Nëse do rifillosh shkollën pas disa vitesh pauzë, lexo këtë!

Life style

Nëse do rifillosh shkollën pas disa vitesh pauzë, lexo këtë!

Më: 6 shtator 2021 Në ora: 17:02
Foto ilustrim

Mamaja ime, në moshën 70-vjeçare, iu rikthye shkollës për një diplomë master në punë sociale pas një karriere 40-vjeçare në arkitekturë dhe "interior design".

Kthimi në shkollë i solli gëzim të madh jetës së saj. Asaj i pëlqente të mësonte dhe të ishte pjesë e një komuniteti shkolle, me energjinë dhe entuziazmin e tij rinor që e shoqëronte. Por ajo gjithashtu përjetoi ankth të lartë për notat, ngarkesën e punës apo edhe për ditët kur i duhej të shkonte në shkollë me motin e keq.

Kur u ktheva në shkollë në moshën 39-vjeçare, gjithashtu mbaj mend që kisha shumë emocione dhe frikë. Në mendjen time vërtiteshin pyetje si: "A do jem më e vjetra në klasë", "Do arrij të fokusohem pas gjithë këtyre viteve?", "A do më gjykojnë nga mosha?" e shumë e shumë dilema të tjera. 

Bërja e diçkaje të re gjithmonë nxit emocionet

Të bësh diçka të re është gjithmonë e vështirë, edhe kur është për mirë. Ne arrijmë t'i ndjejmë dhe përjetojmë ndryshimet thellë në trupin tonë. Është normale që kur të kthehemi në shkollë, të ndihemi pak në ankth, por ky nuk mund të jetë emocioni i vetëm shoqërues.

Së pari, duhet të jeni falenderues që keni mundësinë për t'u edukuar. Njerëz të tjerë do ta kishin ëndërr mundësinë tënde në çfarëdo lloj moshe. Kjo përvojë e re do t'ju sjellë përvoja të tjera, edhe më të bukura, edhe më emocionuese. Edhe nëse jeni në bangat e shkollës, krah një brezi tjetër, quajeni veten me fat: Keni mundësinë ta shihni këtë brez nga afër, të kuptoni si mendojnë, si ndihen, si veprojnë ata. 

Ndoshta, tani këto mund t'ju duken informacione të pavlefshme, por do të shihni se në një të ardhme edhe shokët e klasës më të vegjël se ty në moshë, do të të hyjnë në punë në një mënyrë a një tjetër. 

Mos harroni se të mësuarit do të thotë të ushqesh trurin dhe a ka një moshë të caktuar ku ne "ngopemi" me ushqim? 

Për të përfituar sa më shumë nga ky tranzicion, mësoni të kujdeseni për frikërat dhe pasiguritë tuaja, teksa punoni fort për të përmbushur qëllimet që i keni vënë vetes. 3 praktika të përditshme për të adresuar sfidat e kthimit në shkollë janë:

1, Shkruani synimet tuaja dhe lexojani ato vetes shpesh.

2. Jini të vetëdijshëm: Njihuni mirë me pikat tuaja të forta, avantazhet dhe disavantazhet.

3. Relaksohuni: Shihni përreth, ju nuk jeni në rrezik dhe asgjë e frikshme nuk po ju ndodh në vetvete. Qetësohuni dhe jini krahëhapur për aventurat që ju presin.

Kthimi në shkollë është një mënyrë e mrekullueshme për t'u përmirësuar dhe rritur, si personalisht ashtu edhe profesionalisht. Pa dyshim që i shton stres jetës. Pa dyshim që nuk do të jetë e lehtë, por a është e pamundur? Jo. A ia vlen? 100% po!

Kujtojini vetes se rritja është gjithmonë sinonim i luftës. Dhe guxim i vërtetë është të bësh diçka edhe kur ke frikë. Ti mund t'ia dalësh!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat