Vepër e kulluar poetike - Bota Sot
Vepër e kulluar poetike

Libra

E enjte, 22 shkurt 2018

Vepër e kulluar poetike

Nga: Sejdi M. Gashi Më: 18 dhjetor 2017 Në ora: 12:48
Kopertina e librit

Puna sistematike disavjeçare prej krijuesi, vrojtuesi dhe studiuesi të zellshëm të kulturës  materiale e shpirtërore shqiptare përgjithësisht ka bërë që emri i  studiuesit dhe krijuesit Kujtim Mateli të jetë  i njohur për mjedisin krijues shqiptar. Kësaj radhe ky  krijues i zellshëm paraqitet me vëllimin poetik: “Qetësojmë shpirtin e trazuar”. Siç mund të vihet re që në titullin e veprës, autori sikur paraqet një lloj paranteze, përmes së cilës na bëhet i njohur preokupimi kryesor i autorit, pra fati i atdheut dhe i kombit.

Në poezitë e këtij vëllimi ndihet shqetësimi se disa gjëra nuk po marrin zgjidhjen e duhur dhe se një dorë misterioze  ka ndërlikuar çështjen shqiptare. Po edhe ne vetë  shqiptarët, me paaftësinë e servilizmin e disa politikanëve, u kemi hapur oreksin fqinjëve tanë grabitqarë, që ende kërkojnë të na zhvatin troje e hapësira detare. Autori e qorton rëndë brezin e sotëm:

“Gjërat e thjeshta i lidhim nyje/Dhe i hedhim udhëkryqeve ku do të kalojnë fëmijët tanë,/Gjithnjë e më shumë po e rrudhim rrethin e kujtesës”.

Në këtë vëllim gjenpoezi që shprehin ndjenja të fuqishme për jetën e vdekjen, për dashurinë e ndarjen, ku përballen estetikisht e bukura dhe e shëmtuara. Në këtë përballje  shquhet misioni i njeriut, që me qenien e tij i jep jetë e frymë planetit tonë.  Në ciklin poetik “Në verilindje të Atdheut” autori me nota poetike shpreh dhembjen për ndarjen e padrejtë që u është bërë shqiptarëve përgjatë historisë. Aty gjen vargje të frymëzuara nga heroizmi dhe mençuria e Kosovës, që i sollën lirinë kësaj pjese verilindore të Atdheut.

Cikli  “Brigjeve të Vardarit” është pjesa e fundit e librit, ku autori në poezinë “Fisnikëri shkupjane” shpreh ndjenjat e tij fisnike për botën shqiptare, për një hapësirë gjeografike që frymon dhe jeton shqip. Këtu, në Shkup, thotë autori: “Mendimi merr formë e bëhet yll,/ Bëhet erë gjethi dhe bleron lisin e shenjtë të Atdheut”. Përmes kësaj përmbledhjeje poetike autori mëton të krijojë  artistikisht biografinë e kombit tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test