Të dhënat kontradiktore i ka paraqitur ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj në deklarimin e pasurisë të cilin e ka shpalosur në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Kontradikta qëndron tek vendet e punës.
Para se të merrte detyrën e ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj punonte mjeke specialiste – ortodonte në Qendrën Klinike Spitalore Universitare të Kosovës –QKSUK.
Pasi kishte marr postin e ministres në shtator të vitit 2017, e kishte bërë deklarimin e pasurisë në AKK-së, ose saktë me datë 11.10.2017.
Në formular kishte shënuar se “sa i përket funksioneve dhe aktiviteteve tjera, pozita asitente-mësimdhënëse ne Fakultetin e Mjekësisë – UP, nga ky muaj do te dërgohet si pagë sekondare, kurse pozita e punës ne Ministrinë e Shëndetësisë – mjeke specialiste ortodonte është pezulluar me vendim nga muaji tetor 2017”.
Por, në deklarimin e fundit të pasurisë që Reshitaj e ka bërë në AKK, figuron përsëri vendi i saj i punës në QSKUK, si mjeke specialiste. Madje, të hyrat vjetore nga kjo punë janë paraqitur në vlerë prej 2,779.47 euro.