“Pena e poetit”, një libër shpirtëror i Mina Çaushit

Libra

“Pena e poetit”, një libër shpirtëror i Mina Çaushit

Nga: Albert Z. ZHOLI Më: 28 korrik 2017 Në ora: 09:16
Kopertina e librit

Ky libër (i ribotuar) me poezi i autores Mina Çaushi i dedikohet, jetës, miqësisë, familjes, emigracionit, njohjeve të reja, dëshirave krijuese, dashurisë, befasive jetësore, kërkesave ndaj vetes. Pra, është një libër me tematikë shumë planëshe, ku autorja rrok çdo detaj jetësor, çdo njohje, çdo përballje, çdo vështirësi, çdo fitore, pengesë, kërkesë, dhe dëshirë për të qenë e paqtë në jetë me veten dhe shoqërinë.

Tematika e larmishme e këtij libri, përcjell atë dukuri të natyrshme të autores për të qenë në çdo hap të jetës vetvetja, për të qenë, korrekte me rregullat dhe normat e shoqërisë, për të qenë optimiste në këtë botë të mjegullt ku jo rrallë herë intrigat e befasojnë me mënyrën e shfaqjes së tyre.

Duke qenë natyrë e qetë dhe tepër vëzhguese, autorja, tek libri “Pena e poetit” do të sjellë pranë lexuesit fragmente jetësore të përcjella me art, ku filozofia e shprehjes gjen një mënyrë komunikimi të drejtpërdrejtë dhe shumë koherent. Në libër, poezitë kanë një tematikë aq të gjerë, sa dukesh e mban në duar botën ku gëlojnë gëzimi dhe trishtimi, hareja dhe pesimizmi, dëshira dhe pengesat, e njohura me të panjohurën, realja me irrealen, e bukura me të shëmtuarën, e madhërishmja me të voglën, delikatja me ashpërsinë, virtyti me vesin, besa me pabesinë, etj... Në shumë poezi, gjetjet e Minas janë dhe folklorike, gjë që dëshmon lidhjen e saj konkrete me këtë visar të rrallë të popullit tonë. Perlat e muzikës popullore, folklorit popullor,  në të gjitha trevat anembanë vendit tonë (madje dhe në Kosovë) janë dhe një thirrje poetike për të.

Folklori shqiptar, është një nga më tradicionalët në botë për sa i përket larmisë së këngëve të dashurisë, emancipimit të ndjenjës dhe të qenit autokton dhe të veçantë, ku poezia e Minas sjell një shpërthim shpirtëror befasues, plot muzikalitet, pathos dhe metaforë. Fabula e poezive të saj është reale, konkrete, e drejtpërdrejtë, pa nëntekst.

Sipas filozofisë jetësore të autores, njeriu sot jeton në një sistem global ku duket sikur s’ka kohë për miqësi, njohje të reja, pushim aktiv, por ajo përcjell të kundërtën. Jeta gjallon kudo. Jeta është e vrullshme, por të lë hapësirë të shijosh gjithçka ka rreth saj n.q.s dëshiron dhe ke ide të qarta për të. Autorja, jetën e miklon, e  thërret atë si një  ëndërr të bukur  pranverore. E nëse shpirti flet me gjuhën e syve, Mina flet me gjuhën e vargëzimeve ylberiane, thjesht dhe bukur, pa stërhollime.

Në vargun e saj ka figuracion, metafora të fuqishme, që e bëjnë poezinë e saj të brishtë shumë të kapshme dhe të lexueshme nga të gjitha grupmoshat të dashuruara me poezinë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat