drejtorin Hoxha.
“Po, jemi të njoftuar lidhur me rastin, dy personat që ju përmendët janë intervistuar dhe prokuroria është duke u marrë me rastin”, tha Salihu për Kallxo
I pyetur nga Kallxo në lidhje me rastin, Kryeshefi Ekzekutiv në Postë, Sejdi Hoxha përmes emailit, ka thënë se nuk ka pasur asnjë kontakt me Isufin.
“Është plotësisht e pavërtetë. Nuk kam shkëmbyer asnjë fjalë me të. Për këtë kam edhe dëshmitarë që kanë qenë të pranishëm në Teatrin Kombëtar, ku kam qenë i ftuar nga Zyra e Kryeministrit në promovimin e pullës postare”, thuhet në përgjigjen e Hoxhës për Kallxo.
KALLXO.com nuk ka arritur që të komunikojë me ish- Drejtorin e Kontrollit të Brendshëm në Postë, Gazmend Isufin, pasi ky i fundit ka thënë se është jashtë vendit.
Gazmend Isufi është përballur me ligjin pasi akuzohet se në periudhën 2013- 2015 nën postin si Drejtor i Kontrollit të Brendshëm të PTK-së, ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare duke u premtuar personave të ndryshëm punësimin e të afërmve të tyre në Postën e Kosovës në këmbim të parave.
Kallxo ka monitoruar seancat të cilat janë mbajtur për rastin e zyrtarëve të postës të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare./Kallxo.com/