Kujtimi i kohërave të vështira përmes vargut të fuqishëm - Bota Sot
Kujtimi i kohërave të vështira përmes vargut të fuqishëm

Libra

E diel, 25 shkurt 2018

Kujtimi i kohërave të vështira përmes vargut të fuqishëm

Nga: Remzije J. ZEKOLLI Më: 5 janar 2018 Në ora: 10:34
Agim Vinca: “Nostalgji për kohëra të rrezikshme”, Prishtinë, 2017

Autorin e shumë vëllimeve me poezi, veprave studimore, kritike, publicistike etj., Agim Vincën lirisht mund ta quajmë ndër poetët më të afirmuar të letërsisë shqipe. Secila vepër e re Agim Vincës përjetohet si ngjarje e bukur, sepse sjell individualitetin e tij krijues dhe komunikues me një publik sa të zgjedhur aq edhe të gjerë. Themi: të zgjedhur, sepse, si në lirikat, si në studimet e tij, ai sjell intelektin e tij të pasur; themi: publik të gjerë, sespe ai ruan fijet e komunikimit me qartësinë e vargut të tij me sa më shumë lexues të shtresave të ndryshme.

M.  H. Adams so të shprehej: Vepra ka një temë, e cila drejtpërdrejti apo tërthorazi, është derivat i gjërave ekzistuese, pra të jetë diçka të shenjëzojë ose të reflektojë për diçka që ndërlidhet në relacion me një gjendje objektive të marrëdhënieve[1]. Lexuesi e ndjen botën e librit ashtu siç ai mendon se është, e percepton veprën si ngjarje, e, në disa raste, bëhet personazh i saj gjatë leximit shpirtëror që i bën librit. Vepra letrare ka natyrë shumë të hapur, por edhe mbledh në vete kuptime shumë të degëzuara, të cilat sa na duken të dhëna në tërësi, më shumë hetohen po të shfletohen si asociacione[2]. Po, fundja si mund të ketë vlerësim absolut të fenomeneve në lëvizje, fenomeneve që nuk kanë përfunduar. Vinca është një personalitet i veçantë i letërsisë shqipe. Dëshmi se ai kurrë nuk heshti ndaj pushteteve, është vepra e tij publicistike, por edhe ajo letrare. Ai  nuk ndalet, ai është  burim i vargut real, social-politik. Libri i tij “Nostalgji për kohëra te rrezikshme”, njëson gërshetimin mes  traditës  dhe modernes, e cila në disa momente, është edhe një lloj poetike e ngjashme me poetë botërorë.

Figuracioni zë vend  në këtë vëllim poetik: ajo e identitetit etnik, qëndresa, kujtimet. Autori artin  jetësor na e ofron të thurur me vargun  e fuqishëm veleshtar. Në këtë libër poeti përfshin poezi dhe proza poetike. Titulli e shton vlerën  artistike  të vëllimit poetik i cili ngërthen në vete mallin që poeti ndien për dikë, prindërit, motrat, shokët, miqtë, mallin për diçka që tashmë nuk është në mesin tonë, mallin për vendlindjen, mallin për ngjarjet e lavdisë kombëtare, kudo dhe ngado që ndodhen shqiptarët, sepse kishin plagë të njëjta, të ndarjes, ndalimit dhe persekutimit e mohimit të drejtave elementare njerëzore. Togfjalëshi për kohërat e rrezikshme shpërfaq vështirësitë, rreziqet qoftë familjare, miqësore deri tek ato kombëtare, që kemi përjetuar gjatë kohërave të ndryshme, të cilat çdo herë ishin të rrezikshme e të kobshme për kombin shqiptar, është një trekëndësh i rreziqeve, i kohës zezonë që përjetuam, qoftë si individë, qoftë si kolektivitet gjatë gjithë historisë. Në vëllimin poetik Nostalgji për kohëra të rrezikshme janë evidente edhe figura e metafora.

Malli për prindërit, vendlindjen dhe qëndresa

Arti poetik i Vincës në krijimtarinë e tij është art i ndjenjës së mallit për më të dashurit e tij, prindërit, motrat, malli për familjen e për shoqërinë. Jepen përjetimet e kohërave të rrezikshme të  familjes së poetit, siç janë vështirësitë social-ekonomike e politike. Etniteti ynë i vuajtur e i syrgjynosur i përjetoi ato rreziqe deri në flijim, mall për kohëra plot sfida, ishin kohëra të fisme, plot frymëzim për rrugëtimin drejt realizimit të qenies sonë etnike, të pagjunjëzuar e pjesë e saj ishte edhe poeti me familjen e tij.  Duke rrugëtuar në leximin e librit ne do mësojmë atë psenë për atë nostalgji që përmes vargut te tij triumfues e kundërshtues për padrejtësitë që përjetoi individi dhe etnia, mjeshtërisht ia sjell lexuesit në këtë vëllim poetik. Si të mos ketë poeti ynë i ndritur nostalgji për kohërat e tilla. Poezia Jetëshkrim i vogël poetik arrin depërtim të jashtëzakonshëm krijues në thellësi, por edhe drejt lartësive, arrin të shtrihet gjerësive, krijuese, pasi hasim motivin personal, social, patriotik e politik. Vargjet: “Tetë gojë prej tij prisnin bukë/ Nisej që pa gdhirë” janë këndim lirik që shfaqin frymëzimin letrar në rrjedhën historike të kombit. Tërësia e parë e poezisë na shpërfaq motivin social, babain i cili nuk kursente asgjë për të siguruar ekzistencën fëmijëve të vet, por vargu më poshtë na sjell, një pamje të një kohe të rrezikshme, të vështirë, një rezistencë të llojit të vet kundër përpjekjeve për gjunjëzimin e shqiptareve: Ndal këtu e ndal atje/ Në çdo hap që bënte/ Nëna si Niobë e re / Nëmte e mallkonte/. Tërësia e dytë shënjon qëndresën e gruas shqiptare në rrjedhat e kohës, e gërshetuar me mitologji. Nëna e mallkonte pushtetin që e pengonte bashkëshortin e saj të punonte për ta siguruar pavarësinë ekonomike të familjes. Por edhe roli i nënës që ta ndihmonte shokun e saj të jetës për sigurimin e ekzistencës ekonomike, shpërfaqet në këtë poezi duke u përpjekur që me gjilpërë në dorë të punonte për fëmijët e saj që kishin shumë nevoja për t’ua plotësuar, e peri ndonjëherë edhe këputej, sepse ishte stërholluar së tepërmi. Nioba në mitologjinë greke simbolizon flijimin për fëmijët e saj, ajo mallkon për vrasjen e fëmijëve të  saj, ajo flijohet, asgjësohet, por nuk dorëzohet, kundërshtares nuk i gjunjëzohet, ndërsa flijimi tek Vinca është puna e saj ditë e natë me gjilpërë në dorë vetëm për të mos u gjunjëzuar nga varfëria të cilën  pushteti ua ndihmonte ta përjetojnë duke i penguar të mbesin gjallë. Poeti na sjell nostalgjinë e tij për Lagushin, poetin disident, i cili u bë i veçantë jo vetëm për vargun e tij rezistues ndaj pushtetit, por edhe për mënyrën e të jetuarit të tij. Nuk mendojmë se Lasgush Poradeci është  i mbërthyer në guaskë, nga ku nuk mund ta shikojë botën, realitetin, i cili na qenka i vetmi burim për poezinë[3].Kujtimi për motrat që ikën nga kjo botë, Zinija dhe Vaja, lanë një hapësirë, një boshllëk, një mungesë të pazëvendësuar në jetën e tij, prandaj dhe lirika është më e ndjeshme. Kujtimi për të rënët në altarin e lirisë, është një cep tjetër nostalgjik i asaj kohe zezonë që përjetoi kombi ynë.

Ngjarja që përherë do të qëndrojë në memorien  kombëtare, është dhe do të mbetet Masakra e Reçakut, e cila ndikoi që misioni verifikues i gjendjes faktike në luftën e Kosovës haptaz t’i dënojë masakrat serbe në Kosovë. Në poezinë Monolog i të rënëve në Reçak me vargun e tij emblematik, paraqet atë ngjarje që i dha vulën e kundërshtimit të këtij populli, një ngjarje që tronditi njerëzimin. Vallë pse monolog i të rënëve? Vinca me këtë poezi, përtej një imagjinate krijuese, ua sjell lexuesve atë ndjesi tragjike e dhimbjeje. Këtu të vdekurit flasin me vetveten, shikuese ishte bota e qytetëruar; shfaqja, vrasje barbare e regjisorët çuditërisht ishin larg skenës së krimit nëpër zyrat e tyre që planifikonin asgjësimin e shqiptarëve. Vargjet e kësaj poezie janë të fuqishme dhe kundërshtuese, revoltuese kundër masakrës që ushtroi kasapi i Ballkanit. Masakra e Reçakut është krim kundër njerëzimit[4]. “Përse na ratë, përse na vratë/ Kokën nga trupi përse na e ndatë”.

Vinca është një poet i veçantë, që lexuesi e lexon me ndjenjë. Kohëve të vështira për popullin shqiptar assesi t’u dihet fillimi a mbarimi i tyre, sikur jeta i kishte dënuar me masakra, e tillë është edhe ajo e Tivarit ku pa mëshirë copëtonin trupat shqiptarë.

Në këtë muranë pa shenjë pa lapidar

Si këtu e gjashtë mijë vjet

Si në Trojë, Vaterlo e Hiroshimë

Gjak, gjak njeriu has.

Vargu rebelues dhe vlerësime të disa krijuesve për poezinë e Vincës

Vargu i Vincës është plot frymëzim për ndryshim, është i fuqishëm me protestën kundër klasës politike që nuk mbrojnë interesin e familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, nxënësve, studentëve, minatorëve. Në poezinë Kambanë në qafë, e cila do jetë temë e shqyrtimit në vijim, Vinca paraqet pozitën sociale të pensionistëve, të cilët lirohen nga puna profesionale e tyre. Zëri i tij acarohet dhe revoltohet atëherë kur shpërfaqet skena lirike: se me pensionin, pensionistët nuk mund të sigurojnë as barnat e tyre të cilat në moshën e pleqërisë janë pjesë e pandashme e jetës së tyre. Një krahasim mjeshtëror bën poeti, se është i lumtur që e  priti ta gëzojë pensionin, sepse disa vdiqën të rinj. I tillë ishte Migjeni, por ai vdiq nga TBC në moshë të re si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomiko-sociale që mbretëronte në atë kohë. Migjeni e kritikoi dhe kundërshtoi ashpër atë pushtet padrejtësie sociale, si kohë e mjerimit dhe skëterrës. Edhe Naim Frashëri pati të njëjtin fat. Disa krijues nuk arritën pensionimin se pushteti që ata e kritikonin, u kujdes t’u sillte dhuratë duke qëndisur trupin e tyre me plumba, siç i ndodhi  Luigj Gurakuqit,  apo me thika siç e therën Bilall Xhaferin, Jusuf Gërvallën e vranë larg atdheut, në shtetin tjetër, vetëm pse luftonte për lirinë e mohuar, sepse e donte buzëqeshjen e njerëzve të vet, të kombit të vet. Edhe krijuesit botërorë të cilët vdiqën në moshë të re shpërfaqen tek kjo poezi, ata u bënë zë kundërshtues kundër shtypjes e mjerimit në vendet e tyre, siç ishin Lorka, Majakovski, Bajroni etj.

Nostalgji për  kohëra të rrezikshme: këtë  poezi mund ta vlerësojmë lirisht poezi-demarsh. Poeti nuk kishte menduar këtë gjendje në shtetin e vet të pasluftës. Mendoj se është kritika dhe zëri i tij rebelues kundër këtij realiteti, të cilin as që e kemi ëndërruar. Ai mllefin e tij për proceset që u zhvilluan pas lufte, e shqipton  fund e krye në këtë poezi. Autori ka nostalgji për revistën Çlirimi. Në poezinë Përse madhëri? dëgjohet zëri protestues i krijuesit kundër atyre që përpiqein të na ndalojnë t’i këndojmë Lirisë. E përse djemtë m’i mbyll në burg/ E m’i degdis në Hagë/ Ata që lirinë kërkuan burgjeve/ Ata që lirinë e lanë me gjak. Nuk ka mundur t’i shpëtojë vargut të tij rebelues as Ura e Ibrit, e cila u bë dhimbja jonë e re, ku ai mllefoset si krejt shqiptarët për ndarjen e qytetit, e cila është një plagë e secilit prej nesh.

Vend meritor në krijimtarinë e tij letrare zënë edhe ngjashmëritë me disa krijues të letërsisë botërore me ngjarjet që lidhen me kundërshtimet e tij jetësore-poetike e që ishin bërë zë i të varfërve dhe i të mjerëve. Këto krahasime në këtë vëllim poetik, i vërejmë tek poezitë: Këmbanë në qafë, Herezi, Përse madhëri? Etj., në të cilat ai mjeshtërisht ka përdorur një art të mirëfilltë lirik e që rrëfejnë rebelimin e shpeshtë të tij. Të tilla krahasime i hasim te poezia e fundit e librit Ujk vetmuar, e që i jep vulë librit:

Do të ikë fillikat a nga infarkt-inati

Unë, ujku i vetmuar AV.

Libri përfundon me disa vlerësime meritore të poezisë së tij në këtë vëllim poetik të autorëve botërorë e vendorë për poezinë e tij. Secili e vlerëson lart poezinë e tij, siç janë:

Getruda Ejntrej:

“Agim Vinca është poet i prirur drejt vargut të lirë dhe rimave të fuqishme.”

Aleksandër Zoto: “Me poezinë e tij goditëse e plot të papritura… herë delikate e të padjallëzi Agim Vinca e pasuron poezinë shqipe në Kosovë”.

Dritëro Agolli:“ Kjo poezi herë është meditative dhe herë shpërthyese, me metafora dhe epitete që krijojnë një botë shpirtërore të efektshme”.

Sabit Idrizi: “Një perlë e vërtetë! Një krijim letrar që sintetizon dhembjen, revoltën dhe rebelimin, me një gjuhë kaq poetike e ironi kaq të përsosur”

Besnik Mustafaj : “Agim Vinca është poet që e ka jetuar dramën e popullit të vet edhe ka gjetur gjuhën universale për ta shprehur atë”

Përfundimi

Poeti Agim Vinca përmes këtij vëllimi poetik, i jep zë nostalgjisë nëpër kohërat e rrezikshme. Ato i gëdhendi në këtë arkëzën e tij krijuese, të cilat të mahnitin me mesazhin dhe me zërin e tyre revoltues. Vinca është zë i fuqishëm për shtresën e vegjëlisë. Realist i gjendjes faktike, të cilën duhet ndryshuar, duhet mbrojtur dinjiteti etnik, qoftë edhe përmes vargut, luftëtar i të drejtës deri sa ajo të ngadhënjejë. Vinca është një promotor i këtyre ndryshimeve. I tillë ishte dhe i tillë mbeti deri në këto momente qëndrimin e bindjen e tij jetësore e poetike e lexojmë te poezia Ujk i vetmuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test