Ditë të tëra tragjedi, dhimbje…, para se të qajmë, a bëjmë dot diçka që këto gjëra të mos ndodhin më?

Life style

Ditë të tëra tragjedi, dhimbje…, para se të qajmë, a bëjmë dot diçka që këto gjëra të mos ndodhin më?

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 12:19
Foto ilustrim

Kemi ditë të tëra, por edhe shumë kohë që dëgjojmë tragjedi e humbje, dhe ndjejmë dhimbje, llahtari, pasiguri… I qajmë në atë moment, tronditemi dhe tmerrohemi, urrejmë, pastaj vijojmë të presim si në thertore se radha e kujt do jetë… ku do të plasë herën tjetër…?

Po para se të qajmë, a bëjmë dot diçka që këto gjëra të mos ndodhin më? Një nga shkaqet kryesore për të cilat ndodhin shumë të këqija tek ne është “kultura e të fortit”. Kush e fuqizon “të fortin”? Sa i fortë është një i fortë pa një sistem që e mbështet nga mbrapa? Sa kemi në dorë neve?

KONSUMI

Po sikur të zgjedhim të pyesim se tek kush po blejmë, ku pushojmë apo kë po promovojmë? Pse p.sh. të mos zgjedhim një biznes të ndershëm familjar dhe jo një që pastron para apo qarkullon lekë “të fortësh”?

MBËSHTETJA

Po sikur të zgjedhim të mos i mbështetim “të fortët”, as me votë, as me lekë, as me korrupsion, as duke iu lëpirë për ndonjë favor? Sa herë korruptojmë dikë në administratë bëhemi pjesë dhe mbështesim sistemin e “të fortëve”. Sa herë i buzëqeshim ndonjë të korruptuari, krimineli, antivlere dhe i lëpihemi për ndonjë kockë, në vend që t’i kthejmë kurrizin, e kemi fuqizuar!

REAGIMI

Sa herë lëmë që një “i fortë”, një antivlerë, të kalojë radhën, se s’na intereson të flasim, se kemi frikë të reagojmë, se ç’na duhet neve se mund të na ndihmojë një ditë, atëherë e kemi dhënë mbështetjen tonë ndaj sistemit të të fortëve. A duhet t’u kërkojmë të paktën llogari institucioneve si taksapagues që jemi? Sa herë nuk ngremë zërin për diçka që nuk shkon, mbështesim sistemin e “të fortëve”.

Kur jemi pedagogë e na futen për të kaluar klasën; kur jemi policë e marrim ryshfet që të mos vuajnë dënime; kur u japim lekë nën dorë; kur na japin lekë nën dorë; kur turremi të bëjmë check-in tek bizneset e tyre; por edhe kur në një sherr fëmijësh, atij që nuk gjuan i themi “pse rri si i ngordhur ti, gjuaji më shumë”, jemi gjatë gjithë kohës duke ushqyer sistemin e “të fortëve”, të cilët patjetër që, kur fuqizohen, bëjnë dhe ligjin!

Të gjithë e dimë mirë që nuk është çështje shezlongjesh, makinash e shumë gjërave të tjera, por çështje sistemi… kur të vendosim ta çmontojmë nga brenda (se në fund të ditës, ne e mbajmë në këmbë çdo lloj sistemi ku jemi pjesë), vetëm atëherë do fillojnë të ndryshojnë situatat…

Ne kemi pjesën tonë… aq kemi! Po ta bëjmë të gjithë nga pak, vjen ndonjë ndryshim, nëse jo, askush s’ka për ta sjellë për neve!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat