Një vepër me poezi të zgjedhura nga krujuesit e Dardanës…

Libra

Një vepër me poezi të zgjedhura nga krujuesit e Dardanës…

Më: 21 korrik 2016 Në ora: 18:29
Ballina e veprës në fjalë

Antologjitë letrare janë thesar që në vete tubojnë vlerat më të mira të krijuesve tanë. Ata që bëjnë përpjekje të tilla për të botuar libra antologjie dhe ia dalin në krye këtij “projekti” të çmuar e të rëndësishëm, puna e tyre e vullnetshme nuk do të harrohet, përkundrazi, do të çmohen shumë nga njohësit apo studiuesit e artit letrar. Dhe, nuk ka më bukur dhe më ndershëm se ta ruash këtë  thesar arti të kombit! Me këto vlera, letërsia jonë shqiptare jo vetëm se do të dëshmojë për përkushtimin e madh të krijuesve tanë, por ajo do të shënohet me shkrona të arta në analet shkrimore historisë së letërsisë sonë.

Andaj, ditë më parë, tre krijues të dëshmuar të jetës letrare, si: Hysen Këqiku (nga Gjilani) dhe Nexhat Rexha e Sinan Sadiku  (nga Dardana), botuan një libër (antologji) me poezi të zgjedhura nga krujuesit e Dardanës. Kjo është vepra e parë e këtij lloji e kësaj ane, e cila, si një, i ka tubuar të gjithë krijuesit e artit letrar nga Komuna e Dardanës. Vepra me poezi të zgjedhura është titulluar “Etje e pashuar”, e cila ka përfshirë poezitë e zgjedhura të krijuesve që janë me origjinë ose jetojnë në komunën e Dardanës (ish-Kamenica). Jo vetëm kaq.

Sipas autorëve të kësaj antologjie poetike, poezitë e krijuesve janë zgjedhur ato më të bukura, të cilat, sipas shijes hartuesve të librit në fjalë, kanë pasur vlerën e duhur poetike dhe artistike. Po ashtu, dëshira e autorëve në fjalë ka qenë që të  prezantojnë (gati) të gjithë krijuesit e Dardanës, të cilët, herët a vonë, kanë filluar të shkruajnë vargje në mënyrën e tyre poetike. Sipas këtyre autorëve në fjalë, vepra është “projektuar” si antologji me poezi të zgjedhura, të cilat vargje poetike lexuesi apo vlerësuesit e letërsisë do të kenë mundësi që këto vlera poetike t’i vërejnë e t’i sheshojnë në mënyrën e tyre si joshës të artit letrar.

Në parathënie të kësaj vepre thuhet edhe kjo se, “... disa nga krijuesit e prezentuar janë emra të njohur në suaza kombëtare, si bie fjala: Ali Huruglica (i ndjerë) - poet për fëmijë, Halil Matoshi - poet për të rritur dhe Ibrahim Ibishi (i ndjerë), i njohur më tepër si prozator, por edhe poet”.

Në këtë antologji poetike kanë zënë vend disa nga krijuesit e dëshmuar të kësaj ante të Dardanës, si: Alush Canaj ( i ndjerë), Avdush Canaj, Bajram Kosumi, Baki Krasniqi, Beqir Buzuku Daut Maliqi, Demir Krasniqi, Enver Shkodra, Halil Matoshi, Gani Sadiku, Hysen Këqiku, Hasije Selishta, Ganimet Klaiqi, Hysen Matoshi, Ibrahim Ibishi ( i ndjerë), Isa Dërmakku, Kimete Kryeziu, Mehmet Surdulli ( i ndjerë), Muharrem Shahiqi, Mehmetali Rexhepi, Musa Dushica, Musa Ahmeti, Mustafë Spahiu, Mustafë Morina, Nebih Bunjaku, Nexhat Buzuku, Nexhat Rexha, Rrustem Geci, Sabile Keçmezi – Basha, Sadri Ramabaja, Selman Vokshi, Sinan Sadiku, Shaban Cakolli,  Shaip Krasniqi, Shefik Shkodra, Shpresë Ajvazi, Zeqir Fazliu, Zymber Beshtica, Dr. sc. Faik Shkodra e disa të tjerë.

Redaktori i kësaj antologjie poetike, dr. Faik Shkodra, duke shtuar pak fjalë si “zyrtar” profesionist, pos tjerash, ai ka thënë se, “Në librin “Etje e pashuar” janë përshirë vetëm krijuesit e fjalës së bukur artistike të komunës së Dardanës. Autorët e librit siç e thonë në pjesën e “Fjala e autorëve”, nuk e kanë konsideruar punë të thjeshtë dhe të lehtë hartimin e një libri të kësaj natyre, aq më parë kur kihet parasysh kriteret, vështrirësitë dhe prirjet për të  bërë përzgjedhjet e mundhshme më të bukura, më të  qëlluara dhe më të  fuqishme të poezive, përkatësisht të pjesëve të shkëputura nga tërë opusi letrar i tyre” (f.345).

 

Dr. F. Shkodra ka shtuar edhe këtë se, “poetët, me krijimet e tyre kanë nxjerrë në dritë të dhëna  dhe fakte të shumta mbi problemet e rënda, që kanë rënduar shumë në shpirtin dhe jetën etyre të vështirë. Pra, “në këtë libër gjejmë edhe krijues që merren me fushën e kulturës  dhe jetës muzikore. Në ato pak krijime të kësaj fushe, lexuesi kupton se sa i pasur, sa i shumëllojshëm është folklori, për të cilin duhet të kujdesemi jo vetëm ta kultivojmë dhe ruajmë si duhet, por as ta mëos e  bastardojmë” (f.347). Më në fund do të shtonim se, krijimet e botuara në këtë vepër mjaft vuluminoze me poezi të përzgjedhura, paraqesin vazhdimësinë dhe pafundësinë e krijimeve shpirtërore të krijuesve. Këtu kemi një “tufë” vargjesh margaritë, ku, duke i lexuar atlo, na rrah zemra, na dridhet zëri dhe nga brenda ndjejmë dridhje shpirtërore që na pëlqejnë ose, në të kundërtën, na “shqetësojnë” për motivet e trajtuara nga krijuesit në fjalë. Është një vepër që ia vlen jo vëtëm të lexohet, por edhe të vlerësohet dhe të ruhet me gjelozi. Vepra në fjalë ka 362 faqe.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat