"Me mua"

Libra

"Me mua"

Nga: Arber Shabanaj Më: 12 mars 2017 Në ora: 19:02
Kopertina e librit

Shumë të nderuar zonja dhe zotërinj, më lejoni, të ju prezentoj romanin tim të botuar. Në fushë të letrave është ndër veprat e para të mia, por jo vepër e jetës s‘ime. Se një tjetër vepër, si një ndër komandantët e një njësie të UÇK-së në Kosovë, unë me shokë, e kam shkruar gjatë luftës për liri.

Romanin e kam titulluar „Me Mua“. Pra është ky një ditar i atyre ditëve të zjarrta, kur rinia kosovare - e jo vetëm ajo - hodhi pushkën në sup, e japi edhe jetën që të zbohej nga vatrat uzurpatori shekullor serb dhe liria të përflakte çdo zemër shqiptare.

Siç edhe do ta lexoni, vepra ka shumë jetë, shumë dashuri, e mbi të gjitha shumë vërtetësi. Detyra ndaj Kosovës së robëruar, me sakrificën sublime e heroizmin, janë të shkrira organikisht dhe bëjnë apel sidomos për brezat që do të vijnë që, kurrë, në jetë të jetës, të mos harrojnë kalvarin shekullor të Kosovës për të mbrritur tek liria e pavarësia.

Si dëshmitar e protagonist i atyre ditëve të zjarrta, unë, si autor, nuk lë të paidentifikuar asnjë problem. Edhe pse mbajta në beteja flamurin e UÇK-së, edhe pse isha komandant i një njësie luftarake e cila ka shkruar me gjakun e dëshmorëve historikun e saj të lavdishëm, unë kam kurajon të ngrisë zërin e të themë disa gjëra për komandën eprore, se si disa punë e veprime duhej e mund të ishin bërë më mirë.

Gjethsesi, unë si komandant i ri në moshë, por jo në mendime, jamë krenar për çfarë kam bërë unë me shokët e mi. Këtë, përmes faqeve të librit, lexuesi e ndjen - siç e ndjen edhe modestinë - se çdo kush, që kishte në deje gjak shqiptari, këtë sakrificë ia kishte borxh Atdheut dhe Kosovës.

Ngadalë po mbushen dy dekada, qëkurë Kosova është „e lirë“, edhe pranverat e para kjo tanimë i celebron si „e pavarur“. Në varret e të rënëve ka veç lule të freskëta. Kështu do të ketë në çdo stinë të vitit. Janë këto lulet e shpirtit të Kosovës, që për të rënët nuk do të vyshken kurrë.

Të gjitha këto unë si autor i kam thënë e mendoj se kjo nuk është pakë. Librin tim e karakterizon puna e ime profesionale në sferën e literaturës dhe këtë e shoqëron një gjuhë e lartë, e kulluar Shqipe. Duke ditur se historiati i kombit tonë, shumë të çmueshëm Shqiptar, tanimë nuk trashëgohet vetëm gojarisht, por fatlumësisht ky transferohet edhe me shkrim, kështu në romanin tim janë të interpretuara në formën më të drejtë të vërtetat e pathëna, të cilat kanë ngelur në pluhurin e harresës. Por jamë i bindur se ky kapitull historik, kaq kapital, i emërtuar si panteon i një kombi, nuk lejohet kurrë të tretet në pluhurat e harresës. Sepse vetëm kështu mundemi njëherë dhe përgjithmonë të mësojmë nga gabimet.

Libri përbën një kontribut jo të papërfillshëm për historikun e Luftës Çlirimtare të UÇK- së e të Kosovës martire dhe, si i tillë, ky do të çmohet nga lexuesit që do ta marin në  duar.

Provë leximi

Është ora 23:00 e kësaj nate, e datës 27 maj 1999. Ka tri orë që luftohet intensivisht. Tri orë koncentrim në vijën e zjarrit! Errësira ka rënë gjithandej. Kështu edhe projektilët përvëlues, që porsa kanë dalë nga tytat e armëve, ngase hasin nëpër gurë, shihen se si fluturojnë nëpër ajër. Janë me mijëra e mijëra këso grimcash të kuqërrimta, të cilat dikur edhe zhduken në atmosferë... E kjo atmosferë, në këtë kohë, me siguri se as 0.01 m3 nuk ka më ajër të pastër!

Veç tym e barot! Pluhur, tym e barot! Gjithandej piroteknikë. Një pjesë e madhe ka depërtuar nepër organizimin e mushkëritë tona! Kaluan plot 48 orë qëkur jemi në luftë, të pa ngrënë, tmerrshëm të etur dhe akoma nuk na kanë furnizuar me bukë e me ujë dhe as me municion! As armët e rënda defekte nuk u zëvendsuan dot! Asgjë!...Kemi ngelur këtu e para nesh kemi një betejë, e cila mund të jetë edhe më e tmerrshme dhe më fatale për ne e për nderin e UÇK-së. Ushtarët e mi e të kësaj beteje nuk kanë momentalisht asgjë tjetër, përpos meje...

Arsimi më propozon të tërhiqemi, pasi ushtarët nuk janë vetëm të lodhur, por të cfilitur fare! Sepse nuk rezistojnë dot, ngase asnjë premtim ushtarak nuk u realizua deri më tani - asnjë! Jemi të dëshpëruar e të tradhëtuar që të gjithë. Kur papritur erdhi një njoftim tjetër i kobshëm. Shemsiu dhe Sevdija nuk i mbanin dot lotët:

“Komandant, o komandant, është vrarë Astriti!”, m’u drejtua Shemsiu. Lajmi i rënies në fushën e luftës të një trimi si Astriti më goditi rëndë. O Zot, a ishte e vërtetë që zemra e tij nuk rrihte më, ajo zemër që rrahu aq fort për Kosovën e lirinë e saj?!

“Bëmë gjithçka kishim në dorë, Arber, u munduam me gjithë shpirt, por më kot!”, m’u drejtua në vazhdim Sevdija, ndërsa lotët nuk i mbante dot. Nga goditja që mora në shpirt, për një moment harrova se isha në luftë dhe se gjithandej fluturonin projektilët e armëve të panumërta! Nuk më kujtohet saktësisht se a jam kërrusur gjatë rrugës që bëra për të shkuar tek dëshmori i lirisë. Dhe shpejt mbrrita tek trupi i tij. I kishin mbetur sytë veçse paksa të hapur, si të donte të më shihte për të fundit herë!

Ia mbylla sytë, si të mbyllja fletën e fundit të një libri. Të një libri, që ai e shkroi me gjakun e tij të pastër, këtu, në tokën e Pashtrikut! Këtu, në ballë të luftës me armiqtë e tërbuar të shqiptarëve, ra dëshmori Astrit Suli. Këtë, të cilin në Burrel, të vetëçuajturit eprorë të shtabit kosovar të atjeshëm - siç R. Saramati, I. Kodra, A. Mehani, I. Ademi e të tjerë të papërgjeshëm - padrejtësisht si “serbofil” e “grekofil” e etiketonin. Dha jetën për lirinë e Kosovës Astrit Suli, ky njeri i mënçur, trim e i bukur, një patriot i ri, nga i cili mësova shumëçka, edhe pse unë isha komandanti i tij! Rrallë herë në jetë ai e kishte ngopur barkun me bukë, dhe është tragjike për ndërgjegjet tona që ai vdiq si burrat, por i etur e me barkun bosh. Jetoi dhe vdiq i uritur!

Mbi të, me lotët e mi të pa zë, po ia njomi buzët e thara. Ia mora dorën në dorën time, dora e të cilit ishte bërë shpejt si akulli. Kisha ngelur disa minuta sipër tij e nuk e dija se më duhet të çohem, sepse gjëmimet e luftës më kujtonin se më prisnin shumë e shumë detyra të tjera...

E putha në ballë! E me zemër i thashë: “Lamtumirë, vëlla!” Shemsiu, Sevdija e Avniu po mundoheshin të më qetësonin dhe të më largonin nga heroi i shtrirë përdhe. Nuk qënka e lehtë që ushtarit tënd t’ia mbyllësh sytë e t’i kthesh shpinën! Por tronditja për vdekjen e tij më rëndon sa mali i Pashtrikut, kur marr vesh se Astriti qënka vrarë mbrapa shpine, nga thërmijat e granatave tona. Atëhere u betova mbi trupin e tij se një ditë do ta nxirrja të vërtetën në shesh! Ju betova këtij heroi, i cili fitoi përjetësinë, se do të flisja edhe për eprorët e papërgjegjshëm, të cilët dje ia hoqën për një kohë buzëqeshjen dhe e brengosën padrejtësisht, duke e etiketuar turpshëm për çfarë nuk i takonte. '

Do të rrëfeja edhe mbi ata analfabetër tejmase të ligë e kleptomanë të rrugëve evropiane - të cilët atëbotë çuditërisht edhe të drejtën e kishin, që në kazernën stërvitore ushtarake të UÇK-së në Burrel besa edhe eprorë ushtarak të ishin - të cilët një natë në Burrel deshën ta mbyllnin Astritin dhe ta sulmonin në gjumë. Desh Zoti ta shpëtoja unë. Zbulova tek ky hero një gurrë virtytesh njerëzore! Kurse tani, nën krismat e armëve, për herë të parë, m’u desh t’ia ktheja shpinën, vetëm fizikisht, se jo ndryshe!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat