Ky tregim është shpërndarë me qindra herë: Mëngjesin e parë pasi vrava veten...

Life style

Ky tregim është shpërndarë me qindra herë: Mëngjesin e parë pasi vrava veten...

Më: 23 shtator 2016 Në ora: 09:26
Ilustrim

Një tregim i shkurtër mbi vetëvrasjet qarkullon në internet dhe rrjetet sociale, ku është shpërndarë me qindra herë. Autorja e tregimit është 22-vjeçarja amerikane Meggie Royer, e cila është autore e disa teksteve të ngjashme, që kanë për qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve që përballen me probleme të moshës, bullizmin apo vetëvlerësimin e ulët. Royer është autore e dy librave dhe është nominuar për çmimin e poezisë më të mirë “Goodreads Choise”.

Mëngjesin e parë pasi vrava veten  

Mëngjesin e parë pasi vrava veten, u zgjova.

I përgatita vetes mëngjesin në krevat. U shtova kripë dhe piper vezëve dhe bëra një sanduiç me  djathë e proshutë. Shtrydha një portokall në shtrydhëse. Fshiva çfarë kishte mbetur në fund të tiganit, e lava bashkë me enët e tjera dhe palosa peshqirët.

Mëngjesin e parë pasi vrava veten, rashë në dashuri. Jo me djalin atje poshtë në rrugë apo me drejtorin e shkollës. As me atë djaloshin që bën përditë vrapin e mëngjesit. As me shitësin që harron gjithmonë t’i fusë avokadot në çantën e pazarit. Rashë në dashuri me nënën time, me mënyrën se si ishte ulur në dyshemenë e dhomës dhe mbante në shtrënguar në duar gurët e koleksionit tim derisa ata bëheshin gri nga djersa e lëkurës së saj. Rashë në dashuri me tim atë atje poshtë te lumi ndërsa vendoste letrën time në një shishe, për ta lëshuar në rrymën e ujit. Rashë në dashuri me tim vëlla që dikur besonte te njëbrirëshat, por tani është ulur në bankën e tij në shkollë duke u përpjekur dëshpërimisht të besojë se unë jam ende gjallë.

Mëngjesin e parë pasi vrava veten, nxora qenin shëtitje. Kundrova mënyrën se si tundte bishtin sa herë një zog fluturonte pranë nesh dhe si egërsohej shikimi i tij kur shfaqej ndonjë mace. Pashë boshllëkun në sytë e tij kur kapi një shkop dhe u kthye për të më përshëndetur e për të luajtur, por nuk pa tjetër përveç qiellit. Qëndrova pranë tij ndërsa kalimtarët në rrugë i përkëdhelnin kokën siç bëja unë dikur.

Mëngjesin e parë pasi vrava veten, shkova te oborri i fqinjëve, te vendi ku gjurmët e hapave të mia vetëm dy vjeç kishin nisur të zbeheshin. Mblodha disa lule, hoqa disa barëra të këqija dhe vështrova nga dritarja të zonjën e moshuar të shtëpisë teksa lexonte në gazetë lajmin e vdekjes time.  Pashë të shoqin teksa hidhte duhanin në lavamanin e kuzhinës dhe i çonte asaj ilaçin e përditshëm.

Mëngjesin e parë pasi vrava veten, kundrova diellin tek lindte. Pemët e portokallit i kishin hapur degët si duar dhe një fëmijë në rrugë i tregonte me gisht të ëmës një re të vetme në qiell, me ngjyrë të kuqe.

Mëngjesin e parë pasi vrava veten, u ktheva sërish te ai trup në morg dhe u përpoqa t’i thosha diçka. I tregova për avokadot, njerëzit në rrugë, lumin dhe prindërit. I tregova për perëndimet e diellit, qenin dhe plazhin.

Mëngjesin e parë pasi vrava veten u përpoqa të zhbëja atë që kisha bërë, por nuk munda të përfundoj çfarë nisa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat