Blendi Fevziu dhe Ben Blushi, më të lexuarit në Kosovë

Libra

Blendi Fevziu dhe Ben Blushi, më të lexuarit në Kosovë

Më: 8 janar 2017 Në ora: 09:46
Blendi Fevziu dhe Ben Blushi

Libri i fundit i autorit Blendi Fevziu, “Pushteti”, dhe ai i Ben Blushit, “Kryeministri”, janë librat më të kërkuar gjatë vitit 2016 në libraritë e kryeqytetit të Kosovës.

Edon Zeneli, nga libraria “Buzuku” tha për KosovaPress se për shkak të pranisë së madhe nëpër media, librat e këtyre dy autorëve përbëjnë interes tek lexuesit, prandaj edhe këta dy libra janë më të kërkuarit.

Zeneli: Librat “Pushteti” dhe “Kryeministri” më të kërkuarit

“Autorët shqiptarë si Blendi Fevziu e Ben Blushi të cilët për shkak të pranisë së madhe nëpër media librat e tyre përbëjnë goxha interes tek lexuesit, së fundi u botua “Pushteti” nga Blendi Fevziu dhe romani “Kryeministri” nga Ben Blushi, këta janë momentalisht dy librat më të shitur”, tha ai.

Ndërsa nga libraria “Dukagjini”, Erza Mati, tha se janë librat e Blendi Fevziut, Ben Blushit dhe Ismail Kadaresë që kërkohen vazhdimisht.

Mati: Blendi Fevziu, Ben Blushi, Ismail Kadare gjithmonë të kërkuar

“Është Blendi Fevziu, është Ben Blushi dhe Ismail Kadare, që gjithnjë lexohen dhe po ashtu janë shitë gjithmonë”, tha ajo.

Edhe në librarinë “Artini”, Jahir Ahmeti, tha se interesim ka pasur për librat e këtyre dy autorëve, por që sipas tij edhe libri i Ibrahim Berishës “Vdekja e kolonisë” ka zgjuar interes tek lexuesit.

Në vitin 2016 ka ra në sy më shumë libri i Ibrahim Berishës “Vdekja e kolonisë”, libri i Harv Ekerit “Sekretet e mendjes milionere”, libri i Ben Blushit i fundit që u botua “Kryeministri” dhe Blendi Fevziu “Pushteti”, tha ai.

Image

Ndërsa, nga autorët e huaj që më së shumti janë kërkuar gjatë vitit 2016 janë libri i Svetllana Alesieviç “Zëra nga Çernobili”, libri i Patrick Modiano “Rruga e dyqaneve të errëta”, libri i Noel Malcolm “Kosova një histori e shkurtër” dhe libri i Harv Ekeri “Sekretet e mendjes milionere”.

Edon Zeneli nga libraria “Buzuku” tha se rëndom ndodh që nobelistët të lexohen dhe të kërkohen më shumë gjatë vitit.

Zeneli: Libri më i kërkuar është nga Svetllana Aleksieviç me “Zëra nga Çernobili”

“Gjatë 2016 ndër autorët më të kërkuar në librarinë tonë kanë qenë dy nobelistët paraprak është Svetllana Aleksieviç me “Zëra nga Çernobili”, i cili ka qenë libri më i shitur definitivisht gjatë vitit 2016, rëndom ndodh kështu nobeli jepet në fund të një viti si të zëmë këtë vit në fund të vitit 2016 çmimi ju dha Bob Dylan tash gjatë vitit 2017 me shumë gjasa do të jetë autori më i kërkuar, ndërkaq në fund të vitit 2015 Svetllana Aleksieviç fitoi çmimin nobel kësisoj gjatë vitit 2016 libri i saj ka qenë prej më të kërkuarve. Anas saj ka qenë edhe Patrick Modiano nobelist i vitit 2014 me librin “Rruga e dyqaneve të errëta” ai një prej romaneve më të kërkuar”, tha ai.

Erëza Mati, nga “Dukagjini”, tha se nga autorët e huaj libri më i kërkuar nga kosovarët gjatë vitit 2016, ka qenë libri i Noel Malcolm, “Kosova një histori e shkurtër”.

Mati: Libri më i lexuar është i Noel Malcolm, “Kosova një histori e shkurtër”

“Disa nga librat më të shitur të këtij viti duke i përfshi të gjitha zhanret, pasi që frekuentimi në librari ka qenë prej të gjitha moshave, disa prej më të shiturave kanë qenë edhe prej autorëve të huaj edhe prej autorëve shqiptarë ka qenë libri i Noel Malcolm, “Kosova një histori e shkurtër”. Po ashtu, edhe përkthimi i ri i librit “Agjentë perandorak” edhe ai ka pasur një interesim të madh tek lexuesit. Pastaj ka qenë pjesa e tetë e serisë së librave për Harry Potter dhe kjo ka qenë një ekskluzivitet në librari”, tha ajo.

Image

 

Në librarin “Artini”, Jahir Ahmeti tha se nga autorët e huaj është kërkuar më së shumti libri “Sekretet e mendjes milionere”, me autorë Harv Ekeri.

Ahmeti: Libri nga Harv Ekeri “Sekretet e mendjes milionere”, më i kërkuari

“Nga autorët e huaj më së shumti ka qenë Harv Ekeri “Sekretet e mendjes milionere”, “Psikologjia e suksesit 1, 2, 3, nga Dale Carnegie që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të shiten, Markezi “Jeto për të treguar”, tha ai.

Ndërkohë, gjatë gjithë vitit, shitje të madh ka pasur edhe seria prej tetë librave të Harry Potter.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat