Si t’i mbrojmë çizmet dhe këpucët gjatë dimrit?

Life style

Si t’i mbrojmë çizmet dhe këpucët gjatë dimrit?

Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 15:30
Ilustrim

Me çizme të mira nuk ka dimër, por ato duhet të ruhen, mirëmbahen dhe për to duhet kujdesur. Ja se si t’i mbroni këpucët gjatë dimrit.

Sigurisht që këpucët tona janë më të cenuara gjatë dimrit, "sqota", kripa, bora mund t’i "hanë" ato dhe këmbët të lagen. Gjatë dimrit, duhet të keni një palë çizme për dëborë (që nuk e lëshojnë ujin, më të plota) dhe një palë të rehatshme për çdo ditë që nuk e lëshojnë ujin. Edhe këpucët prej lëkure janë të ndjeshme (ato kërkojnë kujdes të veçantë) dhe koha e dimrit mund t’i shkatërrojë ato plotësisht.

Përgatitja e këpucëve për dimër

Siç thamë, duhet të investoni në këpucë të mira, të paktën dy palë cilësore për dimër. Mes përdorimeve lërini çizmet të thahen të paktën 12 orë - kështu ato do ta ruajnë formën dhe do të zgjasin më shumë. Pastroni ato pasi t’i keni veshur, të paktën me leckë, ndërsa njollat nga kripa menjanoni menjëherë para se të thahen këpucët.

Sapo të bleni këpucë të reja mbroni ato me një shtresë kremi përkatës për këpucë, sidomos nëse bëhet fjalë për këpucë të lëkurës. Këpucët mos i mbani pranë radiatorëve apo ngrohëses – sepse kështu mund t’i dëmtoni përgjithmonë. Nëse çizmet janë të lagështa, mblidheni ujin e tepërt me letër dhe mbushni ato me gazeta (ose copa të ngjashme të letrës).

Këpucët e lëkurës

Këpucët e lëkurës kërkojnë mbrojtje dhe vëmendje më të madhe. Ato duhet të lubrifikohen (lyhen) dhe të pastrohen rregullisht (sidomos para daljes në borë). Për t’i përgatitur për daljen e parë në dëborë pastroni mirë me një leckë të thatë dhe hiqni lidhëset (nëse ka lidhëse). Aplikoni krem mbrojtës (të papërshkueshëm nga uji), veçanërisht në vendet e qepjeve dhe palosjeve dhe ku gërshetohen lidhëset. Lini një orë që ta absorbojnë kremin dhe me leckë largoni tepricën (nëse ka), dhe vendosni lidhëset përsëri. Përsëriteni disa herë gjatë dimrit, veçanërisht nëse çizmet janë të reja.

Si t’i hiqni njollat nga kripa?

Në një leckë të thatë shtrydhni pak lëng limoni, pastaj shtypeni leckën në njollën e kripës në këpucë. Përsëriteni disa herë duke fërkuar deri sa njollat të zhduken. Gjithashtu mund ta përdorni një përzierje të pjesëve të barabarta të uthullës së bardhë dhe ujit në vend të lëngut të limonit. Kur t’i hiqni njollat, mblidheni me një leckë të thatë lagështinë e tepërt (vetëm shtypeni në këpucë për ta thithur lagështinë).

Këpuca nga lëkura antilop

Nëse për këtë lloj të këpucëve nuk kujdeseni mirë gjatë dimrit ato mund të dëmtohen – pa ndonjë shpresë për riparim. Sigurisht, ato nuk janë më idealet gjatë dimrit, por nëse nuk ka reshje dhe trotuare të lagështa, ato janë të sigurta për t’u veshur. Pastroni ato me një furçë të veçantë për lëkurë antilop dhe përdorni një sprej të dedikuar kundër ujit. (Sprejin së pari e provoni në një pjesë të paparë të këpucës për t’u siguruar se nuk do të ndikojë në ngjyrë).

Ruani nga rrezet direkte të diellit në një vend të thatë dhe të ftohtë që mos të zbehen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat