"Shqiptarët në tokën e ëndërruar"

Libra

"Shqiptarët në tokën e ëndërruar"

Nga: Ramazan Çeka Më: 26 mars 2017 Në ora: 14:16
Promovohet libri më i fundit i shkrimtarit dhe publicistit Rush Dragu

Këto ditë, kur pranvera u bë më në fund e pranishme në qytetin e Shkodrës, biblioteka "Marin Barleti" hapi dyert e saj mikpritëse për një mik që kishte ardhur nga larg dhe që kishte sjellë në qytetin e tij, jo vetëm thjesht një libër për ta promovuar, por kishte sjellë bashkë me të edhe një pjesë të punës së tij si shkrimtar dhe publicist për bashkëkombasit në vendlindje dhe në Amerikën e largët ku jeton.

"Shqiptarët në tokën e ëndrrave" është një përmbledhje dhe pasqyrim i punës së tij të palodhur, ku nëpërmjet intervistave dhe bashkëbisedimeve me bashkëatdhetarët tanë në Amerikë bën publike kontributin e tyre, jo vetëm në komunitetin ku jetojnë, por edhe lidhjen e këtij komuniteti me atdheun e tyre.

Ky ishte qëllimi i këtij libri me vlera të mëdha njohëse, patriotike, kombëtare dhe edukative.

Në këtë shkrim ne nuk marrim përsipër të bëjmë analizën e librit. por e ndjejmë për detyrë për t'i treguar lexuesit se është një libër me vlera, jo vetëm për punën e mirë që ka bërë autori, por edhe për mesazhet që ai përcjell përmes intervistave që sjell në të me mendimet dhe opinionet e bashkëbiseduesëve të tij.

Rush Dragu ka rreth 20 vite që jeton në SHBA. Ai ka lindur në një nga trevat më të shquara të Shqipërisë së Veriut, në Kelmend të Malësisë së Madhe dhe që në rini, falë aftësive të tia intelektuale, pasionit për letërsinë dhe trashëgimisë patriotike të familjes dhe të krahinës, ka qenë një nga djemt e kësaj zone që ka bërë emër, fillimisht si nxënës dhe student dhe më pas edhe si mësues dhe drejtues shtetëror në Malësi. 

Pra rreth 20 vite më parë, si shumë shqiptarë të tjerë edhe Rush Dragu gjen "tokën e ëndrrave", Amerikën e largët, ku nuk shkon thjeshtë për të punuar e kaluar jetën, por ku i vë për detyrë vetes të çojë atje një pjesë nga Shqipëria, por edhe të sjellë në atdhe kontributin e madh të bashkëatdhetarëve që në çdo çast kujtojnë, lavdërojnë dhe evidentojnë vlerat e atdheut të tyre.

Kjo del më së miri nëpërmjet shkrimeve të tija tek libri "Shqiptarët në tokën e ëndrrave".

Salla e madhe e Bibliotekës "Marin Barleti" në këtë ditë pranvere ishte mbushur plot dhe drejtori i këtij institucioni z.Gjovalin Çuni i uroi mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve dhe u shpreh se është i lumtur që ka rastin të presë një mik të nderuar që vjen nga larg.  

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës Skënder Temali, pas fjalës përshëndetëse të mirëseardhjes, nga drejtori i këtij institucioni z.Gjovalin Çuni, bëri një prezantim shumë emocionues, jo vetëm për librin "Shqiptarët në tokën e ëndrrave", por edhe për autorin e tij, shkrimtarin dhe publicistin Rush Dragu.

Fjala e tij rreth biografisë dhe veprës së autorit, kishte vlera të mëdha, në mënyrë të veçantë për një grup të rinjsh pjesëmarrës, aspirues të kësaj fushe, që nuk ishte i vogël.

Çdo diskutim, opinion dhe vlerësim nga të pranishmit u mirëprit me duartrokitje, sepse siç u shprehen ata, ky libër i Rush Dragut solli në Shkodër informacione shumë të rëndësishme, që lidhen me të kaluarën dhe me të tashmen e shqiptarëve në të gjitha trojet ku jetojnë. Ky djalë nga Malësia e Kelmendit, në veprën e tij ia rriten vlerat Malësisë dhe maleve kreshnike dhe tregon se si malësorët arrijnë të prekin majat e suksesit me punë e ndershmëri, me përpjekje, durim e qendresë, duke bashkuar dy botë aq të largëta, por që në mediat ku punon Dragu i afron shumë pranë Amerikën dhe Malësinë.

Ndërmjet tyre mund të përmendim vlerësimet që erdhën nga studiues, shkrimtarë dhe poetë, si Ndue Bacaj, historian, Fatbardha Behri, (Kaçi), poete, Mimoza Reçvelaj, poete, Kadri Fikaj, studiues, prozator dhe poet.

Një përshtypje të veçantë u la të pranishmëve fjala e gazetarit të mirënjohur shkodran Gaspër Marku, Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shkodrës, i cili dhe në emër të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe kryetarit të tij z.Aleksandër Çipa, falenderoi z.Rush Dragu, jo si një mik, por si një djalë malësor e shkodran, që me veprën e tij dhe punën që bën, atje ku jeton e punon, asnjëherë nuk harron të jetë i pranishëm, por dhe i nderuar në vendlindje.

"Këtu kam lindur, këtu jam rritur e arsimuar, këtu kam krijuar për herë të parë, ky është vendi që më ka mësuar dhe më ka dhënë emër, prandaj zemra dhe kontributi im do të jenë gjithmonë këtu", u shpreh ndërmjet të tjerave në fjalën e tij shumë i mallëngjyer Rush Dragu.

Promovimi i librit kishte edhe personalitete dhe miq të autorit si Sytki Ndreca, nënkryetar i Bashkisë së Malësisë së Madhe, si dhe Luigj Dodaj, ish tranier i ekipit të futbollit të Laçit, që është edhe një ndër personat e intervistuar në këtë libër.

Z.Gaspër Marku me autoritetin e kryetarit të gazetarëve shkodranë, në emër të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë e surprizoi këtë burrë të nderuar që kishte ardhur nga Amerika, duke i dorëzuar atij një çertifikatë mirënjohjeje që ishte një nderim, jo vetëm i gazetarëve, por i gjithë vendlindjes, duke mos harruar edhe një tjetër protagonist shkodran me shumë vlera dhe kontribute, z.Ndue Ftoni, biznesmenin e fuqishëm nga Dukagjini, që edhe pse nuk është vetë autor, është një mbështetës dhe financues për kulturën dhe artin shqiptar në Atdhe dhe në SHBA.

Image
Kopertina e librit

Çertifikatën e mirënjohjes, akorduar për z.Ndue Ftoni, i cili nuk merrte pjesë në këtë promovim, unë autori i këtij shkrimi, pata nderin t'ja dorëzoj mikut tim Rush Dragu, duke e porositur atë që bashkë me këtë çertifikatë, të transmetojë edhe falenderimet e mia personale, por edhe të gjithë të pranishmëve.

"Ti ke intervistuar shumë njerëz me vlera në librin tënd, e sot ndjehesh i intervistuar" iu drejtua një moment me humor z.Skënder Temali, autorit të librit që i kishte mbledhur në Bibliotekën e Shkodrës.

"Po, iu përgjigj z.Dragu, por kjo me të marrë në intervistë qenka më e vështirë, pasi jam kaq i mbushur me emocione dhe kaq i befasuar nga pritja që më keni bërë, sa nuk di nga t'ja filloi më parë".

Organizime dhe promovime të tilla në Shkodër nuk janë të rralla, sepse në Shkodër krijimtaria artistike-letrare është e gjallë.

Ata nuk vijnë spontanisht, por tregojnë se Shkodra ka talente, autorë të rinj dhe profesionistë që krijojnë ashtu siç ka qenë gjithmonë traditë.

Këta nuk janë si dikur në bazë të një plani apo programi, por lidhen me pasionin dhe dashurinë për artin dhe letërsinë.

Biblioteka "Marin Barleti" është si të thuash shtëpia e madhe shkodrane e prezantimit të këtyre vlerave dhe natyrisht, meritë të veçantë ka drejtori i saj profesori i letërsisë z.Gjovalin Çuni.

Emocione solli në këtë takim edhe aktorja e Teatrit "Migjeni" Rajmonda Marku, e cila interpretoi fragmente nga libri "Shqiptarët në tokën e ëndrrave".

Ceremonia e promovimit të librit u mbyll me një kokteil që kishte vlerat e një sofre të mbushur me miq, të cilët patën rastin që në bashkëbisedimet e tyre të njihen më gjërë me krijimtarinë e atij që i kishte mbledhur, por edhe me planet që vetë ata kanë në krijimtarinë e tyre.

Natyrisht ky aktivitet u regjistrua dhe u transmetua nga mediat lokale dhe bëri një jehonë të madhe, jo vetëm tek teleshikuesit shkodranë, por edhe më gjerë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat