Askeza poetike e Baki Ymerit

Libra

Askeza poetike e Baki Ymerit

Nga: Ramadan Musliu Më: 18 prill 2017 Në ora: 00:16
Kopertina e librit

Në kohën tonë kur poezia ka arritur zenitin e vet, madje duke kaluar në sferat e antipoezisë, domethënë në domenin kur mundohet të bëjë një lloj konverzioni të komunikimit me botën e gjërave, ku gjërat janë ato që flasin e poeti ai që hesht, në defanzivën ekzistenciale dhe krijuese, megjithatë sot mund të gjinden poetë që ende i besojnë poezisë, i besojnë tingullit poetik, dridhjeve sonore, i besojnë kuptimeve të thella, i besojnë edhe metafizikës por ende edhe vetë misionit të saj. Ndër ta është edhe Baki Ymeri, një poet që është ndryrë si një eremit brenda fjalës poetike dhe aty realizon ekzistencën e vet artistike, madje në disa trajta edhe të asaj fizike. Se vërtetë Baki Ymeri jeton për poezine dhe e përjeton poezinë, dëshmia më e mire është edhe vëllimi më i ri poetik, “Mbretëria e fjalëve”, ku në mënyrën më të drejtpërdrejtë vetëdija e poetit ballafaqohet më botën dhe është në interaksion të vazhdueshëm, duke u shkrirë më në fund njëra në tjetrën përmes gjendjeve vibruese metafizike. Brenda këtij domeni të poetizimit, poeti është ai demijurgu që ndërton dhe rindërton botën e vet, e rrënon dhe prapë e rindërton.

Baki Ymeri, prandaj, që herët e ka ndërtuar një qark tematik jo të specifikuar si problemtikë ekskluzive, por  më shumë si një rreth qarkullimi të vetëdijes së poetit, domethënë mjedisit që e rrethon, ai ekologjik-ekzistencial, ku spikasin ngjyrërat, spektret e shumta dhe rezonanca e  substancës, për të kaluar pastaj te rrethi social, historik dhe ngjarjet e përditshmërisë. Poeti nuk do e as e ka synim një shpalim sistematik të realitetit, por më shumë kapjen e frekuencave të këtij realiteti që e bën përmes vetëdijes së vet dhe nga këto elemente rindërton mozaikun poetik: referencat e shumta dhe idetë, ngjyrërat dhe në përgjithësi kromatikën e ambientit,  kujtesën ndaj proceseve ekzistenciale me rezonancën e saj aktuale dhe historike.

Poeti Baki Ymeri arrin të ndërtojë një poezi shumështresore, ku valencat kuptimore, herë gërshetohen mes veti e herë e atakojnë njëra tjetrën, duke ndërtuar gjendje të fuqishme kontrastike që arrijnë deri tek oksimoroni si një derivat ekstrem i antitezës poetike. Megjithatë, e gjithë kjo dramë zhvillohet në dy hapësira kongruente, në vetëdijen e poetit dhe në hapësirën e pafund të fjalëve, të cilat krijojnë qarkun e hapësirës së një metapoezie. Prandaj nuk është e rastit pse i gjithë libri mban titullin “Mbretëria e fjalëve”. Mirëpo, duke prekur kufijtë e metapoezisë, duke  ndërtuar një refleksion për fjalën, si thelbi i vetë poezisë, autori nuk do ta  mbyllë shtrirjen e thënies poetike vetëm në një dimension, por ajo rri si një jehonë këmbane që e mbush këtë hapësirë. Poeti nuk bën refleksion me poezi për poezinë, nuk nxjerr konseguenca përkatëse për fenomenin poezi, sepse është i zhytur në thellësitë e poezisë dhe herë pas here nxjerr kryet nga ai amalgam dhe vështron realitetin, prek gjërat dhe objektet, prek realitetin jetësor dhe kjo e bën më të ndërgjegjshëm për dy realitetet kongruente: Shpirti i fjalës së tij e zbulon qiellin/ Dhe ik edhe përtej diellit fjala e tij/ Të zbulojë ndonjë univers të ri/ Me ujëvarë fjalësh e rafte bibliotekash...(Epoka e poetit)

Pra, sikundër mund të shohim, poeti edhe kur merret me problemet më triviale të përditshmërisë, ai gjithnjë ka parasysh se poezia dhe  vetëdija artistike është ajo që i kalon kufijtë realë, ngase i takon një universi të ri me “ujëvarë fjalësh e rafte bibliotekash” dhe shfaqja e tij nga ai amalgam poetiko-ekzistencial sikur krijon rrathët koncentrikë dhe, në të kundërtën, posa të qetësohet, ne syprinë  reflektohet ai relitet trivial, konturat objektive, të cilat janë shpesh të trazuara dhe më shpesh marrin dukje syreale. Poeti arrin të krijojë gjendjet poetike të cilat e japin subjektin në meditim permanent sa që duket se kemi të bëjmë me një botë që vështrohet në retrospektivë, sepse pamjet defilojnë si në retrovizor: Dita fillonte me këngën e gjelave/ Rruga ishte e freskët si vesa e agimit/ Ti ishe e ngrohtë si drita e dashurisë/ Në kujtimet e fëmijërisë zbrisnin sorkadhet/ Që i shpërlanin sytë e të përgjumurve/ Përfytyrime sensacione formash perfekte/ Kujtime intime impresione divine/  (Ti je drita e shpirtit tim)

Po i njejti subjekt në meditim, në evokim përmanent dhe në gërmim nëpër kujtesë nuk rresht kërkimin e fshehtësive të të gjitha domeneve, që nga ai  metafizik, shpirtëror dhe i thellësive të ndërdijes e deri te realiteti konkret. Prandaj poezia e tij ka një shtrirje sa vertikale, një lloj retrospekcioni, po aq poeti bën edhe vështrmin horizontal të botës, duke  prekur relieving e gjërave konkrete të realitetit, jo duke sjellë imazhet triviale të tij, por duke ua shquar atë dimensionin e brendshëm. Prandaj nuk është e habitshme se brenda atyre reminishencave gjejmë momente, të themi kushtimisht, lucide, ngjarje  dhe përvoja të redukruara, por të ndriçuara nga drita metafizike e poezisë, të historisë, sikundër edhe të realitetit. Në këtë miksazh poetik shumçka del e çtrajtësuar, madje edhe në formën më groteske. Edhe pse kjo poezi në asnjë moment nuk përmban ndonjë  mbetje didakticiste, megjithatë këto momente lucide të përvojave të hidhura të historisë, të cilat brenda kontekstit poetik marrin pamje të iluminuar, sikur bëjnë një spërkatje me ujë të ftohtë, një spërkatje vetëdijësuese se dikur ajo përvojë ka qenë e hidhur dhe nga ajo hidhësi duhet të nxjerrim atë ilaçin shërues.

Këto momente iluminuese nuk kanë asgjë romantike, nuk janë pamje impresionante, kujtime që zgjojnë mall, por janë me një funksion tjetërfare në sistemin e konotacioneve të gjithë poezisë. Kur këto momente lidhen mes veti, ato na dalin si një sistem akceptimi, si një lloj  vetëdijeje për kohën dhe hapësirën. Madje, këtë shtresim aksiologjik të ndërthurur Brenda teksturës poetike, herë si vargje të veçanta, herë si strofa apo edhe si tërësi e poezisë, krijojnë një lloj referencialiteti, të cilin po ta vështrojmë në një kontekst më të gjerë, na del si një lloj hipervetëdijeje, që është cilësi e një poezie të klasit. Shfaqja e këtij tipi të refleksionit me shumë reminishenca nga jeta reale, jo vetëm se  shfaqet si një  pamje groteske brenda një lirike të kulluar, por edhe si një ironi, bile bile edhe si sarkazëm, duke dëshmuar se mjeti poetik në duart e artistit të vertëtë mund të jetë multiplikativ: Jeta dhe Kosova janë bërë/ Një mishmash leshi me kash-e-lashë./ Mercenarë hijerëndë lokalesh të lehta/ Shërbime të fshehta/ Dhe shkulje fondesh të shkreta/ Për mbrojtjen/ E kërpudhave të pandëshkuara./ Njëra palë shikon nga lindja,/ E tjera nga perëndimi,/ Njëra nga veriu,/ E tjetra nga jugu,/ Por të paktë janë ata/ Që shikojnë nga zemra. (Jeta kosovare).

Dikush mund të habitet se si një reminishencë nga një realitet kaq i vrazhdtë në një kontekst lirik poetik, cili është qëllimi i saj? Poeti Baki Ymeri, që është një kërkues i vazhdueshëm i të bukurës në art e jetë, që çdo përvojë të vetën e shndërron në lëndë estetizuese, realiteti i jetës ia cënon atë idealin e tij jetësor, atë ëndrrën e përjetshme të tij për rendin e gjërave të bukura në jetë, kur ndesh në këtë  trivialitet normalisht se do ta demaskojë me mjetet poetike, do të krijojë distancë duke  i ballafaquar dy botë, idealitetin me realitetin e mundimshëm. Mikzashi i dy situatave të jetës, përjashtuese njëra ndaj tjetrës, që nuk janë në asnjë lloj harmonie mes veti, bëjnë që të duket se  funksionojnë edhe si dy diskurse paralele: ai që mbështetet në figurën strikte dhe tjetri, kundërshtues, denotativ, njëdimensional.

Çështja është se realiteti banal i përditshmërisë është ai që kërkon  një gjuhë të tillë të artikulimit. Mirëpo këto janë vetëm momente, janë reminishenca, nuk janë pjesë dominuese të diskursit dhe si të tilla shkrihen brenda sistemit global poetik, duke e plotësuar mozaikun  edhe me një formë të thënies poetike. Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe një formulim shumë interesant edhe për tematikën, por edhe për këtë lloj diskursi, e ai është poetika politike, që më shumë është një kënd prej nga mund të observohet poetikisht realiteti jetësor, aktual dhe historik. Kjo specifikë e hipervetëdijes poetike, normalisht se vjen duke shtrirë konotacionet sa që shpesh prek satirën e për më shumë parodinë sepse vjen si një lloj tallejeje me modelet jetësore, pra edhe me modelet poetike. Inkorporimi i këtyre përvojave vetëm sa e zgjeron dhe e plotëson mozakun poetik dhe i jep konsistencë sistemit poetik.

Baki Ymeri nuk është vetëm artist i fjalës, i kërkimit të ekstraktit emocional dhe kuptimor të verbit, por edhe ndërtues i strukturës poetike. Poezia e tij dallon edhe për strukturën e saj të brendshme, organizmin e të gjitha niveleve të thënies poetike. Për këtë poezi nuk mund të flitet si poezi të vargut të latuar, si poezi që e kërkon muzikalitetin e jashtëm, siç e bën poezia tradicionale, por më shumë mund të flitet për ndërtimin e strukturave të thella, të një narracioni kompleks poetik, ku figura poetike, metafora dhe metonimia bashkëjeton më pasazhet narrative, deskripsionin, por që asnjëherë nuk janë modele triviale. Poeti ndërton një sistem të të menduarit dhe të të shfaqurit ekstrem të ndjeshmërisë sa që çdo gjë shfaqet me funksion sa edhe e arsyeton gjendjen kur një metaforëtë shfaqet krahas apo në ballafaqim me formulimet  konceptuale.  Prandaj, një lloj eksplikimi gjejmë edhe në vetë termin e farkuar nga autori, kur këtë dukuri e cilëson si monument fjalësh dhe se poezia si fenomen është një jetë fjalësh. Poeti i jep jetë, i jep zë dhe muzikalitet të brendshëm, sa që e detyron lexuesin për një lexim me zë, është muzikale deri në fund.

Për këtë lloj të poezisë mund të themi se është një amalgam  ku janë shkrirë figurat me narracionin, metafizika me konceptualitetin, trajtat sublime të shprehjeve më ato që përmbajnë diçka ekskluzive parodike. E gjithë kjo ndodh, ngase Baki Ymeri ka arritur në sferat e larta të poezisë, tek ato forma poetike që sot po shuhen me ngadalë. Poezia e librit “Mbretëria e fjalëve” prandaj është mbretëri e një domeni të estetizuar deri në fund dhe që mund të merret si një ekzemplar që shkrin modelet që nga tradita më e  hershme e deri te format postmoderne, por gjithnjë duke pasur atë rregullatorin e brendshëm të tyre, eremitin e fjalës, poetin që ka çdo gjë nën kontroll, që është vetë dimijurgu që vetë jeton në askezë. Janë poezi të shkruara me virtuozitet. Një mrekulli që ka dalë nga shpirti, që ka edhe një strukturë të fortë logjike. Besoj se është një prej librave shumë të rëndësishëm që ka poezia shqipe.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat