Konvencioni i numrit 13 tej fatalitetit njerëzor

Libra

Konvencioni i numrit 13 tej fatalitetit njerëzor

Lulzim Logu Nga Lulzim Logu Më 19 tetor 2016 Në ora: 17:35
Kopertina

-Përjetim i mënjëhershëm pas leximit të romanit “Shtrati 13”

Përballja me vdekjen , pavarësisht çastit, moshës apo mënyrës mbetet ndoshta obsesioni më i shpeshtë i njeriut.Shfaqet edhe atherë kur mendon se je në kulmin e forcave dhe hepohesh dëshirah të flakta rinore në trajtën e beftë të një mendimi drithërues:”Po sikur ta humbas papritur jetën?!” …

Dhe brenda vetes të ngjan se shëmbet rrëmbimthi dhe pakuptueshëm ndërtesa e ëndrrave tua ma të bukura nën një pluhur të verdhë, si pluhur kozmik…
Shfaqet edhe atherë kur maturohesh dhe gjen prehjen e realizimeve tua vetjake dhe përpiqesh ta shijosh arritjen tënde, duke korigjuar sadopak të kaluarën marrëmëndëse, nën analizën e fajeve apo mëkateve, sigurisht edhe duke buzëqeshur me krenarinë e të qënit ai që ke merituar të jesh…

Aq më tepër, ky obsesion bëhet fqinji i qënjes tonë, kur fillojmë të zbresim piramidës jetësore, kur forcat shkrehen, besimi shurdhohet si këmbanat e vjetra dhe jetojmë më së shumti kujtimesh dhe shpresash të vakëta, që shuhen ndonjëherë si zërat e zogjve muzgjeve të ditëve në vjeshtën e jetës…

I japim sipas situatave vdekjes ngjyra dhe trajta diverse, biles përpiqemi jo pak herë ta minimizojmë efektin e saj shues, ta pranojmë si pjesë e pashmangshme tonën, më pas ethet e mendimit të zbutur egërtohen dhe pamja e saj e frikshme dominon ekzistencën tonë si një kërcënim që rri si një trokitje e paparashikueshme të porta.
E cila vjen si gjithmonë bash atherë kur nuk e pret dhe ngre krye një pyetje aq ekzistenciale:”Perse tash, perse mua?!”

Unë e kam pritur këtë roman të Palushit me kohë, qëkur kisha lexuar dhe rilexuar romanet e tij:” Përroi i andrrës  2004;”Tri motra në një qytet” 2006;2011 ; “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” 2007 ;”Artemisa e mëkatit” 2010  dhe” Këpucët e Kaltrinës” 2013 .

Një kolanë dinjitoze prej romancieri me personalitet, i cili dukshëm ka bërë diferencën me krijuesit e tjerë të kësaj gjinie, për shkak të tematikës adekuate me kohën, të kompozimit befasues të lëndës përmes një formësimi vertetë modern, ku gjuha spikat fuqishëm me shtjellat dhe tonet e saj të larmishme, ku ngjyhet e folmja e përditshme, sentencat e paharrueshme të traditës si dhe shkëlqimi përfekt i fjalëformimeve të reja, të cilat i japin kuptim dhe interpretim më kompleks situatave dhe sjelljes së personazheve të galerisë së tij romanore.

Padyshim tashmë Petrit Palushi është një mjeshtër i romanit, ka tharmin e vet natyror të rrëfimit, sidomos përmes përsiatjes psikofizike dhe dimensionin social tematik, që ngërthen në lexim lexuesit e shumë shijeve, moshave dhe karaktereve.Sfondi i ngjarjeve, sidomos në romanin “Shtrati 13” ka ngjyra të errta, muzgu dhe errësira sikur bërtasin pas kuintave të tij si një dhembje e pafajshme jete dhe sejcili prej nesh që po lexojmë, kapërthurim fatin dhe mendësitë tona , me fatin dhe mendësitë rreth jetës dhe vdekjes se personazhit kryesor Ulpian Ashtegu, por edhe me shtigjet e mbijetesës së tij.

Ankthi dhe shpresa janë aq ngat njëri tjetrit saqë personazhi, por edhe ne, jetojmë si të dyzuar edhe jetën reale, edhe atë që na pret pas derës së fatit, edhe atë që sapo ka mbërritur dhe nuk e dimë sesi e ka emrin, vazhdim apo perëndimi i pamerituar…

E trishta në këtë roman të Palushit ka ngjyrë të ndërmjetme, diçka e papërcaktuar midis agut dhe muzgut, midis shpresës dhe humbjes së saj, rrok një dilemë aq sublime sa dilema e mbrojtjes së jetës karshi vdekjes, duke u përpjekur ta mbushë boshllëkun mes tyre me afsh kujtimesh, me tis malli dhe krenari të veprimeve serioze në dobi të vetes dhe ndaj të tjerëve.Kufiri mes jetës dhe vdekjes afrohet, ngjeshet, përballet në morinë e ngjarjeve që kanë ndodhur dhe të atyre që do të mund apo ndoshta duhet të ndodhnin, plotësimi, kapërcimi apo mos realizimi i dëshirave janë akti i gjatë i rrëfimit metaforik të një individi, por dhe të një shoqërie kundrejt të shkuarës dhe fundit të vet të pashmanshëm.

Midis racionalitetit dhe irracionalitetit ka një tavan aq të hollë, përmes të cilës personazhi dhe lexuesit mund të shkëmbejnë diskursin e mendimeve të veta rreth vdekjes dhe jetës, rreth mundimit dhe shpresës, mes angushtisë së errësirës në prespektivë dhe llambës së zbehtë që ka nisur të shuhet diku pranë.Sikurse dhe e vetëdijshmja dhe e pavetëdijshmja brenda honeve të qënies, e cila ka filluar që fëmininë e largët, që dominon atmosferën, duke derdhur mbi mure sadopak nuanca drite mbi shtatin e fundit, numri i të cilit ngjan me konvencionin e shpeshtë të fatalitetit njerëzor.

Por edhe fataliteti, në prozën e Palushit, merr forma më pranuese si pjesë e fatit dhe ekzistencës, sesi duhet pritur efekti i tij na rrëfen aq çuditshëm personazhi i tij i ëndërrt, në kthinat e ditve që kalon në shtatin e vet të ngujuar poshtë tavanit të hollë mes jetës a vdekjes, mes mendimit apo ikjes së ngadaltë të shpirtit, mes qënjes apo iluzionit. Duke lexuar, si një lexues besnik i obsesionuar me kohë ndaj trillit rrënqethës artistik të këtij autori, ndaj realizmit të tij magjik të temave që vjel papra nga provinca e vet dhe nga memoria origjinale gjuhësore dhe figurative, duke i ngritur në nivelin marrëmëndës të një kryeqëndre letrare dhe kulturore, mbetem pafjalë, kur e mbaroj me një frymë librin e tij.

Vite më parë, unë e kam përjetuar këtë lloj sage shpirtërore dhe fizike, kur në një dhomë, me nr. të përafërt me dhomën e romanit të tij, në repartin e kardiologjisë të spitalit qendror të Tiranës, për javë të tëra shpresova të kapërcej vijën fatale mes jetës dhe vdekjes së babait tim, bash kur ai ndodhej në mundësinë e krenisë së tij jetësore dhe në kulmin e tij të produktit intelektual, me ndihmën e mjekëve, solidaritetit njerëzor, të dashurisë  dhe shpresës…
Ndaj e kuptoj, e ndjej aq të besueshme ndodhinë dhe persiatjen e tij, përmes ndodhive dhe persiatjeve të Ashtegut në dhomën me Nr.13, një numër padyshim jo i rastësishëm…

Ky libër ka aq kontrast rrëfimor, frazë të shkurtër , por kuptimplotë dhe domethënëse, hijeshi të pakrahasueshme të figuracionit,ekuilibër të prekshëm dhe të çuditshëm mes mistikës dhe reales në përdorimin korrekt të miteve, legjendave dhe rrëfenjave, një brishtësi vezulluese të imazheve natyrore dhe gjuhësore, një pasuri të paçmueshme të fjalëve të rralla.Në plotninë e synuar të rrëfimit dhe mesazhit tekstual, autori ja ka arritur të ruajë ritmin dhe pjekurinë e gjykimit letrar dhe harmoninë e përcjelljes së mesazhit filozofik dhe jo vetëm tek lexuesi i tij, që pajtohem me disa kritikë të veprës së tij, se ndoshta s’mund të jetë masiv për arsye të nivelit, por i veçantë.Pjesë e natyrshme e bashkëbisedimit të tij kualitativ dhe bashkëkohor, i cili premton vepra të tjera edhe më cilësore.
 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat