Vëllimi poetik “Copëza Jete” i poetes Xhemile Aliu - Bota Sot
Vëllimi poetik “Copëza Jete” i poetes Xhemile Aliu

Libra

E hënë, 18 dhjetor 2017

Vëllimi poetik “Copëza Jete” i poetes Xhemile Aliu

Nga: Prof. Zymer Mehani Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 09:12
Kopertina e librit

Kush shkruan, këtë punë e bën pak për vete e më shumë për të tjerët, për ata që do t’i lexojnë këto krijime, e kështu vepron edhe poetja Xhemile Hoxha-Aliu, autore tanimë e njohur nga lexuesi shqiptar me vëllimet poetike „Ngjyrat e atdheut“ dhe „Dhembje shpirti“ (Prishtinë, 2017).

T’i rikujtojmë lexuesit se autorja Xhemile Hoxha-Aliu jo rastësisht e kultivon poezinë me motivin atdhetar dhe të kurbetit, ngase edhe vetë vjen në botën artistike nga kurbeti, nga Gjermania mike, ku prej një kohe të gjatë jeton dhe krijon.

Sapo ta lexojmë poezinë e poetes Aliu, menjëherë do të na krijohet përshtypja se vargjet e saj sikur i kemi lexuar dhe njëherë tjetër, ngase këto vargje na tërheqin për lexim me motivet që trajtojnë dhe me mënyrën e veçantë të të thururit interesant dhe mjeshtrisht. Nga këto poezi ne informohemi për hollësira, madje edhe për asosh, që rëndomë merren si cikërrima, por, shpesh nëpër kosofarë „cikërrimash“ fshihet shpjegimi i thelluar i asaj që është thënë. E kështu me penën e saj vepron edhe poetja Aliu.

Dihet se lexuesi nuk kërkon vetëm të lexojë, por ai me të drejtë don që ky lexim të shkaktojë kënaqësi dhe ndezje ndjenjash, sepse, tek e fundit këtu qëndron edhe qëllimi i të krijuarit artistik, që të përjetojmë dhe të gjejmë kënaqësi në mënyrat e fshehta të vargëzimit.

Vetë natyra jonë njerëzore sikur është e prirur që gjithnjë, herë më pak e herë më shumë, të futet nëpër labirinthet nga më të panjohurat. Ajo është e tillë dhe nuk qëndron kurrë në të njëjtin vend, e uritur për gjithçka të re. Pra ne jemi të etshëm të lexojmë krijime për çështje dhe fenomene e dukuri të ndryshme, me kusht që të mos na shkaktojnë monotoni apo mërzitje. E të gjitha këto lexuesi do t’i përjetojë gjatë leximit të vëllimit poetik „Copëza jete„ të poetes Xhemile Hoxha-Aliu.

Poezitë e autores Xhemile Hoxha-Aliu janë të magjishme, ngase me forcën e tërheqjes na shtrëngojnë për t’i lexuar madje më shumë se një herë. Në fund të fundit çdo gjë që është e papritur, faktikisht është edhe tërheqëse në një mënyrë a tjetër për lexuesin kurreshtar.

Mashtrohemi po të mendojmë se forma mund të lihet anash, duke menduar që të paraqitet vetëm përmbajtja e ngjarjeve jetësore. Nuk duhet të harrojmë se format jetësore janë të panumërta edhe në art, prandaj as poetja Aliu nuk ka bërë kurrfarë kufizimesh në këtë drejtim.

Në vargjet e poetes Xhemile Hoxha-Aliu bukuria poetike gjendet edhe atje ku më së paku e presim. E kur e lexojmë poetin e mirë, presim gjithnjë që të zbulojmë ndonjë fshehtësi poetike, që të befasohemi me ndonjë kthesë të papritur të thellësisë së vargëzimit në skutat e fshehta të magjisë së fjalës poetike dhe të ëndrrave e krajatave jetësore.

 Xhemile Hoxha-Aliu edhe në këtë vëllim ka ditur të përzgjedh motivet, të cilat i ka trajtuar mjeshtrisht, saqë interesimi i lexuesit nuk fashitet as atëherë kur mbaron leximi.
Vëllimi poetik „Copëza jete„ i poetes Aliu është një tërësi tablosh të jetës, buruar nga krojet e saj më të thella, ngase aty e gjejmë atë shprehjen e gjallë natyrale dhe elastike, që na nxit për ta shijuar dhe përjetuar sa më autentikisht.

Poetja Xhemile Hoxha-Aliu, vërehet shumë qartë se në vëllimin poetik „Copëza jete„ ka bërë përpjekje serioze prej krijueseje të denjë që të gjejë rrugë dhe mundësi të reja të krijimit poetik, ngase këtë e kërkon edhe vetë jeta.

Siç u tha dhe më herët, ndër motivet dominante të këtij vëllimi e kemi motivin atdhetar, mallin për vendlindjen, motivin e kurbetit dhe për pasojë poetja ka kultivuar poezi për atdheun, poezi sociale, refleksive (meditative) dhe kozmopolite.

Gjuha e përdorur në përmbledhje është e thjeshtë, e pastër, me fjalor të kuptueshëm dhe vargjet janë të pasura me figuracion të mjaftueshëm poetik. Ndërtimi i vargut është unikat. Kemi vargje llojesh, rrokjesh, rimash dhe metrash të ndryshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test