Diplomati veteran në Bruksel boton libër mbi Shqipërinë nën sundimin komunist

Libra

Diplomati veteran në Bruksel boton libër mbi Shqipërinë nën sundimin komunist

Më: 2 shkurt 2017 Në ora: 10:39
Jorgji Kote gjatë promovimit të librit në Tiranë, më 10 nëntor 2017 (me Drejtoren e Përgjithshme të Shtëpisë Botuese “Toena” znj. Irena Toçi dhe profesoren Mirela Bogdani.

Gazeta e përditshme belge në gjuhën angleze “Brussels Times”, në numrin e saj të radhës të datës 29 janar 2017, ka botuar një shkrim të gjatë mbi librin e ri në gjuhën angleze “True Stories from Red Albania” të autorit Jorgji Kote, botim i Shtëpisë Botuese “Toena”. Shkrimin e plotë, të ilustruar me dy fotografi, mund ta lexoni të përkthyer në gjuhën shqipe.

Një libër i ri mbi Shqipërinë nën sundimin komunist i shkruar nga diplomati Jorgji Kote në Bruksel, tregon sesi, pavarësisht nga vështirësitë, njerëzit mundën të mbijetonin gjatë sundimit komunist.

Image
Libri True Stories from Red Albania

“True Stories from Red Albania” (Shtëpia Botuese “Toena”, Tiranë, 2016) përshkruan Shqipërinë në vitet 1945-1990. Libri përfshin edhe një parathënie të gazetares britanike Kate Holman.

Dikur, një vendi izoluar në Ballkan, që lëngonte nën peshën e një prej diktaturave më të egra të Pasluftës së Dytë Botërore, Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në BE. Ky vend duhet të zbatojë ende reforma, por, megjithatë, është në rrugën e duhur për të bërë aplikimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit, që janë miratuar për një të ardhme të afërt.

Diktatori Enver Hoxha, i cili sundoi Shqipërinë pas disfatës së Gjermanisë naziste, deri në vdekjen e tij, më 1985, ishte përgjegjësi për sistemin e vetë izolimit që u vendos në Shqipërinë e ndarë nga e gjithë bota, madje dhe nga vendet e tjera komuniste, me një shtypje të madhe brenda vendit. Do të duheshin edhe pesë vite të tjera deri më 1990 që në Shqipëri të vendosej demokracia.

Autori i librit “True Stories from Red Albania”, i dr. Jorgji Kotes, i cili aktualisht është diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Bruksel, i lindur në Tiranë, më 1952, u rrit në një vend jashtëzakonisht të varfër dhe në një regjim totalitar. Ai studio për anglisht dhe ekonomi dhe kjo i mundësoi atij karrierën si punonjës civil dhe diplomat.

Falë përvojave të tij si aktivist rinie, mësues, shoqërues i grupeve turistike dhe interpret, ai ka njohuri të thella mbi shoqërinë shqiptare të asaj kohe, ndaj dhe është personi i duhur për të përshkruar këtë periudhë të historisë së Shqipërisë. Kote thekson se ky libër është një seri ngjarjesh personale, duke përmendur, ndërkohë, edhe shokë dhe njerëz të tjerë që ai i admiron në “diasporën” shqiptare, ndërmjet të tjerash në Bruksel, komuniteti i begatë i të cilit daton qysh në vitet ’50.

Për ironi të fatit, edhe vetë Enver Hoxha u ekspozua ndaj Perëndimit gjatë kohës kur studionte në Francë në vitet ’30, duke u caktuar edhe sekretar personal i një diplomati shqiptar në Bruksel.

Nëpërmjet anekdotave dhe përvojave të veta, autori ia ka dalë mbanë të përshkruajë me ngjyra jetën e fëmijëve dhe të rriturve në Shqipëri gjatë atyre viteve. Ai ka kapur momentet kryesore të asaj periudhe, të cilat shërbejnë edhe si kujtesë lidhur me ateizmin e detyruar, kultin e personit, varfërinë dhe izolimin në një vend monist. Vetë Enver Hoxha përmendet kalimthi në libër, por fryma e tij ndihet se si vërtitet ngado.

Kote shkruan se “radhët e gjata për bukë e qumësht qysh herët në mëngjes, edhe pse 15 vjet pas Çlirimit nga Gjermania naziste, ishin bërë një rutinë e bezdisshme për të gjithë ne; për vite të tëra produktet ushqimore bazë mund të siguroheshin vetëm në qytet dhe kjo ndodhte në një vend ku bujqësia dominon tek ekonomia e vendit dhe kur kishte mungesa të mëdha për mallra konsumi. Gjatë viteve ’60, nisi të frynte një fllad i lehtë lirie, sidomos në fushën e arteve, kulturës dhe sporteve, që ishin mjaft popullore. Kjo mund t’i ketë ndihmuar njerëzit gjatë ndeshjes dhe përballimit të vështirësive ekonomike. Pas një fjalimi të Enver Hoxhës në shkurt 1967, në vend shpërtheu një zjarr antifetar, që çoi në shkatërrimin dhe djegien e mbi 2000 kishave, xhamive dhe objekteve të kultit. Shqipëria u shpall zyrtarisht vend ateist”.

Kote shkruan në librin e tij se “dishepujt e Krishtit u zëvendësuan nga 12 anëtarë të Byrosë Politike, portretet e të cilëve shiheshin kudo, me Enver Hoxhën në krye”. Shkollat u “revolucionarizuan” dhe mësuesit ishin të detyruar të fillonin mësimet në klasë me referenca ndaj marksizëm-leninizmit.

Pavarësisht, ose dhe për shkak të shtypjes politike, njerëzit u mësuan të vinin në përdorim dhe humorin, me qëllim që t’iu përshtateshin situatave nëpër të cilat kalonin, duke preferuar të qeshurat ndaj të qarave. Në libër jepen shumë shembuj të këtyre shakave të vërteta. Flokët e gjatë dhe mjekra ishin, gjithashtu, të ndalura edhe për turistët dhe të huajt; p.sh., edhe Karl Marksi vetë nuk do të ishte lejuar të hynte në atë vend! Apo kur një zyrtar pyeti një lektor lidhur me pohimin e këtij të fundit në një seminar se “pyjet janë ari i gjelbër”, duke iu referuar literaturës partiake. Lektori iu përgjigj: “Po mirë, mor shok i dashur, kur Partia thotë se nafta është ari i zi, përse të mos jenë dhe pyjet ar i gjelbër?!”.

Një rast konkret kujtese nga periudha komuniste janë dhe qindra e mijëra bunkerë që u ndërtuan gjatë atyre viteve për t’u mbrojtur nga armiqtë e pretenduar dhe kërcënimet imagjinare nga jashtë. Sot, bunkerët janë kthyer në atraksione turistike. Duke gjykuar mbi vështirësitë që ka kapërcyer Shqipëria gjatë tranzicionit në një demokraci me orientim tregu, e gatshme për ta drejtuar në BE, periudha komuniste ka lënë, gjithashtu, edhe plagë të tjera në shoqërinë shqiptare.

Shumë shqiptarë u detyruan të emigronin qysh gjatë periudhës komuniste, ndërsa qindra e mijëra të tjerë u larguan nga ai vend sapo u krijua mundësia. Gjithsesi, populli shqiptar i mbijetoi periudhës komuniste dhe tani mund të shohë përpara, drejt një të ardhmeje më të mirë. Ashtu siç e shkruan Kote në librin e tij të vogël, por tërheqës, rezistenca e popullit shqiptar u ushqye edhe nga lidhjet e fuqishme familjare dhe mbështetja në trashëgiminë e tij kulturore.

The Brussels Times

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat