Vajza nga Klina i lë familjes letër dhe ikën nga shtëpia: Dua ta jetoj jetën time

Lajme

Vajza nga Klina i lë familjes letër dhe ikën nga shtëpia: Dua ta jetoj jetën time

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 14:43
Donjeta Cenaj

Tri ditë pasi i kishte mbushur 18 vjet, Donjeta Cenaj, nga fshati Jagodë i komunës së Klinës, kishte dalë nga shtëpia e saj. Ajo i kishte njoftuar prindërit përmes një letre se po largohej nga shtëpia për të filluar një jetë të re, e vetme. Ua kishte sqaruar se nuk po martohej, por po planifikonte të jetonte jetën që ajo e do, mirëpo pa dhënë ndonjë detaj se çfarë. E krejt në fund, u kishte thënë se i do shumë.

Donjeta është larguar mëngjesin e ditës së djeshme nga shtëpia. Prindërit dhe familjarët nuk dinë asgjë për vendndodhjen e saj. Prindi i saj, Lumni Cenaj, e ka raportuar vajzën të zhdukur në polici.

Për Lumni Cenaj, vajzën e tij e përshkruan si të qetë, shumë serioze dhe të vetëdijshme. Ai thotë se Donjeta ka dalë rrallë në qytet dhe nuk ka qenë shumë e shoqëruar, pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar duke shikuar filma dhe seriale në lap-topin e saj.

Donjeta nuk shkonte në shkollë pasi ajo vitin e kaluar bashkë me familje ishte kthyer nga Gjermania dhe këtu nuk kishte mundur të regjistrohej në Gjimnaz.

“Donjeta ka qenë në shkollë deri në klasën e shtate këtu në fshat. Ne kemi shkuar në Gjermani në vitin 2014, atje ka kryer edhe tri vite shkollë. Jemi kthy vitin e kaluar në muajin tetor, kom tentu me regjistru në Gjimnaz, po skom mujt. U kan shumë e vetëdijshme, e qëte, serioze”, thotë prindi i saj për Express.

Ai thotë se vajza e tij s’ka bërë fjalë me askënd, ndërsa para tri ditësh më 18 qershor i ka mbushur 18 vjet.

“Ajo nuk ka shku askund, shumë rrallë ka dalë në qytet.Ka nejt te shpija në lap top të vetin.Ka kqyrë filma, seriale nashta ka shkru edhe me dikon nuk e di.Ka qenë shumë serioze”, thotë Cenaj. Rastin e ka raportuar edhe në polici. Driton Rugova nga policia rajonale e Pejës ka konfirmuar rastin.  “Prindi ka raportuar vajzën në polici, nga data 20 ajo nuk ndodhet në shtëpi. Janë njoftur prokurori dhe njësitë e hetimeve që po merren me rastin”, tha Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat