Atë Gjergj Fishta dhe universi pafund i vlerave tona kombëtare dhe i mistereve të shpirtit njerëzor

Libra

Atë Gjergj Fishta dhe universi pafund i vlerave tona kombëtare dhe i mistereve të shpirtit njerëzor

Nga: Enver Sulaj Më: 31 dhjetor 2016 Në ora: 11:11
Libri “Atë Gjergj Fishta- filozof, ideolog kombëtar dhe vizionar”

Libri “Atë Gjergj Fishta- filozof, ideolog kombëtar dhe vizionar” është një përmbledhje studimesh interesante mbi figurën shumëdimensionale të Atë Gjergj Fishtës, që janë lexuar në sesionin me të njëjtën temë, organizuar nga Shoqata e Intelektualëve “Trojet e Arbrit”, që u mbajt më 31 korrik 2016, në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ky libër, në njëfarë forme, është pjesë e dialogut të paprerë, që synon t’u japë përgjigjen e merituar, përmes argumenteve e fakteve shkencore, mohuesve të vjetër e të rinj të veprës së Fishtës, por edhe përbaltësve të jetës së tij, që e lanë pa varr, por nuk arritën dot t’ia zhbëjnë emrin. 


Në shënimin hyrës, mr.sc. Nue Oroshi thekson rëndësinë e librit, por edhe të sesionit shkencor, i cili mbahet pas 76 vjetësh nga vdekja e poetit të madh, me pjesëmarrës nga të gjitha trojet etnike shqiptare dhe nga diaspora shqiptare, që kishin ardhur për të përkujtuar dhe për t’i dokumentuar të dhënat e reja historike e faktet shkencore lidhur me ideologun e kombit shqiptar, Atë Gjergj Fishtën.

Përmes një qasjeje origjinale, libri ofron të dhëna të shumëta e interesante nga jeta e Atë Fishtës, duke filluar nga lindja, shkollimi, puna meshtarake, për t’u ndalur te profili krijues e intelektual i tij, që sigurisht, përbën pjesën më të madhe të teksteve në këtë libër.

Në kohërat e turbullta, në fundt të shekullit XIX, kur Perandoria Osmane përjetonte grahmat e fundit, e tokat shqiptare po shërbenin si monedhë kusuritjeje, e shtete fqinje po bëheshin gati t’i suleshin tokës arbërore, për të shkëputur ndonjë copë, në këso rrethana kombit tonë po i dilte një mbrojtës i denjë- Patër Gjergj Fishta. Pra, Patër Gjergji në atë kapërcyell shekujsh lojti rol kryesor, duke u bërë pjesë e rëndësishme e asaj kryeure që lidhi Rilindjen tonë Kombëtare me Pavarësinë e Shqipërisë, -vlerëson mes tjerash në shkrimin „Atë Gjergj Fishta-filozof, ideolog kombëtar dhe vizionar“, studiuesi Mërgim Korça. Më tej numërohen argumente pafund, ku spikat profili intelektual e atdhetar i Atë Fishtës, duke filluar nga Kongresi i Manastirit (1908), ku ai ishte kryetar i Komisionit të Alfabetiti, ngritja e flamurit shqiptar në vitin 1913 në Kishën e Gjuhadollit dhe lidhjen e kumbonares së saj me një banderolë dritash e flamujsh me minaren e xhamisë së Fushë Qelës, në shenjë revolte kundër fuqive ndërkombetare që po mbanin të rrethuar Shkodrën, por edhe për të dëshmuar bashkimin ndërshqiptar pa dallim feje etj. Momente tjera të rëndësishme janë pjesëmarrja në Konferencën e Paqes në Paris (1019), ku spikat fjalimi i tij argumentues në mbrotje të çështjes shqiptare, si dhe aktiviteti i tij politik, kulturor, letrar, etj. Studiuesi Korça ndalet në dy momente interesante në jetën e Atë Fishtës, qëndrimin e tij antisllav dhe anëtarësimin në Akademinë Italiane të Shkencave, fakte këto që përgjatë tërë periudhës komuniste, por edhe më vonë, janë përdorur si mjete sulmesh të paskrupullta për të përndjekur deri në mohim poetin e madh.

Se qëndrimi komunist ndaj Fishtës dhe akuza ndaj tij si gjoja apologjet shovinizmi, ishte thellësisht ideologjike dhe e mbështetur në idenë e vëllazërimit me popujt sllavë, dëshmohet në artikullin e gazetës “Bashkimi” të datës 22 gusht 1947, ku, citohet fjalimi i diktatorit Enver Hoxha në Pleniumin e IV të rinisë komuniste: “…Dashuria e popujve të Jugosllavisë, e mareshalit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e një mike kaq të fortë, kaq të sinqertë, siç është Jugosllavia…Miqësia ka ekzistuar përgjatë shekujsh e rrebeshesh në mes popujve tanë dhe atyre malazezë. Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit Italian, shovinisti Atë Fishta me “Lahutën e malësisë”, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t’i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrejë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmëndur...” (Mërgim Korça, fq.12-13). Pozicionimi i qartë i Fishtës kundër pushtimit italian është shprehur edhe në fjalimin e tij si akademik, ku ai kishte thënë: “…Rezistenca që romakët hasën ndër fiset dhe mbretëritë ilire, të gjitha ndodhën sepse ilirët e panë menjëherë se trupat romake po sillnin robërinë në vend të lirisë…” (fq.15). Në grahmat e fundit të jetës, Fishta kishte thënë: “Nuk po më vjen keq se po des, mbasi gjith atje kena me shkue, por po më vjen randë se tanë jetën e kam shkri për të pa një Shqypni të lirë e në vedi, ndërsa sot po e la të shkelun prej ushtrive të hueja” (nga kujtimet e Imzot Gaspër Thaçit, fq.15). Në lidhje me këtë, studiuesi tjetër, Daniel Gazuli, në kumtesën “Vështrim mbi jetën dhe veprën e Atë Gjergj Fishtës”, thotë se pushtimi fashist nuk mund të ishte tjetër veç vdekja e tij shpirtërore, ndërsa dekorata që iu dha “ishte një titull që do ta kishte meritue me kohë dhe që do t’i bante nder çdo shkrimtari bashkëkohor, por në rrethanat e kohës kur iu dha, ishte thjesht një mjet propagande fyese mbi të cilën asht abuzue kaq shumë e me ligësi për 46 vjet me radhë, sepse ai nuk kishte nevojë për atë titull, sepse vlerësimin ma të naltë ia kishte dhanë atdheu, tue e quejtë për së gjalli Poet Kombëtar, ia kishin dhanë idhtarët e tij kudo flitej shqip e jo vetëm ku flitej shqip: prej Joklit te Lambertzi etj” (Daniel Gazuli, fq. 96).

Studiuesi tjetër, dr. ph. Kastriot Marku, në studimin e tij “Fenomeni Fishta në kulturën shqiptare”, përmes burimesh të shumta, ravijëzon rrugën jetësore të Atë Fishtës, duke u ndalur edhe te qasja e kritikës letrare, sidomos e asaj të viteve 1944-1990, e cila, si rrjedhojë e mungesës së qarkullimit të veprës së këtij autori, përbën një paradoks më vete, sepse ka nxitur edhe vlerësime të gabuara dhe në mjaft raste tendencioze dhe dashakeqëse. “Fishta përfaqëson shqiptarin fenomenal, njeriun, klerikun, poetin, dramaturgun, publicistin, oratorin, filozofin, estetin, kritikun, përkthyesin, pedagogun, sociologun, gazetarin dhe botuesin, politikanin dhe diplomatin, e mbi të gjitha atdhetarin e klasit të parë, i cili do t’u mungonte për 45 vjet me radhë leximeve e studimeve, por do të jetonte në mendjet dhe kujtesën e ish- nxënësve, bashkëkohësve të shkolluar apo analfabetë, të cilët ia dinin poezitë përmendësh” (dr. ph. Kastriot Marku, fq.24). Më tej, studiuesi Marku ndalet te arsimimi i Fishtës, aktiviteti meshtarak, konataktet me klerikët e inetelektualët e njohur të kohës (abat Doçin, dom Dedë Kolecin, dom Ndoc Nikajn, Atë Pashk Bardhin, Atë Ambroz Marlaskajn dhe Luigj Gurakuqin), kontributin në Kongresin e Alfabetit në Manastir (1908), veprimtarinë publicistike, Komisinë Letrare (Shkodër 1916), veprimtarinë politike, etj., duke u ndalur te krijimtria letare e Fishtës, që përbën një kapitull më vete, me vlerat e saj, idetë që përçon, mjeshtrinë artistike, stilin etj. Jo më kot, studiuesi Marku thotë se Fishta ka qenë, është dhe do të mbetet një fenomen i papërsëritshëm i kulturës dhe i botës shqiptare. Duke e lexuar Fishtën në mënyrë komplete, gjithë opusin e tij, shqiptari njeh veten poet, ndërsa Fishtën vëlla të vet. Tipar tjetër i krijimtarisë së Fishtës është “aftësia për ta përshkuar mistikën dhe për ta bërë të nëpërdukshme, zotësi kjo që vërehet tek lirikat fetare të cilat e tregojnë Fishtën si teolog të madh, i cili në mënyrë mistike e përjeton shëlbimin dhe mundohet ta bëjë gjë të kapshme edhe për vdektarët tjerë, shkruan mes tjerash don Pren Kola, duke trajtuar dimensionin poetik të Fishtës, e veçanërisht lirikat fetare, në kumtesën “Dy fjalë për lirikat fetare të Atë Gjergj Fishtës”. Fishta e beson thellë Hyjin, e njeh Zotin dhe përgjërohet me të në bazë të Biblës, por si idealist që ishte, Zotin ia bën të mundshme edhe mendja e shëndoshë, arsyeja e kulluar duke pasë kundruar dhe përsiatur natyrën dhe ligjet e arsyeshmërisë (Don Pren Kola, fq.110).

Eugjen Merlika, në punimin “Shqipëria në publicistikën e Atë Gjergj Fishtës” trajton hollësisht këtë fushë, duke u ndalur te idetë origjinale dhe vizionin që kishte ai për Shqipërinë, që fatkeqësisht nuk u jetësua kurrë. Fishta filloi të botonte revistën ”Hylli i Dritës” në vitin 1913. Është me mjaft interes artikulli tij i gjatë me titull “A janë të zott shqiptarët me u mbajtë shtet m’vedi”, ku polemizonte me studiuesin serb Vladan Gjorgjeviq, i cili fliste për gjoja “paaftësitë shtetformuese të shqiptarëve”, tezë kjo përmes së cilës synonte të krijonte një opinion europian antishqiptar. Fishta polemizon edhe me shtypin e huaj të asaj kohe që kishte rënë në kurthën slave, për t’i yshtur kundër shqiptarëve, duke ofruar fakte historike për një pohim të tillë, duke përmendur motivet historike, politike e gjeografike që kanë përcaktuar rrjedhën e ngjarjeve në Ballkan (Eugjen Merlika, fq.73). Fishta, poashtu ka qëndrim kritik ndaj fuqive europiane dhe padrejtësitë ndaj shqiptarëve, ndasitë ndërshqiptare, qeverinë e princ Vidit, rebelimin anadollak të Musa Qazimit e Haxhi Qamilit, kohë kur shteti i ri shqiptar humbi lidhjet me Europën, shkollimin dhe emancipimin, etj. Autori ndalet poashtu te aktiviteti si deputet i Parlamentit Shqiptar të Atë Fishtës, si sekretar i Dërgatës Shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, ku kryetar ishte Imzot Luigj Bumçi, paraqet pastaj mendime mbi jetën parlamentare e sjelljet jo të mira të deputetëve, dukuri këto negative që përshkojnë skenën politike ndër shqiptarë etj. Se sa i dëshpëruar ishte Fishta me zhvillimet poltike shqiptare, dëshmon një letër e Mustafa Krujës, drejtuar Atë Paulin Margjokajt:” …I mjeri Fishtë, sa i dëshpryem ka dekun! S’e harroj kurrë, kur u përpiqshem në Shkodër në 1920 me ia mbushun menden qi të hartojshim bashkë nji program partije politike. Mbasi më suell do kohë me fjalë, s’i gjeti vetit rrugë tjetër, veçse me më shporrë me të vërtetën e idhët që mendonte: ”Pse po lodhe, more Mustafë, më tha, Shqipnija që duem ti e un nuk bahet”! (Eugjen Merlika, fq.83)

Sipas studiuesit dr. Nexhat Çoçaj, Atë Gjergj Fishta ka vënë bazat e etnografisë shqiptare, së bashku me Atë Shtjefën Gjeçovin. Ai, më tej thotë se në epikën e Fishtës gjejmë odën shqiptare, mënyrën e të ushqyerit, shtrojën etj. që janë elemente të etnografisë, si dhe ritet e ceremonive familjare, që e shoqërojnë veprën e Fishtës nga fillimi deri në mbarim. Më tej, sipas tij, në aspektin etnografik, vepra e Fishtës ende qëndron themeltare e kësaj shkence dhe mund të gjesh elemente etnografike në çdo faqe që ka shkruar Fishta. Në kryeveprën e Fishtës, përmenden 111 figura mitologjike, ku të gjitha janë figura tërësisht shqiptare dhe pagane.

Prof. dr. Zeqir Kadriu në kumtesën “Fishta vizionar proeuropian që në Kongresin e Manstirit”, trajton kontributin e Fishtës në Kongesin e Alfabetit në Manastir, ku luajti një rol vendimtar për alfabetin e përbashkët, duke kapërcyer dallimet e kontradiktat në mes pjesëmarrësve, shpesh edhe ekstreme, sipas të cilëve „shkrimi i shqipes nuk do të duhej t’i hidhëronte pashallarët e sundimtarët“ (fq.104). Prof.dr. Riza Sadiku, sjell për lexuesit kumtesën e tij ku trajtohet personaliteti i Atë Fishtës në shtypin e Ballit Kombëtar, konkretisht në gazetën “Flamuri”, të datës 29 shkurt 1956, të shkruara më rastin e 15- vjetorit të vdekjes së autorit. Aty shprehen vlerësimet më të larta për të, duke nënvizuar vlerat që ofron krijimtaria e tij, si dhe aktivitetin e tij të jashtëzakonshëm në fushën shoqërore, kulturoe, politike etj.

Mr.sc.Rezehana Hysa, në shkrimin „Atë Gjergj Fishta figurë e shquar e historiografisë shqiptare“, thotë se veç letërsisë, krijimtarisë letrare dhe mësuesisë, Atë Gjergj Fishta ishte i pranishëm në të gjitha evenimentet e rëndësishme të kombit, si në Kongresin e Manastirit (1908), Konferencën e Paqes në Paris (1919), në Konferecën e Stambollit (1931), Bukureshtit (1932), njohjen e Shqipërisë nga SHBA dhe krijimin e marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet, etj. Dr. sc. Ermelinda Kashah, në kumtesën “Gjergj Fishta, teoricient i fjalës artistike”, thotë se “standardet tradicionale që shkrimtari përdori, polifonizmi emocional, strukturor dhe kohësor, krijuan reaksionin e ndërsjellë ndaj koncepteve provinciale, duke shkoqitur dhe segmente surrealiste dhe duke trupëzuar natyrshëm mjaft mesazhe dhe eksperimente konceptuale e ligjërimore te shekullit tonë”. Fishta, si mjeshtër i fjalës artistike, e objektivizon procesin letrar të kohëve tona, që është i rrëshqitshëm dhe i pakapshëm, si çdo art tjetër bashkëkohor. 
Studiuesi e publicisti Frrok Kristaj, në kumtesën e tij jep informacione interesante lidhur me një dimension pak të trajtuar të Fishtës- talentin e tij për pikturën. Atë Gjergj Fishta ka lënë 57 piktura, përkatësisht grafika, prej të cilave 56 janë të njohura në Shqipëri, kurse një grafikë ku e ka portretizuar sivaëllanë e tij, Atë Shtjefën Gjeçovin, gjendet në Kosovë, si pjesë e një koleksionisti privat kroat, që jeton në Janjevë, afër Lipjanit, shkruan Kristaj. 

Në një letër të hapur, drejtuar vite më parë autoriteteve shtetërore shqipare, por edhe atyre fetare, studiuesi Fritz Radovani sjell një dëshmi, sipas së cilës eshtrat e Atë Fishtës, nuk janë hedhur në lumin Drin, por janë varrosur në varrezat e Rrëmajit. Ky pohim, mbështetet në një takim që autori i letrës kishte pasur me një ish-roje të varreve, i cili i kishte rrëfyer atij: ”Fritz, Pashë Shpirtnat e Atyne të vdekunve që ke në këtë vend, dhe që nga njohja me ta, po të besoj edhe ty, të lutem mos me folë me asnjeri pa ardhë ajo kohë që ti ke me pasë mundësi me tregue,…se je i ri e një ditë…këtu, unë kam fut një thes qimentoje me eshtnat e At Gjergj Fishtës…”. (Fritz Radovani, fq. 237). 
Në librin “Atë Gjergj Fishta- filozof, ideolog, kombëtar dhe vizionar”, me punimet e tyre shkencore me vlerë të lartë paraqiten edhe studiuesit prof. dr. Bahtije Gërbeshi Zylfiu, Entela Kasi, poeti e studiuesi Fatmir Minguli, Tomë Mriaj, Sabri Maxhuni (Novosella), ma. Leonora Laçi, mr.sc. Helena Halilaj, Preng S. Gjikola, Klajd Kapinova, mr. sc. Engjëll I. Berisha, ma. sc. Lule Nela, Mehmet Gjoshaj, Abas Fejzullahi, ma. Kastriot I.Veselaj dhe ma. sc. Kristina Dedaj.

I ndodhur përballë mitizimit dhe himnizimit, figura e Atë Fishtës ka njohur ekstremet në të vlerësuar, sepse është folur për veprën, duke u nisur nga jeta dhe e kundërta. Sigurisht se madhështia e ideve të Fishtës dhe vlera e veprës së tij, edhe në të ardhmen, do të tërheqë studiuesit, të cilët, sigurisht do të kërkojnë thesaret që aty fshihen, por duke mos bërë gabime të qëllimshme e ideologjike, sepse kjo metodë vlerësimi lerësisë shqipe i ka kushtuar shumë, i ka bërë shumë dëme, në disa raste edhe të pandreqshme. 

Libri “Atë Gjergj Fishta- filozof, ideolog kombëtar dhe vizionar” dëshmon edhe një herë se vepra e tij , mbetet një pikë referimi e studiuesve të letërsisë, por edhe dijetarëve të fushave tjera, të cilët do të gjejnë aty një thesar që akoma mund të eksplorohet, sepse tashmë kemi të bëjmë me fenomenin Fishtë. Atë Fishta ka krijuar universin e vet letrar, i cili na grish të gjithëve të lundrojmë në hapësirat pafund, për të gjetur veten tonë të harruar e të dëbuar, shpresën për jetën e kombin tonë fisnik, dashurinë hyjnore e tokësore e misteret, që sa më shumë thellohemi, na bëjmë pjesë e universit të pafund fishtian, shkëlqimin e përjetshëm të të cilit nuk e zbehin aspak mjegullat e përkohshme, që i zhduk forca e dritës dhe vlerat e përbotshme që ajo përçon. 

Në pjesën dytë të librit “Atë Gjergj Fishta- filozof, ideolog, kombëtar dhe vizionar” një vend të rëndësishëm zënë kumtesat e studiuesve Ramadan Reshitajt, dr. Izber Hotit dhe mr. sc. Nue Oroshit, lidhur me punën intelektuale dhe veprimtarinë atdhetare të prof.dr. Muhamet Shatrit, në 70 vjetorin e lindjes, i cili është edhe bashkëthemelues i Shoqatës “Trojet e Arbrit” dhe kryetar i saj, që nga themelimi deri në korrik të vititi 2016. Në historiografinë tonë, prof.dr. Muhamet Shatri, mbetet një zë i veçantë prej studiuesi, hulumtuesi e historiani, një ekspert për Luftën e Dytë Botërore, sepse ka arritur që përmes dokumenteve arkivore të hedh dritë mbi shumë zhvillime dhe personalitete që shënuan ngjarje dhe epoka të ndryshme. Po ashtu, dr. Shatri shquhet edhe për veprimtarinë arsimore, në fushën e botimeve shkencore dhe publikimit të disa përmbledhjeve me dokumente nga gjuhë të huaja në shqip, shumë artikuj shkencorë, hartimin e disa monografive për personalitetet të kombit tonë. Një kapitull më vete është puna e tij në organizimin e mërgatës shqiptare në perëndim dhe veprimtaria e tij atdhetare në të mirë të çështjes shqiptare. Në projektin madhor kombëtar të Shoqatës “Trojet e Arbrit”, për të hedhur dritë mbi ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare të forcave të djathta nacionaliste, projekt që udhëhiqet prej prof. dr. Muhamet Shatrit, paraqitet me forcën e argumentit kontributi i të gjithë shqiptarëve, pa dallime krahinore e fetare.

Pjesa e dytë e librit, poashtu përmban materiale të ndryshme, si fotografi të Atë Gjergj Fishtës dhe fotografi ku pasqyrohet aktiviteti i shoqatës „Trojet e Arbrit“.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat