Policia s’ka informata për përdhunimin e Malazezit në Kosovë

Lajme

Policia s’ka informata për përdhunimin e Malazezit në Kosovë

Më: 27 janar 2018 Në ora: 22:15
Stacioni policor në Gjakovë

Policia e Kosovës ka deklaruar se nuk ka të regjistruar asnjë rast që përkon me një djalë malazez të mbajtur të robëruar dhe të përdhunuar në Kosovë.

Organizata joqeveritare ‘LGBT Forum Progres’  përmes një komunikate solli rrëfimin e një djali nga Podgorica i cili pretendon se ishte vënë në kontakt me një djalë nga Kosova dhe që më pas u robërua dhe u përdhunua nga i njëjti për një periudhë pesëmujore.

” Sipas pretendimeve të të riut, gjërat nisën në shtator 2017 kur ndodhi kontakti i parë me personin me inicialet E.G. nga Kosova me anë të rrjetit social Facebook. Pas nisjes së këndshme të komunikimit, i riu pranoi të takohet me E. G në Podgoricë. Pas njohjes dhe kalimit të një kohe së bashku, E.G. i propozoi të riut që të shkonte me të në një udhëtim njëditor në Pejë në mënyrë që të kalojnë më shumë kohë së bashku dhe të njihen më mire”, përshkruhet në komunikatë,

I riu, sipas organizatës Progres më pas tregoi se E.G. e detyroi të gëlltisë disa tableta, përbërjen e të cilave i riu i komunitetit LGBT nuk e dinte. Më pas ai tha se e humbi vetëdijen dhe u zgjua në një banesë të panjohur në Pejë e më pas u transportua në Gjakovë. Këtu ai tha se u detyrua të qëndrojë i mbyllur për gati pesë muaj, ndërsa tregoi se gjatë kësaj periudhe u keqpërdor fizikisht dhe seksualisht nga E. G.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar Kristë Gjokën, komandantin e Stacionit Policor të Gjakovës, i cili tha se dyshon se bëhet fjalë për një lajm të rremë.

“Nuk ka të raportuar një rast të tillë mund të jetë edhe fake news. Gjithashtu zyrtarë ndërlidhës të Policisë së Kosovës me INTERPOL kanë thënë se deri më tani nuk kanë asnjë informacion nga autoritet malazeze rreth rastit”, tha Gjoka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat