Fryma e tharmi jetësor, mistik e profetik në poezinë e Hasan Selimit

Libra

Fryma e tharmi jetësor, mistik e profetik në poezinë e Hasan Selimit

Nga: Zenun Hysenukaj Më: 20 dhjetor 2016 Në ora: 23:52
Ilustrim

Nuk besoj të ketë poet të kësaj bote që në poezi të  mos  iu këndojnë apo mos ta ngrejnë çerdhen e tyre zogjtë. Kjo shihet e ndihet dhe në këtë poezi të Hasan Selimit: “Në pranverën e hershme takova lule / Në një rreze të zbehtë dielli ngrohej / E hapur, siç hap zogu krahët / Krenueshëm më uroj pranverë”/. Pra, ata i përshkojnë qiellin dhe fjalët. Si era, uji, ata ftillojnë ëndrren e njeriut për fluturim e hapësira jete pa kufi. Janë kasnecët e parë mitik, të rrëzimit të mureve. Toka dhe qielli frymojnë si një fjalë e vetme, a si një varg i thyer më dysh i poezisë së Hasan Selimit.

Tek ky poet me individualitet krijues ndihesh i qarkuar nga zëra, nga pamje e metafora, të befta e hirëplotë. Në krijimet e tij thith ajër të kaltër poetik dhe ndigjon hapat e ndritur të jetës. Poeti e mban përballë portretin e babës dhe prêt mos i plotësohen mendimet. Ai ndigjon blegërimën e deleve, të lehurat e qenëve, hingëllimën e kalit diku në male. Pra, poeti Hasan Selimi, e ka energjinë e fshehur të gjërave të brishta, të luleve, të ujërave të vetmisë, të kujtimeve fëmijërore dhe barit që këndon nën kosë.

Poeti Hasan Selimi e sheh botën me dëlirësinë e syve të fëmijës, por tashti poeti është një fëmi i pjekur. Iu afrohet sendeve me drojtje, përgjërim e intimitet të ngrohtë, çiltërsisht, në paqe me ta.

Botën e përndritë dashuria. Poeti Hasan Selimi e sheh dashurinë në shtegun e arës e të malit, në fund të livadhit, në qiellin e vjeshtës, në borën e dimrit. Pra, kudo, poeti flet dhe ndjell dashuri njerëzore, jetësore, profetike.

Poeti Hasan Selimi është një udhëtar i vetmuar, por në një vetmi të pa evidentuar , atë e shoqëron një dallandyshe, një përrua, një shteg, shiu që e lag lutjen e hershme të njeriut. Me të udhëton portreti i babës , dora e nënës që e tërheq pas vetes diku në bjeshkë. Ai flet me engjujt, kur thot’ se ara është mbetë pa shatë, e livadhi pa kosë. Këtu është edhe mistika e tij jetësore. Në krejt librin e tij nuk e ndesha asnjëherë fjalën djall’, pasi në se do të shkruante për të patjetër do t’i skiconte me ngjyrë të errët tiparet e tij. Ai i largohet kësaj figure me mospërfillje, larg syrit e fjalës së tij poetike.

Poeti Hasan Selimi gjithmonë ëndërron që fytyra e artë e vdekjes të jetë krejtësisht e pastër. Pra, në mënyrë mistike poezia e tij është jetësore, ajo e shpreh dashurinë në mënyrën më të përkryer morale.

Në krijimtarinë e tij poetike Hasan Selimi na paraqitet i gjerë, i vetmuar, i përunjur dhe i qëndrueshëm… Kjo do të thotë se ai na i kujton dërvishët tanë të kahershëm. Kjo frymë e ky tharmë, ku më shumë e ku më pak, dhanë frutet e arta poetike tek Naimi, Lasgushi, baba Meleq, tek Dritëroi, por dhe vet Haxhi Za Baba do të bashkohej me racën fisnike të këtyre poetëve. Thelbit të natyrës krijuese të poetëve të shquar më duket se i shkojnë për shtat këto fjalë të shkrimtarit zvicerian RAMAZ (1870-1941): “Artistët janë njerëzit më vetmitarë e njëkohësisht më pak të vetmuar. Ata hipin e zbresin brenda vetes dhe herë pas here përjetojnë shkrirjen e përkryer me gjithësinë e krijuar si dhe anasjelltas shkëputen prej saj. Ata komunikojnë me gjitha krijesat, ndonëse të shkëputur prej tyre. Ata arrijnë të lidhen me njerëzit nëpërmjet imagjinatës, por si përmes fillit të perit që mund të këputet. Unë mendoj se filli mes kulturave mund të hollohet, por nuk këputet kurrë”.

 Tiranë, 18 dhjetor 2016

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat